Paloka: Kurrë koalicion me LSI-në

Shqipëria

Paloka: Kurrë koalicion me LSI-në

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 09:06

Një debat më së shumti mediatik është përhapur pas 21 qershorit lidhur me koalicione të mundshme majtas e djathtas në spektrin politik. Në një prononcim per ABC News, nënkryetari i PD-së Edi Paloka, mohoi çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke e akuzuar si autore të shitblerjes së votave.

LSI-në, siç thotë Edi Paloka, nuk e shohin dot me sy e jo më të bëjnë koalicion me të.

“Debatet janë vetëm në media. LSI, absolutisht është partia që më shumë se kushdo tjetër ka dëmtuar votën e lirë dhe demokracinë shqiptare. Kështu që nuk besoj se dikush duhet të ketë iluzionin që PD-ja do të bashkëpunojë me LSI-në, si një parti që është damkosur tashmë si armike e votës së lirë.

Kështu nëse dikush është duke besuar apo pritur me padurim rikthimin e një koalicioni të mundshëm mes demokratëve dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, asnjë mundësi për një të tillë nuk ekziston”, pohoi për “ABC News”, nënkryetari demokrat, Edi Paloka.

Edhe rreth një koalicioni të mundshëm PD-PS, Paloka tha se edhe kjo është e pamundur. “Kemi bërë të qartë që janë pjesë e një të keqeje të madhe…”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat