Shpallen 3 kompani fituese për kërkimet e naftës

Shqipëria

Shpallen 3 kompani fituese për kërkimet e naftës

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 18:27

Tri kompani janë përzgjedhur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për dy zonat e lira të kërkimit të naftës në Shqipëri nga pesë që janë gjithsej. Sipas “Top Channel”, pas shqyrtimit të ofertave zyrtare të përcjella nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për Bllokun '4' fitues është aplikimi i kompanive “SHELL” dhe “Petromanas”. Ndërsa për Bllokun e kërkimit të Dumresë, kompania e përzgjedhur është izraelitja “Navitas”.

Kompanitë fituese janë të mirënjohura në sektorin e kërkimit të naftës në botë. Shumëkombëshja “SHELL” është ndër shtatë kompanitë më të mëdha në botë në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit, me operacione në 90 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, ku aktualisht është në fazë kërkimi së bashku me “Petromanas” në zonën e Shpiragut. Ndërsa kompania “Navitas”, pjesë e “Delek Group”, e listuar në bursën e Tel Avivit ka një vlerë tregu prej më shumë se 5 miliardë dollarësh dhe aktivitet të përqendruar në Mesdheun Lindor. Ministria ka autorizuar AKBN-në të fillojë negociatat me kompanitë për termat dhe kushtet kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure, bazuar në aplikimin e paraqitur nga subjektet fituese.

Pasi të arrihet dakordësia, dokumenti nënshkruhet nga të dyja palët dhe i përcillet ministrisë për miratim, duke i hapur rrugë nisjes së procedurave për negocimin e “Marrëveshjes Hidrokarbure”. Vlerësimi dhe shpallja e fituesve është bërë bazuar mbi programin e investimit të paraqitur prej aplikuesve, por edhe historikut të kompanive dhe qëllimit për diversifikimin e investitorëve.

Qeveria e konsideron të suksesshëm këtë raund të parë të hedhjes së blloqeve në garë, pasi po afrohen kompani gjigante në fushën e kërkimit të naftës, pavarësisht se çmimi i arit të zi në tregun botëror ka rënë. Ajo synon që në muajin tetor të mbyllë raundin e dytë për tre blloqe në tokë: Bllokun 'C', Bllokun '5' dhe Bllokun 'Panaja', për të cilët thotë se interesimi nga kompani të mëdha nuk ka munguar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat