Erjon Veliaj: Tolerancë zero ndaj atyre që ndotin qytetin. Administratorët të raportojnë ndotjet

Shqipëria

Erjon Veliaj: Tolerancë zero ndaj atyre që ndotin qytetin. Administratorët të raportojnë ndotjet

Nga: Gj.K Më: 27 gusht 2015 Në ora: 15:36

Bashkia e Tiranës është e vendosur për të zbatuar masat ndëshkuese për ata që ndotin, dëmtojnë apo zaptojnë hapësirat publike të kryeqytetit.

Kështu u shpreh Kryebashkiaku Erjon Veliaj gjatë prezantimit të administratorëve të njësisë nr. 3, Ergesta Ninka, dhe njësisë nr. 4, Lirika Kasa.

“Barra financiare për të jetuar në Tiranë është zero. Mjafton të mos presësh pemë, të mos hedhësh plehrat në rrugë, të mos vandalizosh, të mos vjedhësh pusetat, të mos përdorësh makineritë e tonazhit të rëndë me baltë nëpër rrugët e Tiranës, të mos ndërtosh pa leje dhe mos t’ua ngarkosh këtë faturë qytetarëve të tjerë”, deklaroi Veliaj.

Për të siguruar që administrata është prezente në komunitet në nivel kapilar dhe jo vetëm në qendër të qytetit, ai u ka kërkuar administratoreve të njësive që të raportojnë të gjitha rastet e ndotjes dhe shkeljes së këtyre masave.

“Sot qytetarët kanë një mijë kazanë ngjyrë portokalli, të cilët nuk bën dot sikur nuk i sheh. Gjithashtu, në pesë pika qendrore të Tiranës kemi vendosur tualete publike, për këdo që ka nevoja personale. Tani që kemi zhdukur çdo alibi është shumë e rëndësishme që të zbatohet ligji”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, lista e 7 masave të bëra publike janë të bazuara në ligje dhe vendime të mëparshme, por s’janë zbatuar asnjëherë.

Ndërkaq, vetëm gjatë kësaj jave në njësinë nr.5, Policia Bashkiake ka vendosur 84 gjoba për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat, karriget, vazo lulesh, gardhe dekorative apo mjete të tjera të paligjshme, si dhe 43 gjoba të tjera për dëmtim dhe vandalizim të hapësirave publike. Gjithashtu, edhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka vendosur 45 gjoba për zënie dhe bllokime të hapësirave publike, rrugë, trotuare, apo vendosje reklamash e postera në mënyrë të paligjshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat