“Unaza e madhe”, IKMT: 160 objekte do të prishen gjatë gushtit

Shqipëria

“Unaza e madhe”, IKMT: 160 objekte do të prishen gjatë gushtit

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 18:35

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vijon punën për prishjen e objekteve të ndërtuara në gjurmën ku do të kalojë “Unaza e madhe” në kryeqytet. Sipas kreut të këtij inspektorati, Dallëndyshe Bici, janë 160 objekte gjithsej që do të prishen.

“Punën e kemi ndarë në dy grupe. Grupi i parë ka filluar punën nga ‘Komuna e Parisit’ në drejtim të ‘shkollës teknologjike’, ku pjesa më e madhe e objekteve është prishur. Ka ngelur vetëm një numër i vogël objektesh, që presin të trajtohen me Këshillin Bashkiak të Bashkisë së re të Tiranës. Grupi tjetër ka nisur nga ‘pallati me shigjeta’ në drejtim të Doganës. Deri tani janë prishur mbi 70 objekte, ndërsa lista e objekteve që kemi ne në planin tonë të punës, kap shifrën prej 160 objektesh”, është shprehur Dallëndyshe Bici.

Bici shpjegon se nuk ka asnjë diferencim të objekteve, që janë planifikuar për t’u prishur, dhe se secili prej tyre është duke u trajtuar në bazë të ligjit.

“Ka pasur objekte që kanë funksionuar si objekte shërbimi dhe në katet më të larta si objekte banimi. Jemi siguruar që këto objekte të jenë trajtuar sipas statusit të tyre ligjor që kanë pasur. Rezistencë përgjithësisht nuk kemi pasur, por edhe në raste të veçanta palët e tjera e kanë mirëkuptuar hapjen e këtij segmenti, që përbën një nga projektet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Të gjithë janë trajtuar sipas statusit të tyre ligjor. Nuk ka pasur diferencim apo ndryshim nga njëri objekt te tjetri. Kjo ka ardhur për shkak se ne kemi bërë një verifikim prej muajsh në terren të çdo subjekti, i cili më pas i është nënshtruar prishjes”, theksoi më tej Dallëndyshe Bici.

Në lidhje me fillimin e punimeve për ndërtimin e “Unazës së madhe”, nga kompania që ka marrë përsipër zbatimin e projektit, kreu i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit tha se gjithçka është koordinuar në mënyrë që të punohet paralelisht.

“Puna është alternuar shumë mirë me firmën zbatuese. Me lirimin e objekteve ata kanë një terren të mjaftueshëm për të punuar. Kemi alternuar gjithçka për vazhdimin e punës nga firma zbatuese, e përcaktuar për ndërtimin e ‘Unazës së madhe’”, tha Bici.

Aksioni në gjurmën e “Unazës së madhe” ka nisur që prej 3 javësh dhe, sipas kreut të Inspektoratit, do të punohet pa ndërprerje gjatë gjithë muajit gusht, deri sa të prishen të gjitha objektet e planifikuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat