Reagon Policia pas akuzës për 100 mijë eurot: Janë në Prokurori

Shqipëria

Reagon Policia pas akuzës për 100 mijë eurot: Janë në Prokurori

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 17:27

Policia e Qarkut Tiranë ka reaguar pas akuzave të familjarëve të shtetases Bujana Bushi për “zhdukjen” e 100 mijë eurove.

Policia sqaron me një komunikatë se sendet personale të B.B., ndodhen në duart e Prokurorit të çështjes.

Ja deklarata e Policisë:

“Lidhur me një ankesë të bërë publike në media nga familjarë të shtetases Bujana Bushi, e cila humbi jetën në një aksident rrugor të ndodhur në datë 30.07.2015, në segmentin rrugor Kavajë – Rrogozhinë, pranë kryqëzimit të fshatit Lekaj, sqarojmë se:

Në datë 30.07.2015, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Fatmir Bekshiu, 65 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, si edhe i shtetasit Kosta Taci, 51 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë.

Arrestimi u krye pasi në këtë datë, shtetasi Kosta Taci duke qarkulluar me mjetin e tij tip Benz me targë AA 837 GH në aksin Kavajë – Rrogozhinë, pas ndërprerjes së rrugës nga motorri me targë AF107, të drejtuar nga shtetasi Famir Bekshiu, u përplas me një mjet tjetër që po udhëtonte në sensin e kundërt të rrugës.

Shkak paraprak dyshohet se u bë ndërprerja e rrugës nga dalja e gabuar e motorrit në rrugën kryesore, çka solli devijimin e mjetit.

Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasja Bujana Bushi, 33 vjeç, banuese në Vlorë, si dhe u dëmtuan lehtë shtetaset e mitura S. C, A. C dhe F. C, fëmijët e drejtuesit të mjetit tjetër që u përfshi në aksident.

Në vendin e ngjarjes është paraqitur vëllai i shtetasit Kosta Taci, të cilit nga shërbimet policore iu kërkuar të vinte në dispozicion dokumentat e makinës, pasi drejtuesi i mjetit u shoqërua për ndihmë mjekësore.

Gjithashtu atij iu dorëzuan edhe sendet personale që gjendeshin në makinë, nga shërbimi policor.

Shtetasi A.A, vëllai i drejtuesit të mjetit mori me vete edhe çantën e viktimës. Më pas kjo çantë me proces-verbal iu dorëzua Prokurorit të çështjes. Gjatë kqyrjes së viktimës nga ekspertët kriminalistë, nuk janë gjetur dhe sekuestruar sende personale.

Policia mori kontakt me të afërmit e viktimës dhe sqaroi gjithashtu rrethanat e ngjarjes. Përsa i përket çantës me sendet e tjera të viktimës, familjarët janë informuar se mund t’i marin vetëm pas urdhërit të kthimit sendeve të sekuestruara të Prokurorisë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat