Dëshmia e 18-vjeçares që u arratis: Nuk dua të martohem me fqinjin

Shqipëria

Dëshmia e 18-vjeçares që u arratis: Nuk dua të martohem me fqinjin

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 18:31

“U largova me dëshirë, nuk kam patur asnjë problem tjetër. Nuk doja të martohesha me fqinjin”, kështu është shprehur në polici, vajza 18-vjeçare nga Këlcyra, e cila u largua nga shtëpia pak ditë para dasmës së saj.Ajo u gjet nga policia ditën e sotme në Kamëz. Vajza ishte larguar prej banesës së saj në Këlcyrë, pasi nuk donte të martohej me fqinjin e saj.

Nga ana tjetër, babai i vajzës, Sejat Spahiu ka folur për “News 24”, duke thënë se ai e respekton vendimin e vajzës së tij për të mos u martuar me fqinjin.

Gjendet në Kamëz 18-vjeçarja e zhdukur para martesës

Gjendet në Kamëz 18-vjeçarja Ruze Spahiu, e zhdukur prej 5 ditësh nga banesa e saj në Këlcyrë.

Zhdukja e 18-vjeçares nga fshati Gur në Këlcyrë ndodhi pak ditë pasi caktoi datën e martesës. Sipas familjes ajo ishte parë për herë të fundit nga e ëma dhe i ati i saj mëngjesin e së hënës. Ata treguan se vajza e vogël mes 6 fëmijëve të familjes Spahiu kishte dalë më 24 gusht me justifikimin se do të shkonte te një shoqe e klasës.

Vajza kishte përdorur emrin e një shoqeje që familja në fakt nuk e njihte, duke thënë se do të diskutonin për të festuar ditëlindjen. I ati i 18- vjeçares ka marrë rrugën i pari për të denoncuar humbjen e vajzës në organet policore.

Më pas është larguar në drejtim të kryeqytetit, ku dhe ka gjetur hapësirën mediatike për t’i bërë apel të bijës që të kthehet te familja. Ruze Spahiu jetonte së bashku me prindërit dhe vëllain, ndërsa katër fëmijët e tjerë të familjes janë larguar, diku të martuar e diku në emigrim.

Banesa përdhese ku jetojnë ndodhet në krye të fshatit Gur, mbi pjesën jugperëndimore të Këlcyrës. Ruzja kishte mbaruar arsimin e mesëm dhe nuk kishte shprehur interes, të paktën këtë vit, për të vazhduar studimet e larta. I fejuari i saj është një djalosh 23-vjeçar me të cilin kishin lidhje prej dy vitesh dhe prerë ditën e dasmës më 10 tetor të këtij viti.

Sipas së ëmës, Ruzja e donte të fejuarin pasi e kishte zgjedhur vetë, por asnjëherë nuk ishte parë ndonjë afrimitet mes tyre. Largimi i saj në një destinacion të paditur, për të ëmën ishte i pashpjegueshëm.

Ndonëse është paralajmëruar për pasojat që e prisnin nga i vëllai apo dhe i ati, për të mos u larguar pa lejen e tyre, mëngjesin e së hënës, Ruzja nuk pyeti dhe vazhdoi me mendjen e vet.

“Iku me telefon në vesh dhe e veshur me një bluzë të bardhë, pa mëngë, me një palë sandale dhe pantallona të shkurtra. Kjo ka qenë veshja e saj në momentin kur është larguar”, tregon nëna.

Dy orë pas largimit, ajo nuk përgjigjej në telefon, ndërkohë që në orët e vona, as zilet në drejtim të celularit të saj nuk shkonin, pasi ishte i mbyllur. Familjarët kanë menduar se vajza e tyre ndoshta është larguar me të fejuarin, por kur ky i fundit është bërë merak për fatin e saj te prindërit, atëherë ata janë vënë në alarm.

Ata nuk duan të besojnë se fëmija e tyre të ketë humbur me të vërtetë, ose më e keqja të ketë pësuar ndonjë gjë. Familja Spahiu nuk ka probleme hasmërie në fshat dhe njihet si një familje e qetë dhe jo konfliktuale. Banorët e fshatit Gur shprehen pozitivisht për këtë familje dhe përjashtojnë mundësinë e ndonjë hakmarrjeje të mundshme ndaj kësaj familjeje në dëm të vajzës së tyre.

“Familja Spahiu po përgatitej për dasmën që do të organizonin më 10 tetor, por, mesa duket, vajza e tyre ka marrë arratinë me një tjetër djalë”, shprehet një banore e fshatit, e cila shpreh garancinë se Ruzja është larguar me atë që ka dashur. Ky version në fakt nuk i bind familjarët e 18- vjeçares, pasi ata janë të sigurt se Ruzja e donte të fejuarin, sepse e kishte zgjedhur vetë.

E ëma ka shprehur dyshime në disa raste kur Ruzja fliste shpeshherë në celular përgjatë ditës dhe sidomos ditën kur u largua. Sipas saj, vajza u largua pas një bisede të gjatë me një person përmes celularit, ndërkohë që është justifikuar se po fliste me Anxhelën për ditëlindjen e saj, që do ta festonte ditën kur iku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat