Autoriteti i Aviacinit: Fluturimet brenda vendit, të kontrolluara

Shqipëria

Autoriteti i Aviacinit: Fluturimet brenda vendit, të kontrolluara

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 16:47

Të gjithë Operatorët Ajrorë janë të pajisur me autorizim për operime ajrore në përputhje me ligjin. Konfirmimi i Autoritetit të Aviacionit Civil vjen pas lajmeve të publikuara nga disa medie, të cilat pretendojnë parregullsi nga ana e operatorëve që kanë aktivitet në vendin tonë, pas ngjarjes së fundit ku u zbulua një linjë ajrore e trafikimit të drogës Shqipëri-Itali, me bazë në Sevaster të Vlorës. Përmes një deklarate për mediet, Autoriteti i Aviacionit thekson se, të gjitha fluturimet e mjeteve brenda vendit janë kontrolluar dhe kryhen sipas të gjitha rregullave në fuqi.

“Në vijim të deklaratës së disa mediave mbi pretendimet për parregullsi të disa operatorëve ajror që operojnë në vendin tonë, 'ShegaAir' eshte e pajisur me licence dhe vepron të gjitha rregullave në fuqi me autorizim për operime ajrore nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar në përputhje me nenin 12, të Ligjit 10040, dt. 22.12.2008 “Kodi Ajror i R.SH” dhe ne përputhje me aktet nënligjore ne zbatim te tij”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Deklarata e plotë

Për të mos lënë shteg për abuzime ndaj një argumenti shumë të qartë si menaxhimi i trafikut ajror, ALBCONTROL informon edhe një herë opinionin publik, se ofron shërbimet e tij në hapësirën ajrore shqiptare për avionët civil e ushtarakë që zbatojnë rregullat dhe standartet e ICAO, të cilat burojnë nga Konventa e Çikagos dhe anekset e saj.

ALBCONTROL, përmes shërbimeve që ofron, garanton sigurinë, efikasitetin dhe rrjedhshmërinë e trafikut ajor në Republikën e Shqipërisë, dhe jo ruajtjen e hapësirës ajrore shqiptare. Ky shërbim ofrohet përmes pajisjeve navigacionale të komunikimit me avionët dhe radarëve sekondarë që agjencia disponon, të cilët funksionojnë në mënyrë të pandërprerë nën mbikqyrjen e stafit të kualifikuar teknik, duke i krijuar kështu kushtet kontrollorëve të trafikut ajror për të përmbushur detyrën e tyre, shërbim të sigurtë dhe efikas për çdo avion që përshkon hapësirën shqiptare dhe që është i pajisur me transponder (pajisje e detyrueshme në bord për të marrë shërbimin e radarëve), me leje nga autoritetet dhe plan fluturimi. Në rast të kundërt, pra nëse avioni nuk është i pajisur me transponder, nuk kërkon përmes radios ofrimin e shërbimit të trafikut ajror, nuk ka nje leje të miratuar dhe një plan fluturimi, agjencia nuk ka kontakt dhe kontroll mbi këtë objekt.

Avioni ultra light i cili u kap gjatë aksionit “free flight”, nuk është shfaqur në asnjë moment në ekranët e radarëve të ALBCONTROL, nuk ka pasur leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil, nuk ka dorëzuar një plan fluturimi, dhe për rrjedhojë nuk plotëson kushtet e marrjes së shërbimit të kontrollit të trafikut ajror që ALBCONTROL ofron. Pavarësisht veçorisë dhe teknikaliteve shumë specifike të shërbimeve të trafikut ajror, kërkojmë të qartësojmë për publikun e gjerë, duke i mbyllur rrugën informacioneve abusive, se ALBCONTROL operon me pajisje navigacionale moderne, të cilat përmes raporteve elektronike të pandryshueshme që prodhojnë në baze ditore, vërtetojnë lehtësisht funksionin e tyre të pandërprerë, në shërbim të trafikut ajror në Republikën e Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat