Shkelën ligjin, 28 policë të arrestuar në 6 muaj për abuzime me detyrën

Shqipëria

Shkelën ligjin, 28 policë të arrestuar në 6 muaj për abuzime me detyrën

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 07:56

Policët e të gjitha niveleve janë ata të cilët duhet të sigurojnë zbatimin e ligjit dhe të vendosin përpara tij personat që e shkelin atë. Por ndodh që vetë ata të jenë shkelës të ligjeve. Agjentët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kanë vënë në pranga 28 oficerë policie gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, duke nisur nga ata me gradat më të ulëta e deri tek drejtuesit, siç është rasti i ish-kreut të INTERPOL Tiranës, Artan Bajraktari. Sipas këtij raporti, këtyre efektivëve u është dhënë edhe masa disiplinore “përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit”. Të dhënat janë publikuar në raportin “Për punën dhe performancën e shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat për periudhën JanarQershor 2015”. Raporti tregon se gjatë këtij 6mujori, janë 125 efektivë policie, të cilët vazhdojnë të hetohen në gjendje të lirë për disa shkelje që dyshohet se kanë kryer. Veç kësaj, në raportin e SHÇBAsë, publikohen të gjitha shkeljet që janë vënë re gjatë punës së përditshme të punonjësve të policisë, të gjitha rastet e arrestimit të efektivëve, si dhe ndryshimet që janë bërë në strukturën e policisë.

Policët e ndaluar gjatë 6 muajve të parë të 2015-ës

Arrestimi i kryeinspektorit Hamëz Demushi dhe bashkëpunëtorit të tij për trafik të lëndëve narkotike, aktivitet kriminal me shtrirje në Shqipëri e Kosovë. Pas arrestimit në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 3.6 kg e dyshuar e llojit kokainë, dhe 0.5 kg e dyshuar heroine; Arrestimi i inspektor Leonel Begaj dhe kryeinspektorit Lirim Lamaj, pasi duke keqpërdorur detyrën kishin pajisur me pasaportë një person të shpallur në kërkim dhe të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për 25 vjet; Arrestimi i nënkomisarit B.A. dhe komisarit I.R., për mosreferimin të materialeve procedurale në rastet e 7 aksidenteve me pasojë dëmtime të personave dhe njëkohësisht nxjerrjen e automjeteve nga pikat e bllokimit; Ndalimi i Kol Kukaj, Agim Hysko dhe Besjana Martini, ishpunonjës të Drejtorisë së Prokurimeve, në Policinë e Shtetit, për abuzime me prokurimin publik për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytetin e Tiranë, i zhvilluar në dhjetor të vitit 2010; Arrestimi i Nevila Mamo dhe Genci Reçi, dy drejtues të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, të cilët nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kanë abuzuar me detyrën, duke shpërdoruar fondet publike, me një dëm ekonomik shkaktuar buxhetit mbi 6 milionë lekë, për një periudhë 2vjeçare.

Ndalimi i Artan Bajraktarit, me detyrë shef i Sektorit të Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tirana dhe nënkomisares Lorena Alla, me detyrë specialiste e këtij sektori, për veprën penale “shpërdorim detyre”; Arrestimi i nënkomisarit A.Z., i cili në zonën që mbulonte, kishte favorizuar ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe në disa raste duke keqpërdorur atributet që i jep detyra kishte fshehur kallëzime të qytetarëve duke mos i referuar ato pranë organit të prokurorisë, kundrejt shpërblimit financiar; Arrestimi i shefit të policisë kriminale komisarit A.L., i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra kishte favorizuar ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit nga disa subjekte të qytetit të Elbasanit, kundrejt shpërblimit financiar; Arrestimi i inspektorit të PKK Kakavijë Mentor Cane, inspektorit të PKK Qafë–Botë, Sokrat Guga dhe shtetasi Erald Çaça, për kontrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë”. Nga denoncimi i një qytetari është arrestuar Inspektor Ylli Ulaj, efektiv i policisë së qarkullimit rrugor Lezhë. Punonjësi i policisë nuk e kishte proceduar administrativisht shtetasin kosovar për shkeljen e konstatuar, por në këmbim i kishte marrë lekë.

Procedimi

Në raportin e SHÇBA-së thuhet se për periudhën janarqershor, prokuroria vazhdon hetimet për 132 persona, nga të cilët: 2 punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues, 37 punonjës policie i nivelit të parë drejtues, 86 punonjës policie të nivelit zbatues, 4 punonjës policie civil, 3 punonjës të gardës dhe 19 bashkëpunëtorë të tyre. Raporti vë theksin edhe tek ankesat që kanë bërë qytetarët pranë ShÇBAsë lidhur me performancën e punonjësve të rendit, nga të cilat ka rezultuar se për 4 efektivë, është bërë referimi në prokurori, ndërsa për 33 punonjës policie, është sugjeruar fillimi i ecurisë disiplinore pranë strukturës kompetente të Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit. Gjatë muajit Korrik janë nga ShÇBA janë bërë edhe dy arrestime të tjera ne Korçë dhe në Lezhë. Në pranga kanë rënë Niko Xhezahiri dhe Jonisa Kaso, me detyrë inspektorë në doganën e Kapshticës. Sipas burimeve dy personat në fjalë dyshohet se kanë abuzuar me detyrën duke favorizuar kalimin e mallrave kontrabandë. Ndërsa në Lezhë u arrestua Kapiteni i Portit të Shëngjinit, Shkëlqim Çelami. Ai u akuzua për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat