Qeveria rrit fondin për kompensimin e pronarëve

Shqipëria

Qeveria rrit fondin për kompensimin e pronarëve

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 07:49

Qeveria rrit me 600 milionë lekë fondin për kompensimin e ish-pronarëve. Vendimi i ekzekutivit është parashikuar në ndryshimet e bëra në buxhetin e shtetit për vitin 2015. Ndërsa të gjithë zërat e tjerë të buxhetit kanë ndryshuar me rënie, fondi për ish-pronarët, nga 1.4 miliardë që ishte parashikuar fillimisht në buxhet, shkon në dy miliardë lekë. Këshilli i Ministrave, nëpërmjet Aktit Normativ që sjell ndryshimet në buxhetin e këtij viti, ka parashikuar dhe uljen e të ardhurave dhe shpenzimeve për këtë vit kjo për shkak të mosrealizimit të pritshmërive në mbledhjen e të ardhurave tatimore.

Ndryshimet në buxhet

Fondi për kompensimin e pronarëve do të rritet me 600 milionë lekë dhe arrin në 2 miliardë lekë. Shtesa në fond nuk është rritje nga transferta në buxhetin e shtetit, por nga të ardhura të tjera që sigurohen kryesisht nga procesi i legalizimit. Referuar buxhetit të rishikuar të vitit 2015, fondi për kompensimin e pronarëve do të marrë nga arka e shtetit 400 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër 1.6 miliardë lekë do të jenë të ardhura të tjera. Ndryshimi në vlerën e parashikuar për kompensimin e pronarëve është miratuar në buxhetin e rishikuar të vitit 2015, ku pothuajse të gjithë zërat e tjerë buxhetorë janë rishikuar me rënie. Kështu, sipas Aktit Normativ të miratuar nga qeveria, i cili sjell dhe ndryshimet në buxhet, është parashikuar një ulje e të ardhurave me 16.25 miliardë lekë. Akti Normativ parashikon gjithashtu që edhe shpenzimet të ulen po në të njëjtin nivel, çka do të sjellë ulje të investimeve për periudhën e mbetur të vitit. Konkretisht niveli i të ardhurave nga 414 miliardë e 469 milionë lekë që ishte parashikuar, zbret në 398 miliardë e 210 milionë lekë.

Shpenzimet e parashikuara nga Qeveria në fillim të vitit në 472 miliardë e 697 milionë lekë, do të ulen në 456 miliardë e 437 milionë lekë. Ndërkohë që deficiti buxhetor ndryshon me rënie vetëm 1 milion lekë. Sa u përket shpenzimeve të ndara sipas grupeve, me ndryshimet e bëra vihet re një ulje e shpenzimeve të buxhetit qendror nga 360.6 miliardë lekë në 347.2 miliardë lekë. Ndërkohë që nuk ndryshojnë parashikimet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, të cilat janë parashikuar 20 miliardë lekë. Sa i përket shlyerjes së huadhënies për energjinë ndryshimet në buxhet sjellin uljen e saj me 2 miliardë lekë. Zëri kryesor që sjell uljen e shpenzimeve duket se është mosrealizimi i të ardhurave nga tatimet. Buxheti për vitin 2015 i miratuar në nëntorin e vitit të kaluar, parashikonte që të ardhurat tatimore të ishin 294 miliardë e 717 milionë lekë, por shifrat e 6-mujorit të parë të këtij viti treguan se tatimet dhe doganat kanë sjellë 13.4 miliardë lekë më pak se pritshmëritë çka bën që edhe parashikimi i të ardhurave për në fund të vitit të ndryshojë me ulje.

Me ndryshimet e bëra prishmëritë për realizimin e të ardhurave tatimore ulen me 22.3 miliardë lekë. Ndërkohë që parashikohet një rritje e të ardhurave jotatimore nga 25.4 miliardë lekë në 30.6 miliardë lekë. Akti Normativ i qeverisë i miratuar më 29 korrik duhet të marrë miratimin e kuvendit brenda 45 ditëve në rast të kundërt humbet fuqinë që nga fillimi. “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”, - thuhet në nenin 101 të Kushtetutës çka detyron kuvendin që me nisjen e sesionit të ri parlamentar, në shtator të miratojë ndryshimet në buxhetin e vitit 2015.

Rriten fondet e qeverisë për vendorët

Ndryshimet buxhetore parashikojnë në rritje te transfertave nga buxheti qendror drejt atij vendor. Kështu, ndërsa në buxhetin fillestar ishte parashikuar që këto transferta të ishin 24.6 miliardë lekë, me ndryshimet e bëra me Aktin Normativ, ky zë shkon në 24.8 miliardë lekë. Ndërkohë që ulen prishmëritë për realizimin e të ardhurave nga pushteti vendor, nga 41.2 miliardë lekë e parashikuar, në 40.3 miliardë lekë. Mbeten të pandryshuara pritshmëritë për të ardhurat e tjera. Ulje me 830 milionë pësojnë dhe shpenzimet e pushtetit vendor që nga 41 miliardë e 207 milionë lekë të parashikuara fillimisht, shkojnë në 40 miliardë e 377 milionë lekë.

Ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2015

Të ardhurat/ Buxheti për vitin 2015 është:

Ishte

Të ardhurat 414 469 milionë lekë;

Shpenzimet 472 697 milionë lekë;

Deficiti 58 228 milionë lekë.

Bëhet

Të ardhurat 398 210 milionë lekë;

Shpenzimet 456 437 milionë lekë;

Deficiti 58 227 milionë lekë.

Buxheti vendor për vitin 2015 është:

Ishte

Të ardhurat 41 207 milionë lekë;

Nga të cilat:

Transfertat nga buxheti qendror 24 644 milionë lekë;

Të ardhura të tjera 16 563 milionë lekë;

Shpenzimet 41 207 milionë lekë

Bëhet

Të ardhurat 40 377 milionë lekë;

Nga të cilat:

Transfertë nga buxheti qendror 24 814 milionë lekë;

Të ardhura të tjera 15 563 milionë lekë;

Shpenzimet 40 377 milionë lekë.

Të ardhurat e Buxhetit të Shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:

Ishte

Grantet 12 000 milionë lekë;

Të ardhurat tatimore 294 717 milionë lekë;

Të ardhurat jotatimore 25 400 milionë lekë.

Bëhet

Grantet 12 000 milionë lekë;

Të ardhurat tatimore 272 358 milionë lekë;

Të ardhurat jotatimore 30 600 milionë lekë.

Shpenzimet

Shpenzimet e Buxhetit të Shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:

Ishte

Shpenzime të buxhetit qendror 360 645 milionë lekë;

Fondi rezervë dhe kontingjenca 6 700 milionë lekë;

Detyrimet e prapambetura 20 000 milionë lekë;

Huadhënie për energjinë 3 000 milionë lekë.

Bëhet

Shpenzime të buxhetit qendror 347 233milionë lekë;

Fondi rezervë dhe kontingjenca 4 952 milionë lekë;

Detyrimet prapambetura 20 000 milionë lekë;

Huadhënie për energjinë 1 000 milionë lekë.

Pronarët

Ishte

Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve për vitin 2015 është:

Të ardhurat, gjithsej, 1 400 milionë lekë;

Nga të cilat:

- të ardhura të tjera 1 000 milionë lekë;

- transferimet nga Buxheti i Shtetit 400 milionë lekë;

Shpenzimet 1 400 milionë lekë.

Bëhet

Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve për vitin 2015 është:

Të ardhurat, gjithsej 2 000 milionë lekë;

Nga të cilat:

- të ardhura të tjera 1 600 milionë lekë;

- transferimet nga buxheti i shtetit 400 milionë lekë;

Shpenzimet 2 000 milionë lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat