Vjedhja e energjisë, 9 arrestime dhe 17 persona në kërkim

Shqipëria

Vjedhja e energjisë, 9 arrestime dhe 17 persona në kërkim

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 14:04

Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE-në kanë vijuar edhe gjatë javës së kaluar punën për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.

Në të gjithë vendin, gjatë periudhës 28.07.2015 deri më 03.08.2015, kanë vepruar çdo ditë 95 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE.

Në 4111 raste janë evidentuar 40 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 40 autorë.

Sipas njoftimit të policisë nga këta 40 persona janë arrestuar në flagrancë 9 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike . Janë shpallur në kërkim 17 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 14 persona. Po gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 1.291 lidhje të abonentëve debitorë dhe 40 lidhje të paligjshme.

Policia e Shtetit bën me dije se janë kontrolluar edhe 68 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

“Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat