Klosi: Ministra dhe deputetë e pijnë drogën siç pihet rakia

Shqipëria

Klosi: Ministra dhe deputetë e pijnë drogën siç pihet rakia

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 08:07

Ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka deklaruar se propozimi për testin e drogës për deputetë, politikanë, gjyqtarë dhe pushtetarë të lartë, është një skenar për gjueti shtrigash dhe shantazhesh brenda politikës.

Klosi e ka konsideruar si një fakt të mirëqenë dhe zhvillim normal dyshimet se, disa politikanë kanë marrë drogë të llojeve të ndryshme. Madje, ish kreu i SHISH ka pohuar se ish ministra, ministra dhe deputetë e pijnë drogën siç pihet rakia. Ai ka paralajmëruar zhvillime të paparashikueshme nëse propozimi për testin e drogës kthehet në ligj.

“Të thuash sot se një ministër apo deputet pi drogë, është si të thuash piu një gotë raki. Përdorimi i drogës është problem personal. Është zgjedhjet personale. Dhe asnjë nuk mund të kritikohet për këtë. Por, ky propozim është bërë për të ngritur tymnajë, për të baltosur njëri-tjetrin. Ky propozim do të përdoret si shantazh. Politikanët do t’i bëjnë shantazh njëri-tjetrit. Nëse ky propozim miratohet, pasojat mund të jetë ndryshme. Nuk parashikohen pasojat”, u shpreh Klosi.

Ish kreu i SHISH vlerësoi se drogën e përdorin edhe politikanë në botë për të kaluar situata tensionuese dhe për të qartësuar idetë.

“Edhe indigjenët e Amerikës e përdorin drogën për t’u qetësuar në raste situatash tensionuese. Droga qartëson idetë, mendimet dhe ndikon në rritjen e produktivitetit në punë e kudo”, u shpreh ish kreu i SHISH.

Përdorimi i drogës nga deputetët Kreu i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri, tha se rrezikojmë të mbetemi pa Parlament nëse deputetëve do t’u bëhet testi i drogës.

“Dekriminalizimi duhet të nisë nga koka, pastaj të shkoj te këmbët. Në realitet fenomeni politikanë të droguar në vendin tonë këto 25 vjet, ka qënë shqetësues. Në këtë aspekt, bërja te politikanët e testit të drogës do të ishte e mirëpritur. Rrezikohemi të mbetemi pa Kuvend të Shqipërisë, sepse shumica e deputetëve duken sheshit, edhe pa testim, që janë të droguar”, u shpreh Beqiri. Ai akuzon Berishën se i ka interesuar të mbajë rreth vetes individë të droguar, që t’i ketë nën këmbë.

“Madje vendi do të mbetet pa opozitë, sepse në këtë kamp politik, Berisha nuk ka lënë askënd pa e futur nën efektet e drogës. Madje ai e kishte vendosur si kusht brenda kampit të vet politik, që pa qënë përdorues droge dhe i droguar, nuk mund të konkurroje për asnjë post drejtues. Kjo i duhej Berishës sepse nuk mund t'i vinte dhe t'i mbante në rresht dhe servil të bindur ata që i kanë bërë hije këto 25 vjet, pa qënë të droguar”, u shpreh Beqiri.

Dekriminalizimi Idajet Beqiri shprehet se këta të “droguar” kanë kriminalizuar vendin duke dalë kundër interesave të popullit.

“Mirëpo përsëri, me gjithë se droga efektet i jep në kokë, përsëri si pjesë e dekriminalizimit konsiderohet si këmbët e saj. Koka e kriminalizimit janë krimet e rënda gjithëfarëshe që kanë bërë krerët e politikës duke mos lënë pëllëmbë e skutë të këtij vendi pa e inkriminuar.

Dhe këto krime të rënda, prej të cilave duhet të dekriminalizohet politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare, nuk janë bërë nga të qënurit e politikanëve nën efektin e drogës, por prej të qënurit të tyre armiq të betuar të popullit dhe vendit të vet, grabitës, hajdut dhe të korruptuar gjerë në palcë”, u shpreh Beqiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat