Bytyçi: Shqipëria e humbi në Vjenë imazhin që fitoi në Berlin

Shqipëria

Bytyçi: Shqipëria e humbi në Vjenë imazhin që fitoi në Berlin

Më: 29 gusht 2015 Në ora: 11:14

Samiti i Vjenës mbart një rëndësi të madhe për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë vendet e rajonit. Në këndvështrimin e analistëve dhe diplomatëve ky samit shërbeu si një nxitje për të zhvilluar më tej demokracinë e vendeve tona, për të forcuar institucionet e shtetit, për të përmirësuar infrastrukturën e vendit dhe për të shkuar drejt një mirëqënie më të mirë për qytetarët e rajonit të Ballkanit.

Për profesorin dhe diplomatin, Enver Bytyçi, aktualisht drejtor Ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore, fokusi i Samitit të Vjenës ishin dy çështje kryesore; paqja, stabiliteti dhe siguria në rajon, gërshetuar me forcimin e qeverisjes dhe investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe menaxhimi i valës së madhe të refugjatëve, azilkërkues.
Duke u ndalur si fillim te projektet infrastrukturore, Bytyçi thotë se të gjitha projektet që ka paraqitur Shqipëria janë të rëndësishme, por jo të gjitha do të mund të miratohen. Projekti i ndërtimit të autostradës lindje-perëndim do të marrë rrugë për shkak të investimit të madh që ka bërë Shqipëria dhe Kosova, mbetet vetëm një pjesë prej 100 km që të lidhet Nishi me kufirin e Kosovës, dhe që i takon Serbisë. Ky projekt nuk ka asnjë arsye pse të mos realizohet, pasi është në interes të gjithë rajonit.

Bytyçi: Autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, në interes të të gjithë rajonit

"Projekti i ndërtimit të autostradës lindje-perëndim, do të marr rrugë për shkak të investimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Shqipëria, madje me një kosto shumë të lartë për ekonominë e vendit, për ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe njëkohësisht investimeve të jashtëzakonshme që ka bërë Kosova. Mbetet vetëm një pjesë prej rreth 100 km që të lidhet Nishi me kufirin e Kosovës, pjesë e cila është e vështirë për t’u ndërtuar por që detyrimisht do të duhej të ndërtohej dhe i takon territorit të Serbisë. Ky projekt duke qenë se shumica dërrmuese ka përfunduar tashmë, nuk ka asnjë arsye pse të mos realizohet. Është në interesin e të gjithë vendeve të rajonit që ky projekt të realizohet; në interesin e shqiptarëve në Shqipëri; në Kosovë, në Preshevë por edhe për serbët. Nëse do bëhej fjalë para 15 vitesh për ndërtimin e autos tradës lindje-perëndim, serbët do të reagonin me një negativitet të paparë sepse ishin kundër bashkëpunimit dhe marrëdhënieve me territoret shqiptare, ndërsa sot kemi ardhur në një pikë kur edhe Qeveria e Serbisë e pranon me një entuziazëm ndërtimin e një korridori të tillë. Është një arritje e madhe," tha Bytyçi.

Pavarësisht përmirësimit të marrëdhënieve mes serbëve dhe shqiptarëve, tensionet kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë pasi dy popujt ndajnë mes tyre një histori të përgjakshme lufte që nuk është shumë e largët. Bytyçi mendon se pa krijimin e një minishengeni në Ballkanin Perëndimor, nuk do të ketë as dhe një integrim të plotë të këtyre vendeve në BE, çka do të thotë se së pari qytetarët e Ballkanit perëndimor duhet të lëvizin lirshëm mes tyre, pastaj me Evropën.

Bytyçi: Samiti i Vjenës nuk i zgjidhi problemet mes shqiptarëve dhe serbëve

"Unë nuk besoj se me marrëveshjet që realizoi Kosova dhe Serbia, kanë marrë fund problemet midis Serbisë dhe Kosovës,përkundrazi mund të dalin dhe probleme të reja. Nuk mendoj se me Samitin e Vjenës u zgjidh gjithçka mes shqiptarëve dhe serbëve, sepse ka një histori të dhimbshme, një histori tragjike, midis të dy popujve, natyrisht jo për faj të shqiptarëve, duhet ta theksojmë këtë element. Pa dyshim që këto projekte do të çojnë në masa të tjera, në veprime të tjera, në fund të fundit pa krijimin e një minishengeni në Ballkanin Perëndimor për mendimin tim nuk do të ketë as dhe një integrim të plotë të këtyre vendeve në BE, çka do të thotë se të gjitha vendet duhet të lënë mbrapa të gjitha konfliktet që kanë pasur në të kaluarën. Çka do të thotë se të gjitha vendet në një Shengen Ballkanik do të duhet thjesht t’i vizatojnë kufijtë por në asnjë rast të ketë kontrolle në kufi, të mallrave të njerëzve pra të jetë një qarkullim i lirë pa pengesa, në të gjitha këto vende, të gjithë banorët e rajonit të kenë të drejtën të punojnë ku të duan në çdo shtet dhe qytet ," tha më tej Bytyçi.

Duke vijuar me procesin e integrimit, Bytuçi thotë se mes shteteve tona nuk duhet të ketë dogana; të ketë tarifa të barabarta; standarde të njëjta; dhe të gjitha këto duhet të realizohen para integrimit, pasi BE nuk ka ngut të anëtarësojë vendet e Ballkanit Perëndimor, siç kishte ngut me Rumaninë dhe Bullgarinë, pasi këtu dy vende ishin skaji i Rajonit tonë, oborri i prapmë i Evropës që rrezikohej nga influenca ruse, ndaj dhe BE nxitoi për pranimin e tyre. Por nuk është e njëjta gjë për vendet e tjera.

Bytyçi: BE nuk ka ngut të anëtarësojë vendet e Ballkanit Perëndimor

"Për këtë arsye BE nuk ka ngut, ndonjë nxitim të madh që ti marri edhe pa realizuar standardet. Natyrisht janë vetë vendet e Ballkanit Perëndimor që duhet të kapin stand ardet. Shqipëria për mendimin tim është vendi më problematik në Rajon. Kosova nëse është problematike ka shkaqe dhe arsye të tjera nga ato të Shqipërisë, ndërkohë që në Shqipëri, gjendja aktuale e ekonomisë, e anës financiare, problemet me eksodin, refugjatët e shumtë, problemet me krimin, identitetin, trafikun e drogës, korrupsionin, janë probleme që e shqetësojnë seriozisht BE-në. Ky shqetësim nuk mund të transferohet në BE. Shqiptarët zënë vendin e dytë pas sirianëve në kërkesat për azil në Gjermani, atëherë kjo do të thotë se ka rrezik jo vetëm të shtyhet integrimi, por ka rrezik edhe të rikthehet regjimi i vizave për Shqipërinë dhe për ndonjë vend tjetër të rajonit, dhe regjimi i vizave është një goditje shumë e rëndë," tha më tej Bytyçi.

Për azilkërkimin qeveria shqiptare duhet të hartojënjë strategji që ta nxjerrë vendin nga kjo situatë, ashtu siç bëri Kosova. Ai i quan fyese dhe të palogjikshme deklaratat e bëra pak ditë më parë nga Kryeministri Rama dhe ministri Tahiri se azilkërkuesit shqiptarë nuk kanë ikur nga Shqipëria por nga Greqia.

Bytyçi: Rama i fyeu shqiptarët në Greqi, kur foli për azilkërkimin

"Edhe në Kosovë ndodhi rasti i eksodit por qeveria e Kosovës hartoi një program që e çoi në Parlamentin e Kosovës, e miratoi atë program për zhvillimin ekonomik dhe social të zonave ku kishte më shumë refugjatë, krijoi edhe disa lehtësira për pensionet dhe masat praktike, dhe krijoi një atmosferë të besimit te qytetarët se mund të ndryshojë diçka. Në Shqipëri ende prej 7 muajsh ne nuk shohim masat praktike për të rikthyer besimin e qytetarëve. Kjo është tragjike. Më lejoni të them se ky argumentim (i Ramës) është i pasaktë, sepse nuk është e vërtetë që shqiptarët që jetojnë në Greqi janë kontigjenti më i madh i refugjatëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së, i paskatë se shqiptarët që jetojnë në Greqi janë shtetas të Shqipërisë, ajo deklaratë për mendimin tim ishte një fyerje për shqiptarët, nuk qëndron, përkundrazi duhet të japi një program; një projekt që qytetarët e vendit, ta shpresojnë dhe ta shohin si një shpresë për ta kapërcyer këtë situatë krize e cila ekziston," thotë Enver Bytyçi, lidhur me zgjidhjet që duhet të gjenden për azilkërkimin.

Më tej profesor, Bytyçi thotë se performanca e Shqipërisë në Samitin e Vjenës ishte inferiore, pasi nuk pa argumentet dhe përballjen e duhur të palës shqiptare përpara kancelares së Gjermanisë dhe Austrisë, sidomos sa i përket çështjes së azilkërkimit. Në këtë drejtim Shqipëria e humbi në Vjenë, shansin dhe imazhin që fitoi në Berlin.

Bytyçi: Pala shqiptare ishte inferiore në argumentet që paraqiti në Vjenë

'Unë do të thosha që ne ishim inferior edhe në Samitin e Vjenës. Ishim më inferiorët në as pektin e paraqitjes së argumenteve dhe paraqitjes përballë delegacioneve të tjera dhe përballë dy kancelarëve, kancelares Merkel dhe kancelarit austriak, ishim nga një imazh, shumë pozitiv, me një shans shumë të madh që kishim para një viti në Samitin e Berlinit ne kemi bërë një hap shumë të madh mbrapa, në kuptimin e perfomancës për të kërkuar dhe për të realizuar atë çka ne duam në raport me interesat e vendit sepse në fund të fundit performanca në konferenca të tilla është shumë e domosdoshme, bashkuar me argumentet dhe arsyetimet, me qëllim që të ralizosh objektivat, kërkesat projektet, me të cilat një kryeministër ose një ministër shkon në samitet ndërkombëtare," tha profesor Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat