Berisha: Ja si Athina e Beogradi kërkonin të ndanin Maqedoninë në vitet 90-ta

Shqipëria

Berisha: Ja si Athina e Beogradi kërkonin të ndanin Maqedoninë në vitet 90-ta

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 19:35

Ish-Kryeministri Sali Berisha përmes një shkrimi autorial ka zbardhur një bisedë për pavarësinë e Maqedonisë, me të ndjerin Lary Igellberger, asokohe Sekretar Shteti në detyrë i SHBA.

Në rrëfimin e tij për Maqedoninë, ish- udhëheqësi i shqiptarëve Sali Berisha thotë se:"Në fillimin e viteve 1990, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Republika e Maqedonisë arriti, në sajë të urtësisë të presidentit Gligorov dhe mbështetjes ndërkombëtare, të shkëputet paqësisht nga Federata Jugosllave dhe të shpallë me referendum, në shtator të vitit 1991, pavarësinë e saj. Po në këtë vit, ky vend miratoi Kushtetutën, në preambulën e të cilës, Maqedonia shpallej si shteti i maqedonasve.

Shqiptarët ishin promotorë të rëndësishëm të pavarësisë së Maqedonisë. Por, ata bojkotuan referendumin e Pavarësisë, mbasi asnjë nga kërkesat e tyre të drejta: për barazi etnike; shkollim në gjuhën amtare në të gjitha ciklet e sistemit arsimor; pjesëmarrje proporcionale në të gjitha nivelet në institucionet e vendit, nuk u pranuan nga udhëheqja maqedonase. Po kështu, ato nuk votuan Kushtetutën e Maqedonisë, mbasi ajo shpallte maqedonasit pronarë të shtetit të tyre. Në kundër reagim, në janar të vitit 1992, shqiptarët në Maqedoni mbajtën referendumin e tyre, për një autonomi territoriale, kulturore.

Shpallja e Maqedonisë si shtet i pavarur u prit me skepticizëm nga Komuniteti nderkombetar. Në maj të vitit 1992 kam pritur në Tiranë të ndjerin Lary Igellberger, asokohe Sekretar Shteti në detyrë i SHBA, me të cilin biseda pothuaj gjatë një dite të tërë u përqëndrua për zhvillimet në ish-Jugosllavinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën. Në këtë takim Igelberger ndër tëtjera më pyeti direkt: se çfarë mendoja unë, a duhet të njihet Maqedonia si shtet i pavarur? Pyetjes së bashkëbiseduesit tim, unë ju përgjigja se: në mendimin tim, Maqedonia duhet të njihet dhe të pranohet si shtet i pavarur. Lary përsëri m’u kthye: mirë, cilat janë argumentet tuaja, pse ajo duhet të njihet? "Mendoj se Maqedonia duhet të njihet dhe të egzistojë si shtet i pavarur, qoftë dhe si hipotezë pune", iu pergjigja unë. Duhet të pranojë se, përgjigja ime "qoftë dhe si hipotezë pune" ishte si të thuash sui generis dhe vinte, më së shumti, nga backgroundi im shkencor dhe jo politik. Në kërkime shkencore je i detyruar të ndërtosh hipoteza, modele pune edhe jopërfundimtare.

Larry, rrudhi pak sytë dhe mu kthye disi i çuditur: si mund të pranohet një shtet i pavarur si hipotezë pune, çfarë nënkuptoni ju me hipotezë pune? Përgjigja ime ishte se: "nënkuptoj, me këtë, krijimin e një shteti të pavarur, mbasi besoj se kjo do mund të parandalojë konfliktin e përgjakshëm në Jugun e Ballkanit, para të cilit ai i veriut do të dukej shumë i vogël". "Në Maqedoni, për ndarjen e territoreve të saj, disa shtete të rajonit mund të hynin në një luftë të përgjakshme. Ndërsa me një Maqedoni të njohur nga SHBA dhe vende të tjera të mëdha, por edhe të garantuar në një mënyrë apo një tjetër, si shtet i pavarur, konflikti në jugun e Balkanit për ndarjen e territoreve të saja, mund të shmanget. Do eci apo jo ky vend i pavarur, do t’i rezistojë dot kohërave, atë nuk mund ta themi, le të presim dhe të shohim. Rëndësi kapitale, aktualisht, ka shmangia e konfliktit për ndarjen e territoreve të saj, konflikt që do të ndezi Ballkanin si kurrë ndonjëherë".

Bashkëbiseduesi im kishte kaluar vite të tëra me detyrë në Beograd, ishte njohës i shkëlqyer i ish-Jugosllavisë dhe rajonit, por në atë bisedë të gjatë që pata me të, në Tiranë dhe në Krujë, më tha në një moment se, "mendoja se dija çdo gjë për ish-Jugosllavinë, por gjërat po zhvillohen krejt ndryshe". E vërteta është se, SHBA e njohën Maqedoninë vetëm në vitin 1994, pra rreth 3 vjet pasi ky vend kishte shpallur pavarësinë. Por, nga ana tjetër, në dhjetor të vitit 1992, me angazhimin e tyre Këshilli i Sigurimit të OKB miratoi rezolutën e vendosjes së UNRPROFOR-it në Maqedoni, që do të shndërrohej në vitet e mëvonëshme në UNPREDEP. Pas miratimit të rezolutës të OKB, SHBA dislokuan, në kufirin midis Maqedonisë dhe Shqipërisë,me mandat të OKB, një batalion paqeruajtës të ushtrisë së tyre, kurse në kufirin me Serbinë u vendos një batalion paqeruajtës nga vendet nordike. Në këtë mënyrë, SHBA u bënë garant dhe mbrojtës i shtetit të pavarur të Maqedonisë, të cilin ende nuk e kishin njohur, duke dhënë kështu një kontribut historik në parandalimin e një konflikti që do mund të përfshinte, së paku, pesë shtete të rajonit.

Hezitime për njohjen e Maqedonisë së pavarur treguan dhe vende tëBE-së. Ndonëse Komisioni Badinter rekomandoi njohjen e saj si shteti pavarur, para republikave të tjera, vendet e BE-së njohën të parat Kroacinë dhe Slloveninë dhe, ndofta edhe për shkak të ndikimit të Greqisë, njohën vetëm më vonë Maqedoninë. Kundërshti serioze dhe përpjekje të hapura për pengimin e njohjeve të saja ndërkombëtare, vinin nga Beogradi dhe Athina. Beogradi nuk mund të besonte se Maqedonia (e Vardarit ) e cila, në mëndjen e serbëve dhe skicën (nacertonia) e tyre, ishte thjeshtë Serbia e jugut, kurse banorët e saj sllavë ishin serbë, do të dilte nga vatha dhe nuk do të ishte pjesë e Serbisë së Madhe.

Ndërsa Athina, nuk mund të pranonte kurrësesi një shtet të ri me emrin Maqedoni. Në thellësitë e psiqikës greke, emri Maqedoni është ngulur gjerë në nënvetëdije. Me këtë emër njihet Veriu i Greqisë apo Maqedonia e Egjeut. Për Greqinë, një shtet që me këtë emër hynte si pykë midis asaj dhe Serbisë, ishte kërcënim dhe i papranueshëm, pa lëre pastaj më përvetësimin e Aleksandrit, të Maqedonisë dhe simboleve të tij. Në ligjin grek, po të ofendosh Aleksandrin, dënohesh deri 5 vjet burg dhe kjo ka ndodhur, ndërsa po të ofendosh Krishtin, je thjeshtë ateist, nuk ke sanksione ligjore. Greqia, njohu Maqedoninë pas arritjes së marrëveshjes interim, midis saj dhe Maqedonisë në vitin 1995. Kurse Serbia, do të njihte fqinjin e vet të ri, në vitin 1996. Vetëm dy fqinjët e tjerë direkt të saj, Bullgaria dhe Shqipëria, mirëpritën pavarësinë e Maqedonisë: Bullgaria, do të ishte vendi i parë që do njihte shtetin e Maqedonisë, por jo kombin dhe gjuhën e tij, mbasi për këtë vend, sllavët e Maqedonisë ishin bullgarë, kurse gjuha e tyre ishte dialekt i bullgarishtes. Këto kundërshti do të zgjidheshin më vonë bazuar në referencat kushteuese respektive Shqipëria, do të ishte ndër vendet më të para që e njohën shtetin e pavarur të Maqedonisë pa kushte, përveç barazisë etnike, kushtetuese,ligjore të shqiptarëve dhe do të vendoste me këtë vend marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunim të gjithanshëm.

Ndërkohë që njohjet ndërkombëtare vazhdonin dhe Maqedonia u pranua dhe anëtare e OKB dhe në organizata të tjera, duhet thënë se pavarësisht nga këto, hartat, intrigat dhe projektet për ndarjen e saj midis fqinjëve qarkulluan deri nga fillimi i vitit 1995. Në këto harta, që kishin për origjinë Athinën dhe Beogradin, Shqipëria shpërblehej me një territor të gjërë të saj, por kërkohej që Serbia të shpërblehej me një territor të gjërë të Kosovës. Vija e ndarjes së Kosovës zbriste pothuaj në Rrafshin e Dukagjinit. Pjesa tjetër e Maqedonisë do i bashkohej Serbisë dhe Bullgarisë. Greqia nuk mbetej pa gjë, por pretendimet e saj territoriale nuk ishin të mëdha. Ajo kishte një objektiv strategjik madhor: kufirin e përbashkët me Serbinë, sipas tyre, kundër harkut islamik Bosfor-Adriatik. Ndaj dhe Maqedonia nuk duhet të ekzistonte. Plotësishti i bindur se, çdo ndarje e re në trevat shqiptare ishte në kundërshtim me interesin tonë kombëtar, këto propozime mirrnin gjithnjë një përgjigje të prerë, negative nga Tirana.Në këtë kuadër dhe për këtë qëllim, Kryeministri i Greqisë mori inisiativën e një takimi trilateral në Athinë, të nivelit më të lartë: Miloshevic-Micotaqis–Zhelev. Ky takim të kujtonte apo evokonte lidhjet e dikurshme ballkanike, që kishin si qëllim kryesor zhdukjen e shqiptarëve dhe ndarjen e territorit të Maqedonisë. Ndaj kësaj nisme, si një lidhje ortodokse ballkanike e re, reagova publikisht por edhe me rrugë diplomatike, duke deklaruar se rajonit nuk i duhen aleanca mbi baza fetare. Takimi dështoi sepse i ndjeri President Zhelev, kundërshtoi ftesën. Ky bullgar i madh, burrë shteti i shquar dhe mik i çmuar i paqes, në një takim që pata më vonë në Sofje, do të më thoshte se: sakrificat e tmerrshme dhe humbjet e mëdha të jetëve që ka patur kombi im, kur është implikuar në luftra për territore të Maqedonisë, rreshtimi i tij i gabuar, duke besuar se mund t’i marrë ato territore, e bënë atë të mos pranonte kurrë të përfshihej në skenarë ndaj atij vendi.

Përveç këtyre, dua të theksoj se, asokohe për një lloj ndarje tjetër, ishte dhe partia aktuale maqedonase në pushtet VMRODPMN, udhëheqja e të cilës ndjehej krejtësisht bullgare dhe lobonte, fatmirësisht pa sukses, në Sofie për shpërbërjen e Maqedonisë. Përsëri, gjatë periudhës së konfliktit ndëretnik të vitit 2001, në të cilën qeveriste VMRODPMN me kryeministër Lubçe Georgievski, që sot mban pasaportë bullgare, autoritetet maqedonase, nëpërmjet Akademisë së Shkencave, filluan të bënin hartat për ndarjen e territoreve (të banuara nga shqiptarët) të Maqedonisë, por dhe shkëmbim territoresh me Shqipërinë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat