Rritja e pensioneve, hyn në fuqi vendimi i qeverisë

Shqipëria

Rritja e pensioneve, hyn në fuqi vendimi i qeverisë

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 09:05

Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave do të përfitojnë rritje pensioni në masën 1.4 për qind, 599 364 pensionistë, përkatësisht 453 511 pensionistë që jetojnë në qytet dhe 145 800 që jetojnë në fshat. Gjithashtu, përfitues nga ky vendim janë edhe 32 800 persona të tjerë që marrin pensione të parakohshme suplementare, si ish-ushtarakët, policët dhe punonjësit e Gardës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, si edhe ata që marrin trajtime të veçanta, si ish-punonjësit e nëntokës, të industrisë ushtarake, ish-pilotët, ish-ushtarakët e nëndetëseve. Efektet financiare të rritjes kanë nisur nga data 1 gusht.

Rritja e pensioneve

Vendimi i qeverisë përcakton që pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare në qytet, si edhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, pas datës 1.8.2015 nuk do të jenë më pak se 12 436 lekë në muaj. Ndërkohë që pensionet maksimale në qytet për këto kategori nuk mund të jenë më shumë se 24 872 lekë në muaj. Edhe pensionet e parakohshme të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, nuk do të jenë më pak se 12 436 lekë në muaj.

Këto kategori do të vazhdojnë të marrin kompensimin e çmimeve dhe kompensimin e të ardhurave mujore sipas vendimeve ekzistuese. Ndërkohë që edhe përfituesit e pensioneve dhe të ardhurave, të caktuara sipas ligjeve nr. 4171, nr. 4976, nr. 7703 dhe nr. 150, edhe pas indeksimit të pensionit, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e çmimeve dhe kompensimin e të ardhurave mujore, sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimet ekzistuese të qeverisë.

Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet ekzistuese të qeverisë do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione me datë fillimi deri më 31.12.2014, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve të jetë: deri në 14 086 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe ato të caktuara me ligjin e miratuar një vit më parë për minatorët e nëntokës; deri në 13 586 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare dhe deri në 9 206 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas ligjit nr. 7703 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kompensimet për të ardhura mujore do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme, me datë fillimi deri më 31.7.2015 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimi i të ardhurave të jetë deri në 14 086 lekë në muaj.

Të ardhurat minimale

Pas datës 1.8.2015 të ardhurat minimale të pensionistëve në qytet, por edhe të minatorëve të nëntokës, nuk mund të jenë më të ulëta se 14 586 lekë në muaj; të pensionistëve në fshat nuk mund të jenë më të ulëta se

9 406 lekë në muaj dhe më të larta se 12 636 lekë në muaj dhe të personave, që përfitojnë pensione të

parakohshme për vjetërsi shërbimi nuk mund të jenë më të ulëta se 14 586 lekë në muaj. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 568 milionë do të përballohen nga fondi i kontingjencës, i parashikuar në buxhetin e shtetit të vitit 2015. 554 milionë lekë të këtij fondi do të përdoren për të mbuluar pagesat e pensioneve dhe 14 milionë lekë do të përdoren për procedurat teknike si edhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a.

Të vetëpunësuarit, rritet masa e kontributit

Rritet masa e kontributit për disa kategori të vetëpunësuarish. Sipas vendimit të qeverisë, i cili ka hyrë në fuqi dje përcaktohet se për të vetëpunësuarit në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, kontributi minimal mujor që duhet të paguajnë do të jetë 4 696 lekë nga 4 246 lekë që ka qenë. Për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, punëdhënësi duhet të deklarojë dhe të paguajë kontribut minimal mujor në shumën 3 948 lekë nga 3 498 lekë që ka qenë.

Ndërsa të vetëpunësuarit në bujqësi duhet të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore në masën 38 400 lekë nga 33 000 lekë që ka qenë, me përjashtim të të vetëpunësuarve që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 29 400 lekë nga 25 300 lekë që ka qenë. E ardhura për barrëlindje për gratë të cilat periudhën e sigurimit për efekt të përfitimit të barrëlindjes e kanë si persona të vetëpunësuar në bujqësi ose kanë më shumë se 6 muaj të periudhës së fundit të sigurimit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë, si persona të vetëpunësuar në bujqësi, duke filluar nga data 1.8.2015, e në vazhdim, do të jetë 8 516 lekë në muaj nga 8 398 lekë në muaj që ishte më parë.

Rritja e pensioneve nga data 1.8.2015

Pensionet minimale në qytet

Ishte 12246 lekë në muaj

Bëhet 12 436 lekë në muaj

Pensionet maksimale në qytet

Ishte 24528 lekë në muaj

Bëhet 24 872 lekë në muaj

Pensionet minimale në fshat

Ishte 8398 lekë në muaj

Bëhet 8 516 lekë në muaj

Pensionet maksimale në fshat

Ishte 12246 lekë në muaj

Bëhet 12 436 lekë në muaj

Të ardhurat minimale në qytet

Ishte 14 414 lekë në muaj

Bëhet 14 586 lekë në muaj

Të ardhurat minimale në fshat

Ishte 9288 lekë në muaj

Bëhet 9 406 lekë në muaj

Të ardhurat maksimale në fshat

Ishte 12464 lekë në muaj

Bëhet 14 586 lekë në muaj.

Rritja e pensioneve për veteranët

Veteranët që luftuan në formacione luftarake të çdo rangu, të inkuadruar përpara datës 10.7.1943

Ishte 3 383 lekë në muaj - Bëhet 3 911 lekë në muaj.

Veteranët që luftuan në formacione luftarake të çdo rangu, të inkuadruar në këto informacione në periudhën 11.7.1943 deri në 24.5.1944

Ishte 3 132 lekë në muaj - Bëhet 2 709 lekë në muaj.

Veteranët që luftuan në formacione luftarake të çdo rangu inkuadruar në këto informacione në periudhën 25.5.1944 deri në 28.11.1944

Ishte 2 255 lekë në muaj - Bëhet 2 607 lekë në muaj.

Veteranët e inkuadruar në formacionet luftarake pas datës 28.11.1944 dhe që vazhduan luftën jashtë kufirit të atdheut

Ishte 676 lekë në muaj - Bëhet 781 lekë në muaj.

Të burgosurit në burgjet nazifashiste brenda dhe jashtë vendit, për kohën e vuajtjes në burg mbi 6 muaj

Ishte 1127 lekë në muaj - Bëhet 1 303 lekë në muaj.

Të burgosurit brenda dhe jashtë vendit për kohën e vuajtjes në burg nga 1 deri në 6 muaj

Ishte 678 lekë në muaj – Bëhet 784 lekë në muaj.

Të internuarit në kampet nazifashiste të përqendrimit, përveç shpërblimit të veteranit marrin edhe shpërblimin e invalidit të Luftës, të grupit të parë.

Ishte 3 383 lekë në muaj – Bëhet 3 911 lekë në muaj.

Të internuarit në kampet e internimit, brenda dhe jashtë vendit që kanë qëndruar mbi 6 muaj në këto burgje

Ishte 2 255 lekë në muaj – Bëhet 2 607 lekë në muaj.

Veteranët e plagosur në luftë, që nuk përfitojnë statusin e invalidit të luftës

Ishte 1 303 lekë në muaj – Bëhet 1 127 lekë në muaj.

Rriten me 15.6 për qind pensionet e veteranëve

Nga data 1 gusht veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare përfitojnë 15.6 për qind rritje të pensionit. Vendimi i marrë pak ditë më parë nga qeveria hyri dje në fuqi duke mundësuar kështu rritje të pensioneve për 6648 veteranë. Sipas vendimit të ekzekutivit përfitojnë nga ky vendim 9 kategori veteranësh. Përkatësisht shpërblimi mbi pensionin e pleqërisë për veteranët që luftuan në formacione luftarake të çdo rangu kundër pushtuesve nazifashiste, të inkuadruar përpara datës 10.7.1943, nga 3 383 lekë bëhet 3 911 lekë në muaj.

Veteranët që luftuan në formacione luftarake të çdo rangu kundër pushtuesve nazifashistë, të inkuadruar në këto informacione në periudhën 11.7.1943 deri në 24.5.1944 do të marrin si shpërblim 3 132 lekë në muaj nga 2 709 lekë që merrnin deri tani ndërsa veteranët që luftuan në formacione luftarake të çdo rangu inkuadruar në këto informacione në periudhën 25.5.1944 deri në 28.11.1944 dhe fitonin si shpërblim 2 255 lekë në muaj tani do të marrin 2 607 lekë në muaj.

Shpërblimi për veteranët e inkuadruar në formacionet luftarake pas datës 28.11.1944 dhe që vazhduan luftën jashtë kufirit të atdheut, nga 676 lekë bëhet 781 lekë në muaj në një kohë që shpërblimi për të burgosurit në burgjet nazifashiste brenda dhe jashtë vendit, për kohën e vuajtjes në burg mbi 6 muaj, nga 1127 lekë bëhet 1 303 lekë në muaj. Të burgosurit në burgjet nazifashiste brenda dhe jashtë vendit për kohën e vuajtjes në burg nga 1 deri në 6 muaj merrnin deri më sot 678 lekë në muaj. Nga 1 gushti do të marrin 784 lekë në muaj. Të internuarit në kampet nazifashiste të përqendrimit, përveç shpërblimit të veteranit marrin edhe shpërblimin e invalidit të Luftës, të grupit të parë. Ky shpërblim deri tani ka qenë 3 383 lekë ndërsa me vendimin e djeshëm të qeverisë bëhet 3 911 lekë në muaj.

Ndërsa të internuarit në kampet e internimit, brenda dhe jashtë vendit që shpërblehen me dyfishin e masës së shpërblimit që përfitojnë ish-të burgosurit në burgjet nazifashiste, që kanë qëndruar mbi 6 muaj në këto burgje, deri tani kanë përfituar 2 255 lekë ndërsa nga 1 gushti do të përfitojnë 2 607 lekë në muaj. Kategoria e fundit e përfituesve janë veteranët e plagosur në luftë, që nuk përfitojnë statusin e invalidit të luftës, përveç shpërblimit mujor të veteranit të cilët tashmë do të marrin shtesë 1 303 lekë në muaj nga 1 127 lekë që e ishte deri tani. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përllogariten në shumën 16 600 mije lekë dhe do të përballohen nga Fondi i Kontigjencës, të parashikuara në Buxhetin e Shtetit të vitit 2015. Efektet financiare të këtij vendimi nisin nga data 1 gusht 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat