Prokuroria mbyll hetimet për Altin Sulkun

Shqipëria

Prokuroria mbyll hetimet për Altin Sulkun

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 14:14

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për Altin Sulkun, i akuzuar për vrasjen e ish-vjehrrit të tij, Lutfi Xhaferri dhe plagosjen e ish-vjehrrës, Naime Xhaferri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 17 maj të këtij viti në Kashar të Tiranës. Prokuroria ka dërguar për gjykim kërkesën e të akuzuarit për vrasje.

Është dërguar për gjykim edhe babai i tij, Skënder Sulku, i cili akuzohet për “armëmbajtje pa leje”. Gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia, në shtëpinë e Sulkut u gjetën 170 plumba automatiku.

Hetimi ndaj të pandehurve është zhvilluar për Altin Sulkun nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për Skënder Sulkun “detyrim paraqitje”.

“Sipas deklarimeve të dëshmitares okulare, të dëmtuarës Naime Xhaferri, mëngjesin e datës 17.05.2015, i pandehur Altin Sulku u ka dalë para bashkëshortëve dhe u ka thënë ‘ju më keni qëlluar mbrëmë në darkë me armë te shtëpia’. Pavarësisht se kjo akuzë është hedhur poshtë menjëherë nga shtetasi Lutfi Xhaferri, i pandehuri ka qëlluar menjëherë me automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në këto momente, Naime Xhaferri ka tentuar t’i marrë armën, por është goditur me plumb në dorë. Më pas autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është arrestuar disa orë më vonë nga ana e forcave të Policisë së Shtetit”, citohet në njoftimin e prokurorisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat