Testimi i mësuesve shtyhet pas muajit shtator

Shqipëria

Testimi i mësuesve shtyhet pas muajit shtator

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 15:17

Testimi për mësuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në mbarë vendin, nuk do të zhvillohet në muajin shtator.
Vendimin e ka konfirmuar zv/ ministrja e Arsimit, Nora Malaj, gjatë një konference për median, duke bërë me dije se testimi nuk do të zhvillohet në shtator.
Ndër të tjera, ajo ka sqaruar se ky testim, qe konsiderohet ndryshe si ‘Indikator për matjen e menaxhimin të situatave në shkollë’, ka për qëllim të identifikojë sesa të aftë janë mësuesit.
“Për testimin e mësuesve, i cili ishte parashikuar për në fund të muajit, grupet e punës, të cilat janë duke diskutuar formën dhe përmbajtjen e testimit, kanë vendosur ta shtyjnë pas muajit shtator. Të rëndësishme tani janë fillimi i vitit shkollor, shpërndarja e librave shkollorë dhe programeve mësimore. Së bashku me Institutin e Zhvillimit të Kurrikulës, do shihen nevojat se ku kanë më shumë mangësi mësuesit dhe nevojat që kanë ata për t’u trajnuar. Ministria eArsimit ende nuk ka nxjerrë një udhëzim të posaçëm”, ka sqaruar Malaj.
Sa i përket rekrutimeve të mësuesve të rinj, Malaj ka thënë se edhe këtë vit ata do të punësohen nëpërmjet portalit ‘Mësues për Shqipërinë’ dhe më pas do t’i nënshtrohen testimit në muajin dhjetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat