Bushati: Nyja Energji-Siguri në Evropën Juglindore

Shqipëria

Bushati: Nyja Energji-Siguri në Evropën Juglindore

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 21:23

Kryediplomati, Ditmir Bushati, i pari ministër i Jashtëm shqiptar që zgjidhet anëtar i Këshillit Europian për Politikën e Jashtme, te konsideron të rëndësishme që Konferenca e Vjenës, në fund të këtij muaji të përqendrohet tek projekte parësore, sidomos ato energjitike.

Në një artikull për për ECFR, ministri Bushati nënvizon se energjia mbetet një nga sfidat më të ngutshme, si për BE-në ashtu edhe për vendet e saj kandidate.

Më poshtë artikulli i plotë i ministrit Bushati:

Energjia ishte një nga mjetet e përdorura nga themeluesit e Bashkimit Evropian për të filluar pajtimin e kontinentit të vjetër, më shumë se 60 vite më parë. Sot, si kurrë më parë, energjia mbetet një nga sfidat më të ngutshme, si për BE-në ashtu edhe për vendet e saj kandidate.

Duke u kthyer pas në zhvillimet e sigurisë energjetike gjatë dekadës së fundit, duket se Evropa ka mundur të kapërcejë pjesën më të madhe të ndarjes Lindje-Perëndim. Por hendeku Veri-Jug vazhdon të mbetet, sidomos nëse marrim parasysh investimet në energji dhe infrastrukturë. Kjo është ndoshta një nga pikat e dobëta të strukturës energjetike të Evropës.

Siç është konfirmuar vazhdimisht edhe nga krizat e fundit në afërsitë lindore dhe jugore të Evropës, siguria energjetike është kthyer në një nga parametrat më të rëndësishëm gjeopolitikë të ndikimit për palët e treta në Evropën Juglindore.

Në këtë kontekst, më 20 korrik, Këshilli i BE-së përshëndeti Planin e Veprimit për Diplomacinë Energjetike të BE-së, i propozuar bashkërisht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe Komisioni. Ky Plan Veprimi synon të nisë sinergji të reja me partnerët e BE-së dhe të lehtësojë diversifikimin e lidhjeve dhe ofruesve të energjisë.

Përfundimet e Këshillit mbi Diplomacinë Energjetike të BE-së me të drejtë theksojnë se “mbështetja diplomatike duhet të përqëndrohet në Korridorin Jugor të Gazit dhe potencialin strategjik të rajonit Lindor-Mesdhetar ”.

Në të vërtetë, siç kemi mësuar nga sagat e Nabucco-s dhe Rrymës së Jugut, tubacionet virtuale mund të krijojnë paqartësi, zhgënjim dhe tension gjeopolitik mes aktorëve rajonalë, evropianë dhe globalë. Për më tepër, kur bëhet fjalë për mënyrën sesi vendet reagojnë ndaj rebusit rajonal të sigurisë energjetike, kriza e euros gjithashtu është një faktor për t’u marrë në konsideratë.

Në këtë kontekst të pështjelluar, Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) aktualisht mbetet i vetmi projekt i prekshëm i Korridorit të gjerë të Jugut. Faza e parë e ndërtimit të TAP-it ka filluar vetëm pak javë më parë në Shqipëri dhe me përfundimin e tij, vendi ynë do të jetë në gjendje të kthehet në një shpërndarës energjie, duke mundësuar furnizimin e vendeve fqinje përmes Gazsjellësit Adriatik Jonian (IAP), një pjesëz e humbur nga kutia e sigurisë energjetike të Evropës Juglindore.

Këta gazsjellës do të diversifikojnë ndjeshëm furnizimin e Evropës Juglindore me energji, e në të njëjtën kohë do të ndihmojnë në shmangien e çmimeve të larta dhe ngjarjeve të pakëndshme, si ato “ngërçet” epike që Evropa Lindore ka përjetuar gjatë dekadës së kaluar.

Fakti se BE-ja aktualisht po fokusohet në konsolidimin e tregut evropian të energjisë dhe vendet e EJL i sheh si partnerë të rëndësishëm në këtë proces, është sigurisht një hap më tej në drejtimin e duhur. Për më tepër, Plani i Veprimit për Diplomacinë Energjetike thekson nevojën për të përfituar nga instrumentet financiarë ekzistues, të tillë si Instrumenti i Asistencës së Para-Anëtarësimit, për të mbështetur politikat e diversifikimit të energjisë dhe transformimin e sistemeve energjetike. Por kjo nuk është e mjaftueshme.

Me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë energjetike në rajon, ne duhet të vëmë më mirë në përdorim potencialet energjetike ekzistuese. E thënë ndryshe, ajo që nevojitet më tepër në këtë pikë, është lidhja e ishujve të energjisë në këtë kënd të Evropës.

Një lidhje më e mirë e energjisë do të lejonte integrimin e vendeve të rajonit në distanca më të gjera dhe do të rriste aftësinë e tyre për t’u përballur me goditjet e ofertës. Megjithatë, projektet ekzistuese të interkonjeksionit nuk mjaftojnë për të shkuar drejt një lidhjeje të favorshme Energji- Siguri në Evropën Juglindore. Në vitin 2014, Strategjia e Sigurisë Evropiane dhe testimet e kryera treguan se vendet e Evropës Juglindore mbeten të ekspozuara ndaj krizës energjetike dhe infrastrukturës së dobët të sektorit. Për këtë arsye, është e nevojshme të punohet më shumë në këtë drejtim.

Gushtin e kaluar, kancelarja gjermane Angela Merkel mblodhi në Berlin kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, në një përpjekje për të rigjallëruar bashkëpunimin dhe agjendën e integrimit evropian të rajonit. Që prej atij çasti, i ashtuquajturi Proces i Berlinit ka prodhuar rezultate pozitive dhe ka kthyer vëmendjen e rajonit drejt projekteve pilote rajonale që lidhen me infrastrukturën.

Ndërsa vendet e rajonit përgatiten për Samitin e ardhshëm që do të mbahet në Vjenë në gusht të këtij viti, është e rëndësishme që strategjia e BE-së për rajonin të përfshijë dimensionin e sigurisë energjetike, për të inkurajuar investimet e huaja private dhe kanalizuar më mirë fondet e BE-së drejt zhvillimit të infrastrukturës së dobët energjetike të vendeve të Evropës Juglindore.

Vendet kandidate të BE-së në Evropën Juglindore kanë nevojë për projekte të përbashkëta investimesh në fushat e energjisë së rinovueshme, lidhjes ndërkufitare, përdorimit më të mirë të hidrocentraleve, dhe më e rëndësishmja – harmonizimit me legjislacionin e energjisë së BE-së, në veçanti me paketën e tretë të BE-së për Energjinë.

Në një kontekst të vështirë gjeopolitik, ka ardhur koha që BE-ja të përpunojë një koncept të guximshëm e gjithëpërfshirës të sigurisë energjetike për Evropën Juglindore. Kjo do të ndihmonte në sigurimin e një klime të mirë investimi për kompanitë evropiane në rajon dhe rishfaqjen e konkurrencës së shëndoshë, në kontrast me praktikat korruptive që zakonisht priren të favorizojnë përfshirjen e aktorëve të tretë.

Për këtë arsye, lidhja e ishujve të energjisë në Evropën Juglindore do të ndihmonte në ndërtimin e një rajoni të vërtetë, si në terma ekonomikë ashtu edhe në terma që lidhen me sigurinë, një rajon që mund të veprojë si partner strategjik për BE-në në lidhjen më të gjerë të sigurisë energjetike.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, një qasje e tillë e guximshme do të konsolidonte më tej bashkëpunimin rajonal dhe axhendën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke ndjekur shembullin e suksesshëm të gjashtë shteteve anëtare themeluese të Bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat