PD: Financat pranuan dështimin dhe korrupsionin, 134 mln dollarë në xhepat e ministrave

Shqipëria

PD: Financat pranuan dështimin dhe korrupsionin, 134 mln dollarë në xhepat e ministrave

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 13:50

Partia Demokratike deklaron se ministria e Financave nxorri në pah gënjeshtrat e Edi Ramës për arritjet në Tatime dhe Dogana të cilat PD i ka denoncuar më përpara.

“Më e rënda është se këto 134 milionë dollarë mungojnë në buxhet dhe kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve, e ministrave e klientelës së Edi Ramës” tha deputeti Edmond Spaho në një deklaratë për shtyp nga selia PD.

“Pranimi zyrtarisht i këtij dështimi nga Ministria e Financave ka nxjerrë në pah gënjeshtrat e Edi Ramës, i cili vetëm pak ditë më parë kur bëri bilancin, foli për arritje e suksese.

134 milionë dollarë që mund të ishin pensione të rritura, apo paga më të mira, shkolla e kopshte, rrugë të reja, ujësjellës apo rrjet i ri energjitik, rimbursim për energjinë apo ndihma ekonomike për të varfërit, nuk ekzistojnë sot sepse janë kthyer në pasuri për një grusht njerëzish e janë përdorur për të blerë vota” tha Spaho.

“PD e ka denoncuar por Edi Rama e mohoi dhe fliste për rritje e arritjes, por e vërteta doli në shesh” tha më tej deputeti demokrat Edmond Spaho.

Edmond Spaho: “Ky korrupsion galopant i ka dhënë pasojat, siç e dimë përfaqësuesi i FMN u shpreh i zhgënjyer dhe fondi monetar ka vendosur të mos lëvrojë kredinë. Edhe pse Edi Rama vendosi taksat më të larta në rajon, ai sot ka performancën më të dobët në rajon në grumbullimin e të ardhurave.

Para këtij fakti tronditës, nuk ka asnjë shenjë reflektimi. Përkundrazi, në filozofinë e Edi Ramës, fajin e ka populli.

Ai nuk ka ndërmend të ndalojë e të marrë masa për hajdutërinë e hajdutët rreth tij, por ka shpallur se do të rrënojë popullin, do ti tregojë atij burgun, me një fushatë kërbaqi që ka vendosur të nisë në shtator.

Ka ndërmend ti nxjerrë në kurriz të popullit, të ardhurat që nuk ua merr miqve të tij biznesmenë, të ardhurat që nuk ia merr klientelës së tij në dogana. Të ardhura që sigurisht i ndan me ta.

Qytetarët e këtij vendi kanë duruar shumë padrejtësi të kësaj qeverie, dhe zor se do të durojnë edhe padrejtësinë e mbulimit të korrupsionit e selektivitetit në pagimin e taksave dhe detyrimeve doganore.”

Në emër të PD-së Spaho deklaroi se se zgjidhja e vetme është ulja e taksave, një adminstratë e ndershme në tatime e dogana dhe premtoi se sapo shqiptarët tu besojnë qeverisjen opozita do ta bëjë taksën e sheshtë më të ultën në rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat