Në Gjykatë dosja për ish Guvernatorin Fullani

Shqipëria

Në Gjykatë dosja për ish Guvernatorin Fullani

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 00:45

Në Shqipëri, prokuroria e Tiranës, dërgoi sot për gjykim, në përfundim të hetimeve, ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre” lidhur me vjedhjen e Bankës dhe blerjen nga ana e saj të ish hotel Dajtit

Për rastin e skandalit të vjedhjes së afër 7 milion dollarëve, zoti Fullani konsiderohet përgjegjës pasi sipas Prokurorisë “nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e Bankës së Shqipërisë”.

Prokurorët, sipas materialit të siguruar nga Zëri i Amerikës, ngrenë cështjen e “mos-emërimit të zëvëndësguvernatorit të dytë, që ka krijuar boshllëk në kryerjen e këtij funksioni” apo dhe “mos-ushtrimin e kompetencave për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë”, vecanërisht për drejtorinë e Emisionit ku ndodhi dhe vjedhja. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Departamenti i Emisionit deri në muajin mars të vitit 2014 ka funksionuar jo me rregullore të veçantë, por me urdhrin nr. Nr.1798 datë 06.11.2001. Ky urdhër nuk përcaktonte mënyrën e përdorimit dhe administrimit të çelësave aktiv dhe kodeve të kombinatorëve numerikë, nga ana e treshes për veprim dhe asaj të arkës stok. Nisur nga këto rrethana ka përfituar dhe Ardian Bitraj, duke përvetësuar shuma të mëdha parash që gjendeshin në të dy arkat”, shkruhet në dosjen e prokurorisë.

Lidhur me rastin e ish Hotel Dajtit, i blerë nga Banka që në vitin 2010. rezulton se Këshilli Mbikqyrës i ka marrë vendim për blerje, një muaj pasi qeveria nga ana e saj kishte nxjerrë vendimin se ish-hoteli në qendër të kryeqytetit do t’i shitej pikërisht Bankës për 30 milion euro. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se Këshilli i Ministrave me datë 12.05.2010, ka nxjerrë Vendimin nr.345 , për shitjen e pronës shteterore Ish –Hotel Dajti Bankës së Shqipërise për shumën 30.000.000 euro. Këshilli Mbikqyres i Bankës së Shqipërisë me datë 16.06.2010 ka miratuar vendimin me nr.40 për blerjen e kësaj pasurie të paluajtshme në vlerën 4.148.400.000 leke ose në kundërvlerën 30.000.000 Euro. Personi nën hetim Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme”, theksohet në dosjen që ka shkuar për gjykim.

Sipas prokurorëve procedurat e prokurimit nga ana e Bankës kanë qenë thjesht formale, “për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë datë 16.06.2010, datojnë ditë më vonë se Keshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë dhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme”.

Nga hetimet rezulton se Banka nuk ka bërë asnjë vlerësim të objektit që po blinte. “Vlerësimi i ish –Hotel Dajtit , së pari është kryer nga ekspertë të kontaktuar dhe caktuar nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikes, duke mos u kryer asnjë vlerësim nga blerësi Banka e Shqiperise, përfaqësuar nga personi nën hetim dhe se ky vlerësim është bërë me metoden e fitimit, duke përllogaritur vlerën e pasurisë si një hotel, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi si hotel”, shkruhet në dosjen që është dorëzuar në Gjykatë.

Ish guvernatori, është i fundit i një liste të gjatë punonjësish dhe ish drejtuesish të Bankës qëndrore të cilët u hetuan për skandalin e vjedhjes. Për pjesën dërrmuese të tyre, gjykata e shkallës së parë është shprehur tanimë me vendime. Muajin maj autori i vjedhjes Ardian Bitraj u dënua me 20 vjet burgim, ndërsa bashkëpunëtorja e tij Mimoza Bruzia u dënua me 15 vjet. Por që të dy përfituan një ulje me një të tjerat të dënimit./Voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat