Komuniteti i Energjisë/Rama i kthehet tezës së Berishës: Jemi pas Norvegjisë, por borxhet e kompanisë janë 1.1 miliardë euro

Shqipëria

Komuniteti i Energjisë/Rama i kthehet tezës së Berishës: Jemi pas Norvegjisë, por borxhet e kompanisë janë 1.1 miliardë euro

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 16:48

10 vjetori i krijimit të Komunitetit të Energjisë ka mbledhur së bashku gjatë Samitit të Vjenës përfaqësues të lartë të shteteve anëtare. Në këtë kuadër u mbajt Konferenca e 10 vjetorit të krijimit të Komunitetit të Energjisë, nën patronazhin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Duke folur për sistemin energjitik në Shqipëri, Kryeministri Rama theksoi se, reforma e sektorit energjetik po hyn në një fazë kyçe. Rama theksoi se, niveli i energjisë së papaguar ose të vjedhur u ngrit në qiell, dhe që si pasojë bëri që kompanitë shtetërore dhe private të deklaronin një falimentim dramatik. “Rreziku për kolapsin e sistemit, blackout-it dhe katrahurës financiare për të gjithë vendin u duk shumë qartë në horizont. Pasojat ekonomike dhe shoqërore do të kishin qenë katastrofike. Kjo është arsyeja pse, kur unë mora detyrën në 2013-ën, vendosëm që ta rivendosim sektorin energjetik si një prioritet strategjik. Ne e dinim që kjo gjë do na detyronte të merrnim vendime të vështira, por nuk kishim zgjidhje tjetër. Kështu që filluam duke zgjidhur mosmarrëveshjen e trashëguar me pronarin e kompanisë sonë të shpërndarjes, investitorin çek, i cili kishte dështuar plotësisht që të ndalonte atë ç’ka duhej ndaluar kur u bë privatizimi, dhe që praktikisht e transformoi shoqërinë në pengesën kryesore për të ndërmarrë reforma”, theksoi Rama.

Sipas kreut të qeverisë, “negociatat e suksesshme me ndihmën e Komunitetit Energjetik, na hapën rrugën për të vazhduar më tej me reformat. Dhe pasi të përfundojmë këtë, mund të vazhdojmë me ristrukturimin dhe rindërtimin e sektorit energjetik, dhe të arrijmë të menaxhojmë një kompani me 1.1 miliard dollarë borxhe. 1.1 miliard dollarë borxhe të mbledhura që nga viti 2007. Ose, për t’ju dhënë një ide të qartë, 7% e PBB-së tonë. Kjo për shkak se çdo vit kemi pasur 50% vjedhje dhe humbje teknike në një sistem ku investimet kanë qenë praktikisht inekzistente kur bëhej fjalë për shpërndarje”.

“Shqipëria është vendi i dytë më i pasur për burimet hidroenergjetike, pas Norvegjisë. Shqipëria është vendi i cili deri tani është mësuar të jetojë me këtë potencial, duke e parë si një barrë dhe si një problem, jo si një burim dhe një aset. Por, nuk është e nevojshme të thuhet se ne ende kemi nevojë për mbështetjen e Komunitetit të Energjisë”, tha Rama.

Komuniteti i Energjisë është themeluar mbi bazën e një traktati ndërkombëtar në vitin 2005. Qëllimi kryesor i tij ishte afrimi i vendeve të rajonit të Europës Juglindore dhe Detit të Zi me Bashkimin Europian dhe për të zgjeruar tregjet e energjisë të brendshme të BE-së dhe tërheqë investimet në prodhimin e energjisë dhe të rrjeteve të furnizimit.

Ndër panelistët kryesorë ishin edhe Kryeministri i Serbisë Vuçiç Kryeministri i Ukrainës Yatsenyuk, Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Sefçoviç, Komisioneri për Zgjerimin në KE, Hahn, Kryetari i Komisionit të Industrisë dhe Energjisë në Parlamentin Europian Busek.

Në fjalën e tij në event, Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Maros Sefçoviç theksoi se, 10 vjet më parë, Komuniteti i Energjisë u krijua për të rritur bashkëpunimin e vendeve të rajonit me BE-në dhe për integrimin e tregjeve të energjisë të vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin dhe me BE-në, por me kalimin e kohës, Komuniteti i Energjisë është shndërruar nga një instrument rajonal i para-anëtarësimit në një instrument për sigurinë tonë të përbashkët të furnizimit dhe të bashkëpunimit në fushën e energjisë.

Shqipëria aktualisht mban Presidencën e radhës së Komunitetit të Energjisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat