"Mungon transparenca për financimin e partive"

Shqipëria

"Mungon transparenca për financimin e partive"

Më: 2 gusht 2015 Në ora: 07:56

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka ngritur dje shqetësimin për mungesë e transparencës lidhur me financuesit e partive politike. Sipas KVV-së, itinerari elektoral ka mbërritur në etapën finalizuese për zgjedhjet e 21 Qershorit 2015, në atë të transparencës financiare të fushatës zgjedhore prej subjekteve politike.

“Fushatat zgjedhore të subjekteve kryesorë politikë në opinionin publik dhe prej organizmave monitorues janë kritikuar si tepër të kushtueshme, krahasimisht me realitetin ekonomik që kalon Shqipëria. Kjo është shoqëruar me pikëpyetje dhe kritika në lidhje me ligjshmërinë e burimeve financiare ku janë mbështetur këto fushata zgjedhore. Mungesa e transparencës financiare prej vetë subjekteve zgjedhore, mos efikasiteti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si institucioni përgjegjëse dhe niveli tejet i ulët i zbatimit të ligjit, i kanë forcuar pikëpyetjet dhe shqetësimin mbi financat e subjekteve zgjedhore”, - thuhet në një deklaratë të vëzhguesve vendorë sipas të cilëve kontrolli financiar i partive politike shqiptare vuan prej një niveli të lartë moszbatimi dhe mosrespektimi të ligjit.

KVV-ja kritikon edhe KQZ-në, e cila, sipas saj, vazhdon të qëndrojë inaktive duke i vlerësuar përfundimet e raporteve të auditit si pa vërejtje. Deklarata e KVVsë vjen në një kohë kur KQZ-ja me disa deklarata publike shprehu shqetësimin për mungesën e interesit nga audituesit për auditimin e fondeve të përftuara dhe të shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik. Janë 61 parti politike dhe 26 kandidatë të pavarur të mbështetur nga zgjedhësit pra 87 subjekte zgjedhore në total, që do të auditohen për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhor të datës 21 qershor 2015, dhe 125 parti politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, që do të auditohen për fondet e përfituara dhe shpenzuara për vitin kalendarik 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat