Shtatori, muaji i sulmit për politikën shqiptare/Rama nis operacionet, Basha harton platformën dhe përgatitet për protestat

Shqipëria

Shtatori, muaji i sulmit për politikën shqiptare/Rama nis operacionet, Basha harton platformën dhe përgatitet për protestat

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 14:18

Shtatori duket se nuk do të jetë muaji i sulmit vetëm për mazhorabcën, por edhe për opozitën. Ndërsa mazhoranca qeverisëse ka paralajmëruar se në shtator do të nisë operacionin kundër evazionit fiskal, por edhe për çështjet e pronësisë, Partia Demokratike do të nisë hartimin e një programi të plotë politik dhe ekonomik, i cili do të përbëjë edhe alternativën e opozitës për zgjidhjen e problemeve që përballen qytetatërt. Në këtë mënyrë duket se shtatori do të jetë muaji i sulmit si për Qeverinë ashtu edhe për opozitën, ndërsa secila nga palët ka përcaktuar tashmë agjendën me prioritetet që ka. Kryeministri Edi Rama krahas reformave të paralajmëruara, ka si synim edhe miratimin e reformës në drejtësi, që sipas tij përbën hapin final në lidhje me procesin e integrimit, më konkretisht me përcaktimin e një date nga BE për çeljen e negociatave. Gjithashtu edhe në nivel lokal, përfaqësuesit e PS kanë paralajmëruar se shtatori do të jetë muaji i sulmit. Erjon Veliaj ka deklaruar nisjen e aksionit për pastrimin e Tiranës, duke e cilësuar këtë si një betejë të cilën Bashkia e Tiranës duhet ta fitojë.

Në anën tjetër Lulzim Basha, Kryetar i PD-së, ka kërkuar nga departamentet dhe ekspertët pranë kësaj partie që të hartojnë platformën e partisë më të madhe opozitare, me të cilën PD do të përballet me mazhorancën në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës. Mësohet se Bash aka ftuar gjithashtu shoqërinë civile dhe ekspertë të paangazhuar në parti politike që të japin kontributin e tyre në hartimin e platformës së opozitës, e cila do të nisë të diskutohet me grupet e interesit dhe qytetarët për t’u plotësuar në detaje me cdo propozim të dhënë prej tyre. Duket se Bash aka zgjedhur të njëjtën rrugë si Edi Rama gjatë kohës që ishte në opozitë për hartimin e një platforme dhe më pas konsultimit të saj me qytetarët. Ndërkohë në platformën e PD-së pritet të zyrtarizohet propozimi që taksa e sheshtë të jetë në nivelin 9 %, sikundër pritet të përcaktohen propozimet e PD në lidhje me skemën e financimeve për projekte në fushën e bujqësisë, turizmit, mbështetjen e biznesit për hapjen e vendeve të reja të punës etj. Po në shtator pritet që Partia Demokratike të nisë analizën për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, ku demokratët pësuan një ndër humbjet më të thella. Paralelisht me zhvillimin e analizës, PD pritet të ndërmarrë protestat, ndërsa në Kuvend vëmendja do të përqëndrohet në dy çështjet që cilësohen si themelore nga opozita, dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat