Dako betohet si kryebashkiak i Durrësit

Shqipëria

Dako betohet si kryebashkiak i Durrësit

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 18:09

Vangjush Dako bëri sot betimin për mandatin e tij të tretë në krye të Bashkisë së Durrësit. Betimi i kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako, u përfshi në rendin e ditës së mbledhjes së parë të Këshillit Bashkiak, të dalë nga zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

“Bashkia e Durrësit ka prioritet përmirësimin e jetesës së qytetarëve durrsakë nëpërmjet investimeve të mëdha që po transformojnë përditë e më shumë imazhin e një qyteti turistik si Durrësi dhe interesat e qytetit dhe qytetarëve durrsakë”, theksoi Dako pas betimit.

Dako shtoi se të gjitha ato zotime që ai ka bërë, do t’i bëjë realitet dhe do të punojë për të gjithë qytetarët e Durrësit pa asnjë dallim. “Ky mandat është mjaft i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit. Tashmë me ndarjen e re territoriale kemi mundësi t’i shërbejmë një komuniteti më të madh qytetarësh. Garantoj se do të jem gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh bindjet e tyre politike, pasi të gjithë qytetarët meritojnë njëlloj shërbime dhe për ne të gjithë qytetarët janë njësoj”, theksoi ai.

Në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut Dako ishte i pranishëm ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, si dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe njëkohësisht deputet i Durrësit, Blendi Klosi.

Në këtë mbledhje u krye konstituimi i Këshillit të ri Bashkiak, si dhe u procedua me zgjedhjen e kryetarit të këtij këshilli. Në votim morën pjesë 51 anëtarë të këshillit bashkiak, ku me shumicë votash u zgjodh kryetar i Këshillit Bashkiak, Alban Ramohitaj dhe nënkryetar i këtij këshilli, Artur Bujari, që të dy përfaqësues të Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat