Nga shtatori iu konfiskohet mjeti nëse s’keni paguar gjobat

Shqipëria

Nga shtatori iu konfiskohet mjeti nëse s’keni paguar gjobat

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 19:08

Shoferët që nuk kanë paguar gjobat rrezikohen që t’iu sekuestrohet mjeti, nëse nuk i likuidojnë ato në kohë. Policia Rrugore e Tiranës paralajmëroi sot nisjen e kontrolleve nga data 1 shtator, duke sqaruar sesi duhet të veprojnë drejtuesit nëse nuk duan të humbin automjetin e tyre.

Siç saktëson policia, mjetet me të paktën një gjobë, që u ka kaluar afati 30-ditor i arkëtimit, do të bllokohen derisa ta shlyejnë gjobën. Nëse tejkalohet afati 3-mujor i arkëtimit, mjeti do të sekuestrohet. “Duke filluar nga data 01 Shtator 2015, pasi nga shërbimet e policisë rrugore do të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme dhe për mjetet që do të rezultojnë me 1 gjobë, të cilës i ka kaluar afati 30-ditor i arkëtimit do të bëhet bllokimi administrativ deri në arkëtimin e tyre. Gjithashtu, për rastet kur mjeti brenda 3 muajve nuk shlyen detyrimet dhe nuk tërhiqet nga pronari, mjeti do të konfiskohet”, bën të ditur policia e Tiranës.

Rrugorja kërkoi nga qytetarët dhe institucionet shtetërore të marrin masa për likuidimin e gjobave të vendosura nga shërbimet e policisë për shkelje të rregullave të qarkullimit.”Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore kërkon mirëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e përdoruesve të mjeteve, që të verifikojnë targat e mjeteve dhe të likuidojnë gjobat, sipas afatit të parashikuar në Ligj”, përfundon njoftimi i Policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat