Kush nuk përdor kasën fiskale, do të shkojë në burg

Shqipëria

Kush nuk përdor kasën fiskale, do të shkojë në burg

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 19:42

Aksioni i qeverisë shqiptare për të luftuar informalitetin në sektorin e biznesit në muajin shtator, do të shoqërohet me masa ndëshkimore drastike.

Siç raporton Vizion Plus nisur nga ndryshimet ligjore të cilat janë depozituar në Këshillin e Ministrave dhe pritet të miratohen në fillim të muajit që vjen, spërmarrësit për herë të parë, do të përballen me një plan të qeverisë i cili nuk do të ketë më asnjë tolerancë për ata të cilët bëjnë evazion.

Kështu, çdo biznes, i cili nuk ka kasë fiskale, ose kapet pa dhënë kuponin tatimor, do t’i sekuestrohet malli që herën e parë. Nëse i njëjti rast përsëritet, atëherë pronari ose administratori i firmës do të shkojë në burg. Në variantin e parë të depozituar në qeveri, ministria e Financave kishte propozuar rritje të masave ndëshkimore dhe gjobave, por jo ndjekje penale për bizneset.

Burime konfidenciale për Vizion Plus sqarojnë se këto ndryshime janë bërë më pas nga ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin, e cila drejtohet nga Ermonela Felaj, dhe me shumë gjasa, qeveria do të miratojë këtë variant. Rregullat e reja kanë krijuar madje edhe një debat mes të dy ministrive, asaj të Financave dhe asaj të Marrëdhënieve me Parlamentin, për faktin se financat argumentonin se nuk mund të çojnë për ndjekje penale bizneset të cilët bëjnë shkelje administrative.

Së bashku me këto masa, grupi i punës i ngritur nga kryeministria po përgatit edhe një plan veprimi i cili do të nisë menjëherë në shtator. Lajmi i mirë vjen për biznesin e madh, i cili paguan rregullisht taksat: asnjë kompani e klasifikuar te “VIP”­at nuk do të ketë më kontrolle tatimore të befta.

Inspektorët tatimorë do të shkojnë në dyert e bizneseve të mëdha vetëm në bazë të analizës së riskut.

Ndryshimet që do të ndodhin ndëshkojnë më shumë bizneset dhe tregtarët e vegjël, ku pjesa më e madhe e tyre shesin në informalitet të plotë dhe nuk mbajnë kasë fiskale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat