Lufta kundër evazionit fiskal, ndryshimet ligjore parashikojnë ndjekje penale për abuzuesit

Shqipëria

Lufta kundër evazionit fiskal, ndryshimet ligjore parashikojnë ndjekje penale për abuzuesit

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 18:45

Qeveria mund të propozojë masa drastike në luftën kundër evazionit fiskal apo informalitetit, ndërsa operacioni është paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama se do të nisë në muajin shtator.

Pak ditë më parë Kreu i Qeverisë deklaroi se qëllimi i qeverisë është ulja e taksave, por sipas tij, për t’u realizuar kjo, atëherë gjithkush duhet të paguajë. Operacioni kundër informalitetit pritet të jetë i ngjashëm me atë të nisur muaj më parë kundër debitorëve të energjisë elektrike, i cili dha rezultate pozitive përsa i takon mbledhjes së detyrimeve apo lidhjes së kontratave të reja mes debitorëve dhe kompanisë OSHEE. Qeveria pritet të miratojë ndryshimet ligjore në luftën kundër informalitetit në muajin shtator, ndërsa aktualisht mësohet se janë bërë propozime si nga Ministria e Financave, ashtu edhe nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Propozimet parashikojnë tolerancë zero ndaj evazionit fiscal, ndërsa dallimi mes dy drafteve është se ai i propozuar nga Financat nuk përmban ndëshkim me burg, ndërsa ai i propozuar nga ministrja e Shtetit me Parlamentin parashikon edhe një masë të tillë. Kështu çdo biznes, i cili nuk ka kasë fiskale, ose kapet pa dhënë kuponin tatimor, do t’i sekuestrohet malli që herën e parë. Nëse i njëjti rast përsëritet, atëherë pronari ose administratori i firmës do të shkojë në burg. Në variantin e parë të depozituar në qeveri, ministria e Financave kishte propozuar rritje të masave ndëshkimore dhe gjobave, por jo ndjekje penale për bizneset.

Por draftit të paraqitur nga Financat, i është shtuar një propozim nga Ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin, e cila drejtohet nga Ermonela Felaj, për të cuar për ndjekje penale bizneset që kryejnë evasion fiscal. Me shumë gjasa, qeveria do të miratojë këtë variant. Rregullat e reja kanë krijuar madje edhe një debat mes të dy ministrive, asaj të Financave dhe asaj të Marrëdhënieve me Parlamentin, për faktin se financat argumentonin se nuk mund të çojnë për ndjekje penale bizneset të cilët bëjnë shkelje administrative. Së bashku me këto masa, grupi i punës i ngritur nga kryeministria po përgatit edhe një plan veprimi i cili do të nisë menjëherë në shtator.

Lajmi i mirë vjen për biznesin e madh, i cili paguan rregullisht taksat: asnjë kompani e klasifikuar te “VIP”­at nuk do të ketë më kontrolle tatimore të befta. Inspektorët tatimorë do të shkojnë në dyert e bizneseve të mëdha vetëm në bazë të analizës së riskut. Ndryshimet që do të ndodhin ndëshkojnë më shumë bizneset dhe tregtarët e vegjël, ku pjesa më e madhe e tyre shesin në informalitet të plotë dhe nuk mbajnë kasë fiskale

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat