Bashkia e Tiranës prish shkollën “Kristaq Rama”/A është ky një mesazh i Veliajt se në Tiranë s’do të ketë të paprekshëm?

Shqipëria

Bashkia e Tiranës prish shkollën “Kristaq Rama”/A është ky një mesazh i Veliajt se në Tiranë s’do të ketë të paprekshëm?

Nga: Gjergj Koja Më: 29 gusht 2015 Në ora: 19:53

Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Kryebashkiakut Erjon Veliaj e ka nisur me një mesazh të qartë, të paktën deri tani, për të mos lejuar të paprekshmit në territorin e kësaj bashkie. Bashkia nuk ka kursyer prishjen e një objekti shkollor jo-publik që mbante emrin e babait të Kryeministrit Edi Rama, “Kristaq Rama”, i cili ndodhej në rrugën “Medar Shtylla” në Njësinë 5.
Nga mbrëmja e djeshme falë ndërhyrjes së strukturave dhe mjeteve të Policisë Bashkiake dhe IMT-së, është bërë e mundur prishja e godinës që kishte zënë trotuarin, duke ia kthyer atë qytetarëve. Mjetet e Bashkisë kanë punuar gjatë natës, duke bllokuar për disa orë edhe kalimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve gjatë natës, për të shmangur çdo rrezik nga prishja e objektit.
Ndërkohë që pas prishjes së objektit, punonjësit e Bashkisë kanë bërë edhe zhvendosjen e mbetjeve inerte, si dhe kanë pastruar zonën duke e kthyer atë në normalitet. Kjo ndërhyrje vjen në kuadër të aksionit të Bashkisë për çlirimin e të gjitha hapësirave publike, si trotuare, rrugë, lulishte, kënde lojërash, që po zhvillohet prej dy javësh.
Pak kohë më parë Kryebashkiaku Erjon Veliaj tha se nuk do të toleronte askënd që kishte zënë hapësirat publike, pavarësisht mënyrës që ishte përdorur për ta bërë një gjë të tillë. Tashmë mbetet për t’u parë se deri ku do të shkojë ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës dhe a do të ketë fuqi Kryebashkiaku për të ndërhyrë në cdo zonë ku janë cënuar hapësirat publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat