Trafiku i drogës me avion/Ristani: Tahiri të japë shpjegime, cili deputet apo ministër garantonte paprekshmërinë

Shqipëria

Trafiku i drogës me avion/Ristani: Tahiri të japë shpjegime, cili deputet apo ministër garantonte paprekshmërinë

Nga: Gjergj Koja Më: 27 gusht 2015 Në ora: 13:57

Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri se po fshihet dhe nuk po jep asnjë
shpjegim pas zbulimit që i bënë autoritetet italiane rrjetit të trafikut të drogës me avionë, dhe pas zbulimit se në krye të kësaj skeme mafioze ishte shefi i tij i Policisë në Vlorë. Sipas PD-së, ministri i Brendshëm është nën akuzë për këtë ngjarje dhe heshtja e tij vetëm sa e implikon më shumë.
PD akuzoi Tahirin se po bën propagandë me ca rrënjë kanabis, ndërkohë që lejon trafikun me avion të tonetalave bimë narkotike. “Situata është kritike dhe ortakëria me krimin ka kapur majat. Vetëm një reagim mbarëpopullor do ta pastrojë politikën dhe qeverisjen nga krimi e droga”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm demokrat Arben Ristani. Në vijim ai shtoi se qytetarët dhe opinion publik kërkojnë të dinë se ku e gjeti mbështetjen shefi i personelit të Policsë së Vlorës për të nisur avionë me drogë drejt Italisë?
“Me kë i ndante ai paratë e këtij biznesi kriminal? Cili deputet apo ministër siguronte paprekshmëri dhe garantonte këtë linjë trafiku të drogës? Si u rikthye në Policinë e Shtetit në këtë post kyç, i përjashtuari nga policia për shkak të lidhjeve me bandat? Kjo është një ngjarje tronditëse që tregon se sa pushtet ka fituar krimi në këtë vend dhe sa shumë i lidhur është me qeverinë. Pa ndërhyrjen e autoriteteve italiane, trafiku do të vazhdonte. Avionët me drogë do të fluturonin të qetë, dhe paratë do të ndaheshin e pasuritë e zyrtarëve do të shtoheshin”, tha Ristani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat