15 mln euro për modernizimin e Portit të Vlorës

Shqipëria

15 mln euro për modernizimin e Portit të Vlorës

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 14:51

Një projekt që synon modernizimin në kompleks të Portit të Vlorës dhe zgjerimin e kapacitetit përpunues të tij për të përballuar fluksin në rritje të udhëtarëve dhe të mallrave, ka nisur të zbatohet pak ditë më parë.

Ky projekt financohet nga Italia me një vlerë prej 15 mln eurosh dhe është pjesë e një programi të gjerë të ndërhyrjeve nga Kooperacioni Italian në fushën e transportit dhe infrastrukturës në Shqipëri, me një vlerë të përgjithshme financiare prej më shumë se 100 milionë euro.

Masterplani i zhvillimit të portit të Vlorës, që e shndërron atë në një mjedis portual me aktivitet ankorimin dhe përpunimin e trageteve, do të jetë në përshtatshmëri të plotë me projektin tjetër të ndërtimit të shëtitores (“Lungomares”), në bregdetin e këtij qyteti.

Masterplani parashikon rikonceptimin e strukturës aktuale të portit në një mjedis portual me kapacitet ankorues dhe përpunues për tre-katër tragete, nga një që është aktualisht. Nga ana tjetër, do të ndërtohet terminali i ri modern i pasagjerëve, do të zgjerohen sheshet e përpunimit, do të ndërtohen mjediset e reja të doganës, të policisë kufitare e shërbimeve të tjera portuale.

Projekti, parashikon rikonstruksionin dhe zgjatjen e kalatës perëndimore edhe me disa dhjetëra metra të tjera, avancimin në det të brezit që bashkon aktualisht dy kalatat ekzistuese, thellimin e basenit etj. Përmes masterplanit, do të realizohet një mjedis shumë i sigurt për mjetet lundruese, të cilat do të ankorohen në hapësirën ujore, duke qenë tërësisht të mbrojtura nga ndryshimet e kushteve të motit dhe ato të lundrimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat