Pronat, si do të anulohen dosjet falso

Shqipëria

Pronat, si do të anulohen dosjet falso

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 08:58

Tjetërsimi i të drejtës së pronës nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, por dhe çdo shkelje tjetër e pronësisë së ligjshme, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore. Pikërisht këtë synim ka marrëveshja ndërinstitucionale e nënshkruar dje mes drejtuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, Policisët, Avokaturës së Shtetit dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.


Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, deklaroi se uniformat blu do të rritin kapacitetet investiguese në drejtim të ekzaminimeve shkencore të falsifikimeve të ndryshme të dokumentacionit. Ndërsa kryeprokurori Adriatik Llalla premtoi hetime të plota në çdo rast kur evidentohen shkelje. Kryeministri Edi Rama i pranishëm në këtë takim deklaroi se askush nuk do të mund të gëzojë pronën e vjedhur.


Marrëveshja


“Reforma rrënjësore e pronës, që do t’i japë fund kësaj historie pafund, që e ka bërë Shqipërinë një vend ku nuk e merr vesh i pari të dytin, kur vjen puna tek pronat, është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është çelja e kësaj faze të dytë, përmes një operacioni shumë të thellë dhe të suksesshëm të goditjes së çdo akti të falsifikuar që ka prodhuar përmes veprës penale një interes të paligjshëm pasuror dhe një të drejtë tërësisht të falsifikuar mbi pronën”, deklaroi Rama dje nga Vlora, të cilin e konsideroi dhe si qarkun me problemet më të mëdha të pronësisë. Kryeministri shtoi se kjo betejë që do të zhvillohet nga katër institucione, do të garantojë që askush të mos gëzojë pronat e grabitura.


“Mesazhi i sotëm për të gjithë ata, të cilët janë në anën e shtetit në fushën e kësaj beteje të madhe, është që parashkrimi mund të shpëtojë nga ndëshkimi penal autorët e grabitjes, por nuk mund ta amnistojë produktin dhe nuk mund të legalizojë produktin e grabitjes si një produkt legjitim të grabitësit. Pra, hajduti ka vjedhur, vepra është parashkruar dhe ajo që ka vjedhur i mbetet atij si pronë. Kjo është e papërfytyrueshme. E për këtë arsye, marrëveshja e nënshkruar sot ka një rëndësi themelore, për të finalizuar në një rrugë që do të jetë padyshim jo e lehtë, një proces të neutralizimit të produkteve të veprës penale të grabitjes së pronës dhe të kthimit të pronës tek i zoti shtet, apo tek i zoti i vërtetë”, theksoi ai, duke shtuar se suksesi në këtë betejë ka një rëndësi historike të jashtëzakonshme për integritetin moral e juridik, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Rama vlerësoi mbështetjen e Prokurorisë së Përgjithshme në gjithë këtë proces.


“Mbështetja e Prokurorisë së Përgjithshme, por në mënyrë të veçantë e prokurorive të rretheve, për të iniciuar procedimin penal për çdo njoftim për vepër penale që lidhet me falsifikimin e dokumenteve, me të cilat preket e drejta e pronës, është një domosdoshmëri jetike për këtë proces”, tha ai. Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Lalla ka sqaruar se ku do të shtrihet puna e prokurorisë në rastet kur shkelësi nuk mund të ndiqet penalisht. “Prokuroria do të kryejë hetimet, si dhe do të grumbullojë të gjitha të dhënat e nevojshme, për t’i vënë në dispozicion të palëve të interesuara për t’i përdorur ato në proceset gjyqësore civile, si dhe të Avokaturës së Shtetit në rastet kur prona është publike. Njëherazi në të gjithë rastet kur të provohet se me pronën janë kryer veprime të ndryshme antiligjore, prokuroria do të fillojë hetimet për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale”, tha ai.


Ndërkohë drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka shpjeguar rolin e policisë në këtë operacion. “Prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit do të jenë rritja e kapaciteteve investiguese në drejtim të ekzaminimeve shkencore, të falsifikimeve të ndryshme në përfitimin e pronësisë; rritjen e investigimit në përfitimet në bashkëpunim, të individëve apo subjekteve të ndryshme në grup për tjetërsimin e pronësisë si edhe në bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional duke rritur kapacitetet e të gjitha hetimeve për të kthyer në identitet të plotë të gjithë të drejtës së pronësisë”, tha ai. Ndërkaq Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave dhe Avokatura e Shtetit do të luajnë rolin e tyre që pronat e tjetërsuara nëpërmjet falsifikimeve t’i kthehet shtetit ose pronarit të ligjshëm.


Marrëveshja e bashkëpunimit mes katër institucioneve


Detyrime të Prokurorisë së Përgjithshme


a) Të iniciojë procedimin penal për çdo njoftim për vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve të cilat prekin të drejtën e pronës ose nga të cilat lindin të drejta pronësie, duke drejtuar dhe kryer hetimet e nevojshme për mbledhjen e provave, ku përfshihen domosdoshmërisht kryerja e ekspertimeve, marrja e dokumenteve, dhe çdo gjë tjetër që i shërben procesit penal;


b) Të njoftojë Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit, për regjistrimin e procedimit penal kur preken interesat shtetërore sipas objektit të kësaj Marrëveshjeje dhe vendimmarrjen në përfundim të hetimeve paraprake;


c) Të njoftojë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për fillimin e procedimit penal të kallëzuar prej saj dhe vendimmarrjen në përfundim të hetimeve paraprake;


ç) Në rastin e pushimit të çështjes, të disponojë mbi provat materiale sipas ligjit, si dhe të njoftojë Palët dhe shtetasit e interesuar jo vetëm për të drejtën e ankimit ndaj këtij vendimi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në gjykatë, por edhe për të drejtat civile që lindin nga kjo vendimmarrje;


d) Në rastin e gjykimit të çështjes, të ndjekë me përparësi ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë, për detyrimet që lindin në lidhje me pasojat e deklarimit të falsitetit të dokumentit.


Detyrime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit


a) Të bashkëpunojë me institucionet e tjera shtetërore dhe shtetasit për të marrë dijeni për veprimtarinë kriminale objekt i kësaj Marrëveshjeje;


b) Të kryejë me përgjegjësi veprimet hetimore të urdhëruara ose deleguara nga prokurori dhe në mënyrë të veçantë të kryejë me profesionalizëm ekspertimet nga policia shkencore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale;


c) Të shfrytëzojë maksimalisht burimet njerëzore dhe materiale në interes të parandalimit, zbulimit dhe hetimit të veprimtarisë penale objekt i kësaj Marrëveshjeje;


Detyrime të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave


a) Të bëjë kallëzim penal në prokurori kur merr dijeni për kryerjen e veprave penale objekt i kësaj Marrëveshjeje, duke vënë në dispozicion të prokurorit elementet thelbësore të faktit, burimet e provës dhe çdo gjë tjetër që vlen për hetimin e plotë të çështjes e për identifikimin e autorit;


b) Të sigurojë mbrojtjen dhe fshehtësinë e informacionit, provave, akteve dhe/ose të dhënave të tjera, deri në përfundim të hetimeve paraprake.


Detyrime të Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit


a) Të bëjë kallëzim penal në prokurori kur merr dijeni për kryerjen e veprave penale objekt i kësaj Marrëveshjeje, duke vënë në dispozicion të prokurorit elementet thelbësore të faktit, burimet e provës dhe çdo gjë tjetër që vlen për hetimin e plotë të çështjes e për identifikimin e autorit;


b) Të ngrejë padi civile në procesin penal kur konstatohet se preken interesat pasurore të shtetit nga veprimtaria objekt i kësaj Marrëveshjeje;


c) Me njoftimin e vendimit përfundimtar të prokurorit, të ushtrojë të drejtën e padisë në gjykatë, për mbrojtjen e interesave shtetërore;


ç) Të sigurojë mbrojtjen dhe fshehtësinë e informacionit, provave, akteve dhe/ose të dhënave të tjera, deri në përfundim të hetimeve paraprake.


Rama: Tre rastet më të freskëta të abuzimit me pronën


Kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje tri raste konkrete të abuzimit me pronën. Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë, ku u njoftua edhe nisja e veprimit ndërinstitucional për t’i dhënë përgjigje abuzimeve me të drejtën e pronësisë, Rama tha se, “një rast shumë i freskët është në Rezervatin e Velipojës, pjesë e peizazhit ujor dhe tokësor të mbrojtur të Republikës së Shqipërisë dhe pjesë e listës së zonave me rëndësi ndërkombëtare, sipas konventës së Ramsarit”.


“Pasi është pretenduar njohja e pronësisë dhe kthimi apo kompensimi, sipas rastit, për 50 hektarë, pra, pretendimi është 50 hektarë, vendimi i gjykatës kthen 500 hektarë! Domethënë, për të gjithë ju që jeni ekspertë të fushës është fare e qartë, por besoj që nuk ka asgjë të paqartë dhe për çdo qytetar që na dëgjon. Shkohet në gjykatë për të kërkuar 50 hektarë dhe gjykatësi, me bujarinë e një mbreti apo të një sundimtari sovran, nuk të jep 50, të jep 500. Dhe të jep 500 hektarë në një tokë, e cila është zonë e mbrojtur dhe sipas ligjeve të kësaj republike, por dhe sipas konventave ndërkombëtare nuk është e kthyeshme. Dhe kjo përmes aktekspertizash absolutisht të falsifikuara që depozitohen në gjykatë, apo përmes përdorimit të dokumenteve, të cilat nuk e vërtetojnë pronësinë e pretenduar”, tha ai.


Në një rast tjetër, tha ai, është arritur të neutralizohet tentativa për të regjistruar dhe tjetërsuar 30 hektarë, që përbëjnë një nga gjiret më të mrekullueshme të bregdetit Jon, përmes dokumenteve të falsifikuara, akteve gjyqësore dhe akteve absolutisht të pavlefshme, që janë verifikuar nga ana e Taks-Forcës. “Por ajo që është më e bukura, në kuptimin e më të tmerrshmes, është se të gjitha këto akte janë prodhuar, pasi është bërë një regjistrim fillestar në hipotekë, pa asnjë akt. E regjistroj, pastaj bëj aktet”, tha ai. Rasti i tretë i përmendur nga kryeministri ishte në Durrës.


“Një rast tjetër në plazhin e Durrësit, ku prona e pozicionuar sipas dokumenteve arkivorë të origjinës është në majë të kodrës dhe në brendësi të pjesës së saj, ndërkohë që gjykata e jep në buzë të detit. Spostim spektakolar i një prone abuzive, sepse edhe ajo në majë të kodrës nuk ishte prona e pretendentit. Por ndërsa pretendenti e kërkon në majë të kodrës, gjykata e jep buzë detit”, renditi kryeministri rastet konkrete të abuzimeve.



Qato: Asgjësim të çdo dokumenti të falsifikuar


Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, Sonila Qato, ka sjellë dje në vëmendje konstatimet e përditshme të rasteve të tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme me anë të falsifikimit të dokumenteve. “Stafi i AKKP-së konstaton raste të vazhdueshme të tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme me anë të falsifikimit të dokumenteve, duke synuar përfitimin në mënyrë të padrejtë. Shumë prej rasteve të konstatuara mbartin dhe elementë të veprave penale. Një pjesë e tyre, edhe pse proceduralisht janë parashtruar për shkak të realizimit të tyre kohë më parë, vazhdojnë të sjellin anomali. Ky problem shfaqet duk- shëm dhe në çështjen e regjistrimit të tyre dhe transaksionit të fituar në mënyrë të paligjshme”, tha ajo, ndërsa garantoi vendosmërinë për të zbardhur çdo padrejtësi. “Jemi të vendosur të çojmë deri në fund zbardhjen e padrejtësive me pronën. Abuzivizmit me çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave i ka ardhur fundi”, tha Qato. Ajo garantoi se do të asgjësohet çdo dokument i falsifikuar. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm, i cili siguron asgjësimin dhe nxjerrjen nga qarkullimi të çdo dokumenti të falsifikuar i cili apo nëpërmjet të cilit është fituar prona në mënyrë të paligjshme”, deklaroi drejtoresha e AKKP-së.


Prokurorë shtesë në Vlorë


Prokuroria e Përgjithshme do të shtojë numrin e prokurorëve në qarkun e Vlorës, i cilësuar dhe si qarku më problematik sa i përket abuzimin me të drejtën e pronësisë. Pohimi është bërë dje nga kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional me Policinë e Shtetit, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Avokaturën e Shtetit. “Prokuroria e Përgjithshme do të angazhojë prokurorë shtesë në ato prokurori, ku kjo problematikë është më e theksuar. Hetimi i këtyre rasteve kërkon shtesë të burimeve njerëzore dhe mjeteve teknike për kryerjen e ekspertimeve grafike, me qëllim kryerjen në kohë të hetimeve të plota e të gjithanshme dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës. Falsifikimi i dokumenteve të pronave dhe tjetërsimi i tyre, krahas përgjegjësive penale, ka sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Prokuroria me anë të kësaj marrëveshjeje shpreh vullnetin e saj të plotë për të hetuar këto çështje, që janë jo vetëm një prioritet për t’u përmbushur në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por sidomos për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë, atë që njihet që nga kohët më të lashta – “e drejta që pronën ta gëzojë ai që i takon”, deklaroi Llalla nga Vlora.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat