Tirana zyrtare e shqetësuar nga gjuha e përdorur nga Greqia/Dervishi: S’ka notë proteste, synojmë uljen e toneve

Shqipëria

Tirana zyrtare e shqetësuar nga gjuha e përdorur nga Greqia/Dervishi: S’ka notë proteste, synojmë uljen e toneve

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 15:15

Athina zyrtare nuk ka dorëzuar asnjë notë proteste në lidhje me qëndrimin e saj ndaj prishjes së Kishës në Dhërmi, madje po punohet për të ulur tonet dhe për të gjetur rrugën e komunikimit mes institucioneve të dy vendeve.
Kështu u shpreh Ambasadori shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi, i cili shpreh indinjatën e Qeverisë shqiptare në lidhje me etiketimet e përdorura nga Ministria e Jashtme greke, që e krahasoi shembjen e Kishës në Dhërmi me sulmet xhihadiste.
“Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Ministrinë e jashtme të Greqisë i ka shprehur shpjegimet dhe shqetësimet e veta sipas pikëpamjes së palës greke lidhur me ngarjet në Dhërmi. E ngarkuara jonë me punë ka shpjeguar qëndrimet e palës sonë lidhur me zhvillimet duke shprehur edhe indinjatën dhe protestën për ndërhyrjen në punët e brendshme të vendit tonë që është një çështje që absolutisht është çështje e brendshme mes komunitetit fetar dhe shtetit”, shprehet diplomati shqiptar.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë absolutisht për notë proteste por për shpjegime mes palëve lidhur me pozicionet që kemi rreth kësaj çështje.
“E ngarkuara jonë me punë shprehu qartë se është një çështje absolutisht e brendshme e Shqipërisë dhe shprehu indinjatën për gjuhën e ashpër që është përdorur në mënyrë të veçantë në deklaratën e fundit të zëdhënësit të shtypit”, tha ai.
E pyetur nëse ishte në dijeni se qeveria greke kishte dërguar shqetësimet e veta në Bruksel dhe SHBA Dervishi u përgjigj se nuk ishte në dijeni.
“Nuk mendoj se do vazhdojë me këto tone, pasi në takim u shpreh gadishmëria për të ulur tonet dhe për të gjetur mënyrën e komunikimit midis nesh, siç kemi bërë deri tani, sidomos pas takimit të fundit të ministrit të Jashtëm grek në Tiranë”, sqaron Dervishi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat