Maliqi: Të paaftët duan koalicion PD- PS ose PD- LSI

Shqipëria

Maliqi: Të paaftët duan koalicion PD- PS ose PD- LSI

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 09:59

Partia Demokratike ka nisur tashmë analizën në bazë për humbjen e zgjedhjeve vendore, kur pritet të evidentohen përgjegjësitë dhe politikat që çuan në këtë rezultat.

Pavarësisht zërave kritikë brenda PD-së, numri dy i kësaj force politike, Edmond Spaho deklaron se nuk është momenti për koka turku, por për të parë pikat ku dështoi opozita.

“Analiza do të nxjerrë të metat dhe mangësitë që karakterizuan punën tonë. Nuk është e thënë që gjithçka t’ia vendosim sistemit manipulimit, por sigurisht për të qenë racionalë, ne do të bëjmë analizën dhe do të nxjerrim përgjegjësitë tona. S’ka pse të ketë koka turku, qëllimi i analizës nuk është që të gjejë koka turku, por të përmirësojë ato të cilat nuk ecën mirë gjatë këtij procesi”, thotë Spaho.

Edhe pse pranon se u gabua në fushatë për organizimin e strukturave, Spaho shpreh bindjen se zgjedhjet vendore u manipuluan.

“Një rezultat i manipuluar, nëse veprohet kështu, atëherë kot që zhvillojmë zgjedhje dhe do të jetë jologjike që opozita të rrijë e të bëjë sehir dhe të mos ndihet për çështje të tilla kaq të rëndësishme”, u shpreh ai.

Ndërkohë ish- deputeti demokrat, Lefter Maliqi, në një status në FB thotë se vetëm të paaftët duan një koalicion mes PD dhe PS ose mes PD dhe LSI.

“Këto ditë disa eksponentë në PD hedhin teza bashkëpunimi me PS ose LSI! Unë mendoj që duhet të bashkojmë forcat dhe vlerat dhe të ringrihemi fuqishëm për të projektuar fitoren për 2017. Mbase këto mendime i hedhin disa të paaftë për të shmangur përgjegjësit për punën e dobët të tyre në çdo zgjedhje sidomos në zgjedhjet e fundit, qëllimi i tyre ështe shmangia nga përgjegjësia e humbjes së këtyre zgjedhjeve dhe largimi i vëmendjes nga puna që na pret për analizë, përgjegjësi, riorganizim dhe punë te fortë në bazë! Këta vetëm kanë përfituar me paaftësi dhe servilizëm, thjesht hedhin shashka për tërheqje vëmendje! Mbase dikujt nga e majta i intereson kjo frymë nënshtrimi dhe përçarje në PD! Ne i kemi të gjitha mundësitë ta trembim të majten se jemi forcë e madhe dhe shpresa e shqiptarëve për një jetë më të mirë dhe të sigurt, si parti e vlerave, e shpresës, e të ardhmes dhe lirisë!” shkruan Maliqi.

Vetë ai është nën akuzë pasi PD e humbi Bashkinë e Beratit për shkak të rezultatit të dobët në zonën ku Maliqi është zgjedhur deputet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat