Veliaj: 4 muaj afat firmave të pastrimit të Tiranës

Shqipëria

Veliaj: 4 muaj afat firmave të pastrimit të Tiranës

Më: 4 gusht 2015 Në ora: 08:54

“Nëse qytetarët e një lagjeje japin notë të mirë për pastrimin, do vazhdojmë bashkëpunimin me kompaninë, në të kundërt kontrata jonë nuk do vazhdojë”.

Që në orët e para të ditës së djeshme, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi në sheshin “Nënë Tereza” operatorët e pastrimit të Tiranës dhe gjithë kapacitetet njerëzore dhe teknologjike të tyre, ku ka shpallur atë që ai e quajti si “luftën kundër zhulit”. “Duhet t’u shpallim një luftë gjithë plehrave dhe zhulit në Tiranë. Lufta në këtë rast nuk bëhet me tanke dhe me blinda, por me punë nga secili prej jush”, – tha kreu i Bashkisë, Veliaj, në fjalën e vet.

Ai gjithashtu iu la 4 muaj afat të gjitha kompanive të pastrimit për të vlerësuar në bazë të rezultateve që do arrijnë në drejtim të pastrimit të Tiranës, nëse do të vazhdojnë apo jo kontratat e lidhura nga bashkia e mëparshme. Për të bërë këtë vlerësim, ai ka theksuar se Bashkia do të kryejë në çdo lagje sondazhet e veta duke pyetur qytetarët nëse janë të kënaqur nga shërbimi i ofruar në pastrim apo jo.“Ua bëra me dije firmave të pastrimit që tani do vendosin qytetarët për pastrimin dhe jo kryetarët e baskisë. Nëse qytetarët e një lagjeje japin notë të mirë për pastrimin, do vazhdojmë bashkëpunimin me kompaninë, në të kundërt kontrata jonë nuk do vazhdojë.

Prandaj ju thashë që tani që është fillim gushti dhe keni kohë deri në dhjetor. Secili prej jush e ka në dorë vetë punën. Nëse kjo nuk ndodh, unë i pari do të iki. Nuk dua që asnjë prej jush të humbasë kontratën në dhjetor, por kjo varet nga ju”, – tha Veliaj.

Ai deklaroi se është i vendosur që këtë betejë si kryetar i Bashkisë së Tiranës ta fitojë. Ndaj dhe ka kërkuar nga çdo punonjës pastrimi apo i ndërmarrjeve të ndryshme të Bashkisë që ta bëjnë sa më mirë punën e tyre. “Unë kam ndërmend të dal faqebardhë nga kjo luftë dhe do ta fitoj këtë luftë. Standardi për Tiranën është të jetë qyteti më i pastër në Ballkan, jo në Shqipëri.

Tirana nuk mund të jetë kryeqytet i zhulsit, shqiptarët nuk janë pisanjosë. Kurajë dhe ju uroj punë të mbarë. Ky nuk mund të jetë qyteti më i papastër në Shqipëri, nga sot policia bashkiake është në dispozicionin tuaj, por edhe INUV, që ta bëjnë punën tuaj më të lehtë.

Nëse institucione të tjera të Bashkisë ju pengojnë punën tuaj, atëherë do t’i raportoni menjëherë. Në fund të gushtit do bëj sondazhin e parë dhe dua të ketë një standard më të lartë nga ai që kemi pasur deri tani. Ju jeni aleatë me qytetarët, nuk jeni aty të merrni një rrogë”, – u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku gjithashtu ka bërë të ditur se duke filluar që sot (dje), ai vetë personalisht do të shkojë në çdo cep të Tiranës për të ndjekur nga afër sesi po shkon ky aksion. “Unë personalisht, siç do shkoj në çdo linjë autobusi me 24 administratorë, do shkoj në çdo cep të Tiranës për të parë pastrimin. Ta fillojmë betejën që sot; në luftën tradicionale shkonin me tanke me blinda, ne do shkojmë me fshesa me bote me makina teknologjike”, – tha Veliaj ndërsa paralajmëroi gjithashtu se në shtator do të nisë një aksion qytetar për pastrimin e Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat