Trafiku i drogës me avion/Flamur Noka: Përgjegjësia shkon deri tek Sajmir Tahiri. Rama të shpjegojë hashashizimin e vendit

Shqipëria

Trafiku i drogës me avion/Flamur Noka: Përgjegjësia shkon deri tek Sajmir Tahiri. Rama të shpjegojë hashashizimin e vendit

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 14:03

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri për mos dhënien e shpjegimeve mbi implikimin e zyrtarit të lartë të Policisë së Vlorës në trafikun e drogës me avion drejt Italisë. Deputeti demokrat Flamur Noka tha se ende nuk është dhënë asnjë shpjegim
për përfshirjen e këtyre elementeve kriminal në nivelet drejtuese në Policinë e Shtetit.
“Edhe pse Rama gjendej sot në vendin e krimit, ai nuk gjeti asnjë moment për ta dënuar ngjarjen e përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafik droge,ashtu sikurse nuk ka gjetur asnjë moment të shpjegojë hashashizimin e Shqipërisë duke treguar në këtë mënyrë qe gjithshka ka edhe ka patur bekimin e tij dhe mburojën e sejmenit të tij”, tha Noka.
Sipas tij, Partia Demokratike dhe opozita kanë denoncuar parreshtur me fakte trafikun e drogës me avionë, megjithëse ju ngeci në rërë Riformato, përsëri ky trafik ka vazhduar të zhvillohej dhe do të zhvillohej dhe sot e kësaj dite nëse nuk do të ndërhynin autoritetet italiane.
“Trafikantët kishin garanci për aktivitetin kriminal nga shefi i policisë së Vlorës, dhe shefi i policisë së Vlorës kishte garanci e imunitet edhe më lart për trafikun e drogës. Përgjegjësia shkon tek Ministri i Brendshëm. Ky është rasti tipik i krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim. Derisa sejmeni ministër nuk jep asnjë shpjegim se përse u rikthye në detyrë shefi i policisë i kapur në krye të trafikut, pasi ishte përjashtuar në 2007 me po keto argumenta, nuk jep pergjigje se kush i jepte atij pushtet për të lëvizur drogën, cili deputet apo qeveritar i ofronte atij mbrojtje e paprekshmëri, atëherë ministri i Brendshëm është vetë drejtpërdrejt i lidhur me këtë aferë e duhet të mbajë përgjegjësi për të”, tha Noka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat