Denoncimi i korrupsionit, “sinjalizuesit” i ruhet anonimati dhe i jepet mbrojtje

Shqipëria

Denoncimi i korrupsionit, “sinjalizuesit” i ruhet anonimati dhe i jepet mbrojtje

Nga: Gjergj Koja Më: 29 gusht 2015 Në ora: 16:59

Nëse një individ do të denoncojë rastet korruptive, institucionet shtetërore i ofrojnë mbrojtje dhe ruajtjen e anonimatit në të gjitha fazat, me përjashtim të nisjes së procesit gjyqësor. Kjo përcaktohet në pr/ligjin që është duke u diskutuar mbi figurën e sinjalizuesit. Drafti synon forcimin e tabanit ligjor për të goditur fenomenet korruptive, por edhe për të krijuar mbështetjen për denoncimin e fenomeneve të tilla nga qytetarët. Sipas draftit, sinjalizuesi do të ketë mbrojtjen e autoriteteve, me përjashtim të rasteve kur ai vendos të bëjë publike apo të denoncojë publikisht aktin korruptiv. Nëse ndodh kjo, atëherë sinjalizuesi humbet atë ccka i ofrojnë institucionet shtetërore. Gjithashtu drafti-ligjor parashikon që mbrojtja i ofrohet sinjalizuesit nga Prokurori i Përgjithshëm, në rast se jeta e tij dhe e familjarëve është në rrezik.
Drafti parashikon që informacioni duhet të depozitohet tek njësia e posaçme, e cila duhet të përbëhet nga persona të trajnuar posaçërisht, të cilët përpos ndjekjes së fakteve të raportuara janë po ashtu përgjegjës për mbrojtjen e dokumentacionit të referuar në mënyrë që ai të mos zhduket apo tjetërsohet.
Kjo njësi, thuhet më tej, është institucioni që do të kontrollojë funksionimin e këtyre njësive dhe kur kjo vepër e raportuar nga sinjalizuesi përbën shkelje administrative, atëherë me këtë çështje merret Inspektoriati i Lartë. Por kur kjo çështje konstatohet se përbën vepër penale, atëhere Inspektoriati i Larte ia referon çështjen Prokurorisë.
Projektligji shprehet se barra e provës bie mbi subjektin e raportuar që i duhet të provojë se ky informacion i sinjalizusit ka qenë i rremë.
Në projektligj futen edhe termat “mbrojtje e sinjalizuesit nga hakmarrja”, siç mund të jetë pushimi i tij nga puna apo transferimit, ku kompetencat për ta pezulluar këtë akt juridik e ka sërish Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive.
Gjithashtu, në projektligj shtohet në nenin 20-të se nëse sinjalizuesi dëmtohet nga hakmarrja, atëherë ai ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim financiar, ku çdo veprim hakmarrjeje në detyrë, pra hakmarrje administrative, varion me gjoba nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat