Defiçiti 13,4 mld lekë! Pikiatë Doganat dhe Tatimet

Shqipëria

Defiçiti 13,4 mld lekë! Pikiatë Doganat dhe Tatimet

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 12:23

Ky vit sipas raportimeve të qeverisë ka qenë i begatë, me rritje ekonomike 2.8 për qind më e madhja e tre viteve të fundit, me rritje të konsumit 4.7 për qind dhe me rritje të prodhimit vendas, çka i bën më të vështira argumentet për të kuptuar pse të ardhurat tatimore dhe doganore kanë marrë pikiatën.

Në fund të gjashtëmujorit të ardhurat nga administratat fiskale ishin 13.4 miliardë lekë më pak se, plani i periudhës. Sipas të dhënave të detajuar, në këtë mosrealizim 68 % është pesha e doganave (-9.1 mld lekë) dhe 32% pesha e tatimeve (-3.4 mld lekë).

Doganat mblodhën 12.2 % më pak se, plani me 9,1 miliardë lekë të munguara. Por nëse marrim në konsideratë faktin se, plani i doganave mund të ketë qenë i ekzagjeruar këtë vit, administrata doganore ka grumbulluar 6 për qind më pak se fakti i 2014.

Sipas të dhënave të detajuara mësohet se, mosrealizimi më i madh erdhi nga renta minerare, me gati 30 % më pak se, parashikimi dhe 52 % më pak se, fakti i 2014.

Arsyet e dhëna më parë nga Ministria e Financave lidhen me rënien e çmimeve të naftës dhe metaleve në tregjet ndërkombëtare, në bazë të cilave vilet renta. Për pasojë çmimet e ulta sjellin më pak rente. Por Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të publikuar pak kohë më parë zbuloi se, abuzimet me përllogaritjen e rentës minerare me nivele më të ulta se, referenca në doganat shqiptare gjatë vitit që shkoi shënoi mbi 23 milionë euro.

Gjithashtu të ardhurat nga doganat shënuan dobësi të theksuar në arkëtimin e akcizës, në raport me planin, duke grumbulluar 24 për qind më pak se plani ose 5.6 miliardë lek në vlerë neto më pak se plani edhe pse akciza vijoi të rritet përgjatë vitit 2015, si për cigaren me 20 lekë për paketë si për naftën 12 lekë për litër. Në vlerë absolute të ardhurat nga akciza në doganë u rritën me 1 miliardë lekë ose 7%.

Rënie pësoi edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që sipas ekspertëve të financave ka ardhur nga ulja e importeve të energjisë. Por ky kontribut në rënie është zëvendësuar nga fakti se, CEZ dhe KESH kanë paguar më shumë TVSH nga tatimet e brendshme duke e tejkaluar hendekun e krijuar nga mungesa e TVSH në doganë. Nga ana tjetër, ulja e importeve të energjisë është kompensuar nga më shumë prodhim vendas, teksa konsumi nuk vlerësohet të jetë ulur.

Ndërsa tatimet, duket se, janë më mirë krahasuar me vitin e kaluar, duke pësuar rritje 8 për qind me faktin e 2014, por për shkak të rritjes së tatimit mbi dividendin në 15 për qind dhe rritjes së akcizës, ministria e Financave programoi një plan më të lartë të cilin tatimet këtë gjashtëmujor nuk e kanë realizuar me 7.3% ose 4.3 miliardë lekë më pak.

Vështirësia ka ardhur pikërisht në taksat e rritura, si tatimi mbi të ardhurat personale, ku tatimi mbi dividendin, qiratë dhe të ardhurat e tjera përveç pagës, u rrit nga 10 në 15 %. Por të ardhurat nga këto tatime ishin 22% për qind më pak se plani i gjashtëmujorit, ndërkohë që dobësi u panë edhe në arkëtimin e taksave nacionale ku rezultuan 12% më pak të ardhura, krahasuar me planin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat