Noka në Kukës: Të larguarit nga Shqipëria, por nuk i bien nga Rinasi

Shqipëria

Noka në Kukës: Të larguarit nga Shqipëria, por nuk i bien nga Rinasi

Më: 28 gusht 2015 Në ora: 12:42

Eksodi i shqiptarëve ka çuar deputetin Flamur Noka në Kukës, ku është pritur nga kreu i Bashkisë, Bashkim Shehu dhe më pas ka vijuar me takime me banorët e fshatrave të Shishtavecit. Partia Demokratike informon se banorët iu ankuan atyre për kushtet e vështira të jetëesës, që kanë detyruar të rinjtë të largohen duke lënë në shtëpi vetëm të moshuarit.

“Nuk kemi punë për fëmijët por as siguri për vete. Mbyllim dy dyer me çelës që të ndihemi të sigurtë. S’ka siguri këtu dhe as bukë, ndaj kemi mbetur vetëm dy pleq dhe kanë ikur fëmijët. Ka ikur i gjithë katundi. Siç e marrim pension 105 mijë lekë e shpenzojmë. Vetëm dritat 35 mijë lekë. I ndjek lajmet dhe po shoh që po gënjen popullin e shkretë. Njerëzit këtu mbledhin ca lule ti shesin dhe pak patate se s’ka kush ti punojë arat. U kemi thënë fëmijëve vetë, ikni prej këtu se nuk rrihet”, mësohet të ketë thënë një çift të moshuarish.

Një nga arsyet e tjera mësohet të jetë mbetja stok e prodhimeve bujqësore stok. “Ato pak që mbjellim nuk na shiten. Na janë kalbur dhe ua hedhim lopëve. Djemtë kanë ikur në emigrim. S’ka jetesë dhe krejt rinia ka ikur jashtë. Kemi mbetur vetëm pleq. Djalin me nusen dhe fëmijën 8 muajsh e kam qitur vetë prej dere të ikin prej këtu”, tha një e moshuar. Pronarja e dyqanit në fshatin Novesej u shpreh se banorët marrin ushqime me listë dhe ajo vetëm shtohet. “Marrin ushqime me listë dhe lista është bërë shumë e gjatë. Ja ku e kam listën dhe marrin vetëm ushqime, vaj, oriz, sheqer e makarona. Presim ti sjellin lekët”, tha shitësja e dyqanit që tregoi listën e ushqimeve të marra borxh.

Pasi ka dëgjuar këto shqetësime, deputeti Noka akuzoi qeverinë “Rama” se është fajtore për këtë realitet, i cili sipas tij paraqitet ndryshe nga ç'është autoritetet vendase. Sipas Nokës, rreth 7 mijë banorë të Kukësit, kryesisht të rinj, janë larguar për një jetë më të mirë pasi nuk kanë asnjë shpresë nën këtë qeveri. Noka tha se ata largohen kryesisht nëpërmjet Shkupit dhe Prishtinës për shkak të kostove më të lira.

“Siç e shikoni, gjendja dhe realiteti këtu në fshatrat e Kukësit është krejt ndryshe nga sa e reklamon qeveria. Këtu njerëzit janë të pashpresë. I dëgjuat vetë banorët se çfarë thanë dhe çfarë kushtesh kanë. Ky është një realitet i dhimbshëm dhe si pasojë e këtij realiteti dhe pasigurie, papunësisë e varfërisë, e skamjes dhe mjerimit, dhe çka është më e dhimbshmja si pasojë e humbjes së shpresës nga të rinjtë e këtyre zonave dhe banorëve, kuksianët janë të detyruar të braktisin pleqtë, familjet dhe të marrin rrugët e kurbetit. Shteti nuk u ka ofruar asgjë. Edhe ato dy prodhime që bëjnë nuk kanë pasur mundësi t'i shesin. As mundësi punësimi, as përkrahje nga shteti dhe janë në mes të katër rrugëve. Të braktisur e të harruar. Dhe dhimbje kanë marrë rrugët e kurbetit.

Në rast se Edi Rama dhe ministri i tij Tahiri, këto zona e fshatra i quajnë Greqi dhe banorët që kanë ikur prej këtu që janë rreth 7 mijë kuksianë, mendojnë se janë banorë që kanë ikur nga Greqia, atëherë ky është realiteti mashtrues i tyre. Realiteti që jetojnë kuksianët është ky që po themi. E vërteta është se 7 mijë banorë të pashpresë, të mjeruar, pa asnjë dritë jeshile për një të ardhme janë detyruar të marrin rrugët. Në rast se TIMS-i i tyre rezulton ndryshe është çështje e tyre sepse e kanë falsifikuar. Banorët e këtyre zonave nuk janë banorë që numërohen në avionët që nisen nga Rinasi, pasi këta banorë kanë zgjedhur rrugën më të lirë e të shpejtë nga Prishtina e Shkupi, për shkak të kostos dhe distancës më të afërt për t'u larguar nga ky vend. Ky është realiteti”, deklaroi Noka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat