Legalizimet dhe shitblerjet, tani me hartë 3D

Shqipëria

Legalizimet dhe shitblerjet, tani me hartë 3D

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 18:23

Aluizni vendos në dispozicion të Hipotekës (ZRPP-së) hartën vektoriale të përditësuar me ndërtimet informale

Hipoteka

Brenda 15 ditëve, ZRPP-ja informon ALUIZNI-n për gjendjen juridike të pasurive në bllokun kadastral përkatës

Dimensioni

Aluizni do të ketë të dhëna të sakta mbi lartësinë e godinave, për të zgjidhur edhe çështjen e kateve të shtuara pa leje

ALUIZNI, Hipoteka dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të funksionojnë vetëm mbi bazën e hartës së re të dixhitalizuar në bazë të procesit të fotografimit ajror. Qeveria ka miratuar disa shtesa në vendimin e vitit 2008 “Për përcaktimin e rregullave të përgjithshme për ruajtjen dhe administrimin e informacionit hartografik, të përfituar nga fotografimi ajror, dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Regjistrimi i pasurive

Me ndryshimin e bërë, në funksion të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ALUIZNI vendos në dispozicion të Hipotekës (ZRPP-së) hartën vektoriale të përditësuar me ndërtimet informale, sipas zonave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (bllok kadastral). Vendimi i ri përcakton se harta vektoriale e përditësuar vihet në dispozicion në format elektronik. Brenda 15 ditëve nga data e administrimit të hartës vektoriale, ZRPP-ja informon ALUIZNI-n për gjendjen juridike të pasurive në bllokun kadastral përkatës. Për zonat kadastrale, që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar, ALUIZNI, me marrjen e informacionit nga ZRPP-ja, kryen procedurat e njoftimit publik për 30 ditë, në një vend të përshtatshëm për konsultim publik. Pas mbarimit të këtij afati, ALUIZNI vazhdon procedurën e legalizimit. Ndërkaq, fotografimi ajror do të jetë bazë edhe për ndryshime në kartelat e pasurisë së regjistruar në hipotekë. ZRPP-ja përfundon brenda 60 ditësh nga data e administrimit të hartës vektoriale, sipas rastit, procesin e korrigjimit ose të përmirësimit, përditësimit të kartelave e të hartave kadastrale. Kurse shitblerja e pasurive do të bëhet vetëm në formatin e ri. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, regjistrimi dhe transaksionet e pasurive të paluajtshme nga ZRPP-ja kryhen vetëm në format dixhital, nëpërmjet sistemit elektronik (Albsrep). Për këtë qëllim, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) detyrohet të hartojë dhe të miratojë një rregullore të posaçme. Ndërkaq, ZQRPP-ja siguron shfaqjen e hartës kadastrale në Gjeoportalin Kombëtar të administruar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG-u), menjëherë nga momenti i regjistrimit apo transaksionit mbi pasurinë e paluajtshme.

Brenda datës 31 mars 2016, ZQRPP-ja duhet të hartojë projektin për dixhitalizimin dhe përditësimin, përmirësimin e të dhënave që posedon në format analog. Implementimi i projektit në të gjithë territorin e vendit do të realizohet brenda tri viteve.

Produkti fotogrametrik (ortofoto), i përftuar nga fotografimi ajror dixhital i territorit, përdoret deri në aplikimin e produktit të fotografimit të ri ajror.

Projekti gjerman

Procesi i fotografimit ajror dixhital është duke u kryer nga kompania gjermane “HansaLuftBild”. Projekti i iniciuar nga ASIG është financuar nga qeveria shqiptare me 290 milionë lekë. Puna do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të fotografimit ajror në fund të vitit 2015. Aktualisht ka përfunduar faza e parë e projektit që lidhet me fotografimin e zonës urbane, me një sipërfaqe prej rreth 1100 km katrorë. Kjo është arsyeja e vendimit përshpejtues të qeverisë për të vendosur procedurat dhe afatet e bashkëpunimit të ALUIZNI-t me Hipotekën. Risia e këtij procesi, i cili është duke u kryer me pajisje të teknologjisë më të fundit dixhitale, prodhime të gjashtë muajve të fundit, është se nuk po realizohet thjesht një fotografim, por edhe një skanim i territorit. Ky fotografim ajror do të sigurojë të dhëna të sakta për gjithë territorin e vendit, duke sjellë një pamje në 3D. Tani ALUIZNI do të ketë të dhëna të sakta mbi godinat, mbi lartësinë e tyre dhe kjo është një mënyrë për të zgjidhur çështjen e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në rastet e kateve që janë shtuar pa pasur leje nga urbanistika. Fotoja ajrore do të shërbejë si bazë për hartën unike të Republikës së Shqipërisë. Megjithëse përpjekjet kanë filluar qysh në vitin 2008, për herë të parë do të ketë një bashkëpunim mes 10 institucionesh, të cilat do të përdorin vetëm këtë hartë si referencë unike për të gjithë dokumentet që ata prodhojnë. Një nga problemet që kanë pasur institucionet ka qenë fakti që secili prodhonte harta të ndryshme, me referenca të ndryshme. Sipas projektit, parashikohen të kryhen rreth 40 000 fotografime gjithsej. Janë planifikuar rreth 16 600 foto në zonat urbane me rezolucion 8 cm dhe 15 500 foto në zonat rurale me rezolucion 20 cm. Të dhënat e këtij projekti do të përdoren nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNI, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, njësitë e qeverisjes vendore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe institucione të tjera shtetërore. Përmes të dhënave të mbledhura nga fotografimi ajror dixhital është e mundur të kryhen kërkime shkencore dhe të analizohen ndryshimet krahasuar me të dhënat ekzistuese (fotografimi i vitit 2007) për çështje si: erozioni bregdetar, fondi pyjor, zhvillimi i burimeve minerale, si dhe ndryshimet e përdorimit të tokës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat