Banka Botërore, 32 milionë USD për reformën në shërbimet publike

Shqipëria

Banka Botërore, 32 milionë USD për reformën në shërbimet publike

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 15:46

Banka Botërore ka miratuar një fond prej 32 milionë dollarësh për të mbështetur projektin e Qeverisë Shqiptare për modernizimin e shërbimeve publike. Lajmi konfirmohet nga një njoftim zyrtar i BB, në të cilin thuhet se Bordi i Drejtorëve Ekzekutive të BB miratoi financimin prej 32 milionë dollarësh amerikanë për “Projektin e ofrimit të shërbimeve me në qendër qytetarin”.

Reforma pritet të ndryshojë tërësisht mënyrën e dhënies së shërbimeve të administratës publike për qytetarët dhe biznesin. Të gjitha shërbimet ndaj publikut të institucioneve shtetërore, do të ofrohen në një model të ri, me sportele të grupuara. Kjo do të bëjë që të shkurtohet koha dhe të rritet cilësia e dhënies së shërbimit, sipas parimeve të shërbimit ndaj klientit, që po aplikojnë prej kohësh kompanitë e suksesshme private në vend.

Reforma synon t’i presë rrugën korrupsionit, pasi tashmë sportelet ku do të merret shërbimi nuk do të varen më nga institucionet që i prodhojnë këto shërbime. Sportelet do të funksionojnë mbi bazën e procedurave tërësisht të reja dhe të afateve kohore të përcaktuara qartë.

Projekti në fjalë është hartuar përgjatë një viti dhe në të është parashikuar deri në detaje se si do të kryhet integrimi i të gjitha shërbimeve shtetërore. Deri më tani është krijuar inventari i shërbimeve publike që ofron administrata shqiptare, është kryer kodifikimi i këtyre shërbimeve dhe po punohet për hartimin e formularëve që do të përdoren për marrjen e shërbimeve. Këta formularë do të jenë standard dhe të bazuar në një model të vetëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat