I dënuari më i lashtë shqiptar: Si sillej Nano në burg dhe lojërat që bëja me Zanin

Shqipëria

I dënuari më i lashtë shqiptar: Si sillej Nano në burg dhe lojërat që bëja me Zanin

Më: 26 gusht 2015 Në ora: 21:46

Skënder Birja është njeriu më i lashtë në burgun e Fushë ­Krujës dhe sipas drejtorisë së burgut, ka mundësi të jetë më “jetëgjati”, në kryerjen e dënimit, në të gjithë Shqipërinë. Sot është afro të 60­tave, ndërsa është dënuar me burg përjetë në vitin 1994, për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ai është një burrë i shkurtër, me tipare të çelëta, të cilat kanë nisur t’i humbasin, ashtu siç ka humbur ai në kohë. Historia e Skënder Birjas fillon në vitin 1993 në Tiranë, kur ai ishte i sapomartuar dhe nuk kishte ende fëmijë. Rreth një vit pas celebrimit, ai thotë se gjeti gruan në flagrancë me një tjetër person, e në gjaknxehtësi e sipër e goditi me thikë duke e lënë të vdekur. Ai u largua nga vendngjarja e sipas dosjes së gjykatës, u kap pas një jave në Yzberisht. “Prokurori i çështjes, Ariston Puka kërkoi dënim me vdekje. Unë dridhesha. Trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin dhe nuk më çuan në litar, por më dënuan përjetë”, tregon me gjysmë zëri Skënderi, i cili ka 21 vjet në burg.

Ai është bërë pishman për veprimin e kryer dhe ka kërkuar disa herë amnisti nga presidenti, por kurrë s’ka marrë përgjigje. Duke përfituar nga rasti, 60­vjeçari u bën apel të rinjve të ruajnë gjakftohtësinë, të mos bëjnë krime sepse burgu nuk është i lehtë, burgu i vret njerëzit.

Intervista e tij dhënë për News 24

Skënder, ti je gjykuar për vrasjen e gruas? Sa kohë kishit të martuar?

Ne kishim rreth një vit që ishim të martuar.

Kishit fëmijë?

Jo, ishim çift i ri, nuk kishim ende fëmijë.

Si ndodhi ngjarja?

Gruaja më kërkoi të shkonte disa ditë tek e ëma, që e kishte shtëpinë afër “21 Dhjetorit”. Sigurisht që për mua nuk kishte problem. Ajo më tha të shkoja ta merrja pas tri ditësh dhe unë kur erdhi koha, shkova.

Përse e vrave?

Sepse po më tradhtonte me dikë tjetër. Kur shkova ta merrja, ishte dikush tjetër me të. Mua mu errën sytë dhe fillova t’i gjuaj me thika. Kur e pashë të mbuluar me gjak, u trondita dhe ika me vrap. Që në atë moment u bëra pishman për veprimin që bëra, po ishte tepër vonë, ajo kishte vdekur.

Po sipas dosjes thuhet se thikën e përgatite përpara, pra ishte vrasje me paramendim?

Jo, kjo nuk është e vërtetë. Thikën e mbaja në punë, se isha roje në fabrikë të bukës, jo se e kisha përgatitur qëllimisht për atë. Në ato kohë Tirana kishte trazira dhe mua si roje më duhej një mbrojtje. Unë thjesht e pata çuar gruan tek nëna e saj, që të qëndronte tri ditë dhe kur shkova të shtëpia e prindërve të saj për ta marrë, e gjeta me

tjetërkënd dhe e vrava.

Po atë tjetrin pse s’e vrave?

Sepse nuk kishte faj.

Po gruaja pati faj?

Tani që kanë kaluar shumë kohë, them se edhe ajo nuk kishte faj. Atë e shtyu nëna e saj të shkonte me dikë tjetër, sepse mua nuk më donin si dhëndër. Këtë e tregon fakti se kur ndodhi ngjarja, në shtëpi kishte edhe njerëz të tjerë veç atij.

Kur u zhvillua gjyqi?

Gjyqi filloi në vitin 1994. Prokurori kërkoi dënimin tim me pushkatim. Unë u tmerrova, por të gjitha ndodhën në pak çaste. Trupi gjykues dëgjoi pretendimin e prokurorit dhe u tërhoq për të marrë një vendim. Ishin 10 minuta sa 10 vjet.

Ata më dënuan me burgim të përjetshëm. Unë u trishtova, u fika, në atë kohë nuk jepnin burgim të përhershëm, ky lloj dënimi për krime të tilla u vu në vitin 1998.

Si u ndjeve kur prokurori kërkoi pushkatim për ty?

M’u rrënqeth trupi. S’e besoja. Doja të vdisja në vend.

Të pyetën në gjykatë si ndodhi, a të dhanë të drejtë të mbroheshe?

Jo, jo fare, as s’më pyeti njeri si ndodhi. Morën parasysh vetëm fjalët e nënës së vajzës dhe të vëllait, që aso kohe ishte 7 vjeç.

I ke takuar më njerëzit e ish­gruas, apo i ke shprehur ndjesë për atë që ndodhi?

Jo, s’i kam takuar më që prej ditës së gjyqit. Ajo ishte hera e fundit që i pashë.

Çfarë ndodhi më pas, bëre ankim në Apel?

Po, shkova në Apel, por ndodhi që ata lanë në fuqi të njëjtin vendim të shkallës së parë. Kështu nisi historia ime nëpër burgje. Në fillim më çuan në Tepelenë. Kam qëndruar aty që nga viti 1994 deri më 1997. Pastaj më transferuan në Burrel dhe prej andej u hapën burgjet dhe dola.

Në Tepelenë e shihje Fatos Nanon?

Po, vinte e luante pingpong në kat të dytë me ne.

Si ishte si person?

Njeri i qetë.

Si ishte jeta e Nanos në burg, si jetonte, si mbret?

Çfarë me fol për atë (qesh).

Me Nanon ke luajtur pingpong?

Jo, jo. Ai luante me të tjerë, me djem të rinj. Unë shpërndaja ushqimin. Ai nuk e merrte ushqimin, vetëm bukën merrte ndonjëherë.

Po ndonjë person të famshëm tjetër ke takuar, meqë ke një jetë burgjeve?

Kokë shteti vetëm Fatos Nano ka qenë. Ramizin e kam parë dy herë, kur isha te 313, por s’kam pas asnjëherë kontakte me të.

Je penduar për krimin që ke kryer?

Jam bërë pishman që kam lind, jo për atë që kam bërë (përlotet). Kur ndodhi ajo situatë, mund ta ndaja gruan, t’i thosha ik shih jetën tënde, por ishte punë momenti, ndodhi në moment, unë nuk isha në vete.

Në vitin 1997 burgjet u hapën, ti dole?

Po, unë isha në Burrel në 1997. Komanda hapi dyert dhe dolëm në të dyja anët. Unë i pyeta nëse ishim lejuar të dilnim edhe ne që ishim në burg përjetë dhe ata më thanë që po, vetëm kërkuan që të mos shtyheshim e ngatërroheshim me njëritjetrin.

Ku shkuat më pas?

Një natë qëndruam te një shok në Burrel. Të nesërmen me një makinë zbritëm në Institut. Njëri prej çunave më dha 10 mijë lekë e më tha t’i kem për rrugës. Shkova në shtëpi në Kombinat, takova nënën dhe familjen dhe pas një jave ika malit për Greqi. Shkova çoban me dele. Atje punova mirë për gati një vit e gjysmë. Bëra ca lekë dhe erdha ia solla nënës, pastaj u nisa prapë për Greqi.

E dije që ishte bërë amnisti nga presidenti në atë kohë e po të ktheheshe në burg të hiqej dënimi përjetë?

Po ta kisha ditur, s’do kisha ikur fare nga burgu, po ata na thanë dil. Unë isha nëpër male me bagëti e nuk kisha ku të mësoja për amnistinë. Edhe tani po të më thonë burgu u hap, dil, unë s’dal më prej këtu.

Pastaj çfarë ndodhi, kur u arrestove?

Kur mori Flamur Pisli autobusin peng, filloi operacioni “FSHESA”, më kapën në kufi mua dhe dy të tjerë. Neve si të dënuar na kishin shpallur në kërkim. Ne nuk u arratisëm, na hapën dyert vetë.

Më pas rikthimi në Burrel, u njohe me Zani Çaushin, e takoje?

Me Zanin luaja futboll. Unë isha punëtor i burgut dhe i njihja të gjithë. Zani më thërriste sa herë të luaja me ta, por më copëtonte nga këmbët dhe unë i thosha shpesh që nuk do luaja, por ai më merrte me të mira. Më thoshte, hap frigoriferin ha ç’të duash.

Ka grindje në burgje?

Në burgje ka plot grindje. Në burg të Burrelit ka pas sherr me thika me karrige. Kam qëndruar dhjetë vite në Burrel, çfarë nuk kam parë.

Çfarë njerëzish ke?

Kisha nënën, por tri vite më parë më vdiq. Kam një vëlla të paralizuar. Kemi qenë dy vëllezër, por që kur vdiq nëna, nuk bëhemi më. Ata kanë jetën e vet, nipat janë rritur, nuk dua t’i prish punë apo të merakosen për mua. Unë i prisha jetën familjes sime, nënës sime që më qante për së gjalli. E kuptoj tërheqjen e tyre, me të drejtë e kanë.

Nëse ndodh të lirohesh, ke shtëpi ku të qëndrosh?

Po, kam dhomën time në shtëpinë ku jeton vëllai.

Vjen njeri t’ju takojë?

Jo, jo nuk më vjen kush. Që kur më vdiq, nëna s’kam më asnjë takim.

Ishe në varrimin e nënës?

Jo, nuk isha e nëse ka ndonjë gjë që e kam peng, ishte t’i hidhja një grusht dhe nënës që më lindi dhe më duroi, që vuajti aq shumë sa shpirti e saj e di. Është e rëndë për një nënë të shohë fëmijën në burg, e akoma më e rëndë kur e di që ai s’do shohë më kurrë liri. Në varrim nuk isha se drejtori më kërkoi certifikatën e vdekjes. Nuk kisha ku ta gjeja, s’ma sillte kush dhe më la pa shkuar.

Si është dita jote këtu?

Ngrihem në mëngjes, ndez televizorin. Pi një kafe, ndërrohet turni dhe dal në punë. Më pas vij në dhomë e shtrihem, çlodh kockat.

Ti çfarë pune bën këtu?

Punoj në mirëmbajtje në oborr, nuk mund të rri dot gjithë ditën kot. Kam punuar prej vitesh. Është më mirë se të zhytesh në qeli.

E di që përfiton nga puna në burg?

Po e di dhe shpresoj që nëse presidenti do ma heqë dënimin e përjetshëm, të më ulen edhe ditët e punës në burg e të dal. Unë, tani jam 60 vjeç, i penduar për atë që kam bërë, nuk paraqes rrezikshmëri në shoqëri, e sot kjo vepër dënohet me 35 vjet heqje lirie, ndaj pres dhe kërkoj që dikush të më ndihmojë. Mua më kanë harruar në burg.

Vetëm je në qeli?

Po, tani jam vetëm. Shokun që kisha e transferuan.

Me të burgosurit e tjerë ke konflikte?

Jo, me asnjë. Në të gjitha burgjet në Shqipëri s’kam pasur asnjë problem. Jam sjellë mirë me shokët, me komandën.

Po për VIPat e burgut, kapobandat, çfarë na thua?

S’ka kapobanda këtu. Në sektor bashkëjetojmë me njëritjetrin. Si i forti, si i dobëti, njësoj janë.

Si sillen të dënuarit me ty? Kush sillet më mirë?

Shumë mirë sillen të gjithë. Është Kostandin Xhuvani, sillet mirë me mua. Pavarësisht se çfarë i ka ndodhur, ai më

trajton mirë. Ai më blen ndonjë paketë. Unë nuk e pyes kurrë çfarë i ka ndodhur, këtu të gjithëve na ka ndodhur diçka.

Ndjejnë keqardhje të dënuarit për ty?

Po u vjen keq, e shprehin me fjalë.

Cigare pi?

Po, pi.

Ke ndonjë mik që të sjell ndonjë paketë cigare?

Jo, s’kam askënd.

Po shokë fëmijërie ke?

Miqtë e mi janë bërë doktorë. Unë mbeta në burg.

Lekët për cigare në burg ku i gjen?

M’i japin shokët. Më blinte duhan Lulzim Berisha. Sot më blejnë të tjerë. Të gjithë më ndihmojnë.

Kur bëhen festat, kush qeras. Ai që ka më shumë lekë?

Shokët. Ndonjëherë edhe komanda. Po unë nuk ha shumë se vuaj nga stomaku. Edhe edukimi interesohet për ne, që kemi probleme ekonomike.

Ushqimi i burgut si është?

I mirë, por unë s’e ha. E gatuaj vetë, se jam i sëmurë në stomak. Kam shtatë vite që vuaj. Marr mjekim.

Kur ke mundësi të flasësh në telefon, kë merr?

Telefon burgu? Këtë ‘Vodafonin’? Unë nuk di të përdor telefon. Po të ishte nëna gjallë, atë do merrja.

Çfarë është gjëja që të sjell kënaqësi në burg?

Puna. Vetëm puna. Kam punuar në minierë, në fabrikë të bukës, të qelqit. 15 vjet kam punuar jashtë. 15 vjet punë

kam këtu në burg. Ajo që më ndodhi mua, mos i ndodhtë njeriu.

Ke ndonjë apel për të rinjtë?

Po sigurisht, u them mos bëni krime. I thashë njërit mos bëj më vjedhje. I ri je, nuk është mirë burgu. Ju që jeni të rinj, s’duhet të vini në burg. Burgu është i tmerrshëm. Është vetmi, është dënim shpirti.

Kur e sheh Tiranën tani në televizor si duket?

Tirana vetëm pallate ka. S’ka asgjë nga ato që kam lënë unë.

Ke ndonjë pishman?

S’do ta vrisja gruan kurrë. Më ka ardhur keq që kur e vrava. Ishte veprim i nxituar. Shtetit i kërkoj të kthejë sytë nga unë. Më vjen keq për çfarë kam bërë. Kërkoj falje. Gruan e vrava, humba jetën time, shkatërrova familjen, shtëpinë, çdo gjë. Unë të isha 10 minuta më mbrapa, nuk do e kisha bërë.

Çfarë shpreson?

Shpresa ime është të dal dhe unë të shikoj 5 ditë të bardha.

Ke bërë kërkesë te presidenti?

Po, kam bërë kërkesë të presidenti, por përgjigja në vendnumëro.

Nëse lirohesh, çfarë mund të bësh?

Unë do t’i përkushtohem punës. Dua të shoh jetë me sy.

Po këtë vit do bësh kërkesë të presidenti?

Po, do t’i bëj.

Je me shkollë fillore, di të lexosh?

Eh mezi lexoj, po tani më kanë lënë edhe sytë. Shoh vetëm filma edukativë.

E di kush është kryeministër?

Po, ndjek lajmet çdo darkë, e di kush është presidenti, kryeministri…

Qan ndonjëherë?

Qaj aq shumë sa nuk e merr me mend…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat