Veliaj nuk ndalet as të dielën: E kthen rrugën ‘Ferit Xhajko’ në lulishte

Shqipëria

Veliaj nuk ndalet as të dielën: E kthen rrugën ‘Ferit Xhajko’ në lulishte

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 12:16

Kur ka kaluar vetëm një muaj nga marrja e detyrës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka realizuar një nga premtimet e tij të para të fushatës elektorale, rehabilitimin urban të bllokut të pallateve që kufizohet nga rruga “Ferit Xhajko” në Njësinë Administrative nr. 8.

Veliaj pa nga afër punën e kryer në këtë bllok pallatesh, ndërsa u ndal të bisedonte edhe me banorët e lagjes, të cilëve u kërkoi të mirëmbajnë investimin e kryer nga bashkia.

“Në vetëm katër javë kemi mbyllur këtë investim në një zonë shumë problematike të Tiranës. Dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve se rregullimi i qytetit kushton, por kushton më pak nëse të gjithë e ruajmë atë që investojmë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Blloku në fjalë mbizotërohet kryesisht nga pallate të ndërtuara para viteve ‘90 dhe është rikonstruktuar në vitin 2008 nga Bashkia e Tiranës, por gjatë asaj kohe nuk u realizua asnjë punim për rikualifikim dhe rehabilitim urban.

Tashmë, falë punës së kryer, janë larguar të gjitha objektet që kishin zënë hapësirat publike, si dhe janë ndërtuar lulishte dhe kënde lojërash për fëmijët, ashtu siç edhe kryebashkiaku Veliaj premtoi gjatë fushatës elektorale. Nisur nga ky investim, kreu i bashkisë ka kërkuar nga banorët që të mos dëmtojnë pronat e përbashkëta dhe të bëhen partnerë me bashkinë për të mbajtur të pastër ambientin.

“Kjo është arsyeja pse të gjitha masat që kemi marrë kundër vandalizmit janë në favor të 99% të qytetarëve që duan pastërti, duan kënde lojërash dhe lulishte. Ndaj, u them të gjithë qytetarëve të njësisë nr. 8, të cilët janë përfituesit e parë të këtij investimi, ta gëzoni, por na ndihmoni që t’i ruajmë!”, deklaroi Veliaj.

Investimet publike ishin në qendër të fjalës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës edhe gjatë prezantimit të administratorëve të Njësisë 8 dhe 9, Erjon Xhafa dhe Adelina Albrahimi. Sipas tij, një nga investimet më të rëndësishme për Tiranën, por që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë njësitë nr. 8 dhe nr. 9 është projekti i Parkut Qendror dhe ai i Lumit të Tiranës.

“Njerëzit duhet të bëjnë ato çka premtojnë dhe kjo është ajo që premtuam: Kemi rënë dakord me kompaninë britanike që në projektin e bulevardit të ulet intensiteti i ndërtimeve dhe rriten hapësirat e gjelbra”, tha Veliaj.

Duke qëndruar te kjo çështje, ai theksoi se tashmë ka filluar puna për pastrimin e Lumit të Tiranës, si pjesë e projektit të Parkut që do të përfshijë edhe këtë zonë. “Kemi filluar punën në zonën e lumit të Tiranës, për të shtuar parkun e lumit të Tiranës.

Sapo jemi dakordësuar me Fondin e Abu Dhabit, që të fokusohemi te projekti me më shumë parqe dhe hapësira të gjelbra, me një park qendror, rreth 6-7 herë sa Parku Rinia, dhe me më pak ndërtime në këtë zonë”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se këto projekte jo vetëm që do t’i rrisin vlerën zonës, por edhe do jenë një mundësi e mirë punësimi, së pari për banorët e njësive nr. 8 dhe nr. 9.

“Të sigurohemi që në fund të mandatit, Tiranës të mos i lëmë vizione, por punë konkrete, sepse njerëzit besojnë te gjërat e prekshme dhe me dobi në jetën e tyre”, u shpreh Veliaj. Më tej, ai ka garantuar banorët e këtyre njësive se aksioni për çlirimin e hapësirave publike do të vijojë në të gjithë Tiranën, deri sa çdo hapësirë e zënë t’i kthehet komunitetit.

Në fund, Veliaj u ndal edhe te aksioni i madh i 4 shtatorit për pastrimin e qytetit. Ai ka qenë i kënaqur me rezultatet e para të punës së kryer në këtë drejtim, duke theksuar se pa asnjë lekë shtesë, por vetëm duke i ndenjur punës te koka, është bërë të mundur angazhimi i plotë i kompanive të pastrimit për të përmbushur detyrimet që lindin nga kontratat e lidhura me Bashkinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat