Veliaj emëron 24 administratorët e kryeqytetit, ja kush janë

Shqipëria

Veliaj emëron 24 administratorët e kryeqytetit, ja kush janë

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 09:43

Kryetari i ri i bashkisë së Tiranës premtoi shërbim për çdo qytetar, ndërsa paralajmëroi se të emëruarit do të jenë në detyrë për sa kohë që kryejnë si duhet punën. Emrat e rinj të drejtorëve që do të punojnë me kryebashkiakun.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj emëroi dje 24 administratorët e rinj të kryeqytetit. Ndërsa bëri prezantimin e secilit prej tyre dhe u dorëzoi vulat, kryebashkiaku premtoi se tashmë në administratë nuk do të valëviten flamuj partish, por do t’i shërbehet çdo qytetari. Ai kërkoi përkushtim nga administratorët, duke pohuar se edhe qëndrimi në punë do të varet nga puna që do të bëjë gjithsecili. Nisur nga reagimet për përdorimin e transportit publik në ditën e dytë të punës, Veliaj tha se “gaztorët nuk ia kanë dalë kurrë të ndryshojnë gjë”, këtë, tha ai, e kanë bërë administratorët. Ai u kërkoi 24 administratorëve që të inspektojnë personalisht shërbimet publike pasi vetëm kështu do t’ia arrijnë të përmirësojnë këto shërbime për qytetarët.

Emërimi i administratorëve

Ndërsa u dorëzoi vulat 24 administratorëve të rinj, kryebashkiaku Veliaj kërkoi angazhim të plotë nga secili prej tyre për të ofruar shërbimin e duhur për qytetarët. “Reforma në teori i ka bërë komunat pjesë të Tiranës, tani është koha që në praktikë ky dallim të mos ekzistojë. Pra të mos kemi më shërbime të diferencuara, shkolla, rrugë apo transport publik me standarde të ndryshme. I gjithë çelësi i suksesit tonë do të jetë që i njëjti standard që ofrohet në qendër të Tiranës të ofrohet në çdo çep të saj”, - deklaroi Veliaj. Ai paralajmëroi ndërkohë administratorët se qëndrimi në detyrë do të varet nga detyra e tyre.

“Kjo nuk është një kontratë pa limit. Kjo është një kontratë në bazë të performancës. Si për çdo pozicion ku ka të emëruar, pritet që ai që emërohet të performojë si kusht për të vazhduar këtë bashkëpunim e këtë kontratë që ne lidhim sot”, - deklaroi kryetari i bashkisë duke theksuar se vlerësimi për administratorët do të jepet prej vetë qytetarëve që do të marrin shërbimin. Veliaj theksoi se emërimi brenda 24 orëve i administratorëve u krye me qëllim që qytetarët të mos privohen nga shërbimet bazë të njësisë. Në vijim ai ka kërkuar nga secili prej administratorëve që të lërë mënjanë flamurin e partisë dhe t’i shërbejnë qytetarëve, pa asnjë dallim.

“Nga ky moment 24 administratorët janë 24 administratorët e bashkisë së Tiranë. Në administratë do të valëviten vetëm dy flamuj, i Republikës së Shqipërisë dhe i bashkisë së Tiranës, flamujt e partive do t”i parkojmë për fushatë e radhës. Siç funksionuam në fushatë, ekipi ynë do të jetë unik”, - tha Veliaj. Kreu i ri i bashkisë siguroi se me ndryshimin e funksionimit të bashkisë pas reformës territoriale, shërbimi për qytetarët nuk do të ndërpritet për asnjë moment dhe u kërkoi administratorëve që të jenë në shërbim të çdo qytetari. “Në momentin e parë që në bashkinë e Tiranës vjen dikush dhe kërkon certifikatë sepse nuk gjen hapur njësinë, apo kërkon shpjegim, apo ndihmë kjo është shenja e parë që njësia nuk funksionon. Nëse doni që kjo marrëdhënie të jetë serioze dhe afatgjatë, do të doja aq asnjë qytetarë të mos largohet pa shërbim.

Në njësitë administrative, ju jeni bashkia e Tiranës”, - tha Veliaj. Më tej nisur nga reagimet për përdorimin e transportit publik në ditën e dytë të punës, Veliaj tha se “gaztorët nuk ia kanë dalë kurrë të ndryshojnë botën”, këtë tha ai e kanë bërë administratorët. Ai u kërkoi 24 administratorëve që të inspektojnë personalisht shërbimet publike pasi vetëm kështu do t’ia arrijnë të përmirësojnë këto shërbime për qytetarët. “Edhe kur ju të shkoni në autobus, me këmbë, me biçikletë, nuk vë njeri në dyshim që nuk keni një makinë por është e vetmja mënyrë se si ne mund të kontrollojmë shërbimet që kanë dalë jashtë kontrollit në katër vitet e fundit. Ndaj për të gjitha këto shërbime duhet të shikoni vetë si funksionon.

Është vendi tipik ku parimi ‘frika ruan vreshtin’ funksionon më mirë se në çdo vend tjetër. Përtej legjislacionit duhet të kuptojmë se ne duhet të merremi personalisht me çdo shërbim”, tha kreu i bashkisë. Ai paralajmëroi se që nga java tjetër do të nisin disa aksione si ai i pastrimit të Tiranës. Por kryebashkiaku shtoi, se para se të kërkohet kontributi i qytetarëve duhet të vërtetohet se bashkia ka bërë maksimumin gjë që nuk ka ndodhur në këto katër vite. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremonia u shpreh se administratorët e bashkisë së Tiranës, janë hallka më e rëndësishme për funksionimin e reformës territoriale. “Administratorët janë ndoshta krahu më i rëndësishëm i kryetarit të Bashkisë dhe mendoj që do jenë njerëzit që në fazën e parë të konsolidimit të bashkisë së Tiranës, do të jenë në rolin kryesor”, - u shpreh Çuçi.

Administratore e njësisë nr.1 ­ Trendelina Jaku

Administrator i njësisë nr. 2 ­ Elez Gjoza

Administratore e njësisë nr. 3 ­ Ergesta Nika

Administratore e njësisë nr. 4 ­ Liri Qoshi

Administratore e njësisë nr. 5 ­ Violeta Kika

Administrator i njësisë nr. 6 ­ Adriatik Merko

Administratore e njësisë nr. 7 ­ Gjinovefa Kadria

Administrator i njësisë nr. 8 ­ Erjon Xhafa

Administratore e njësisë nr. 9 ­ Adelina Albrahimi

Administrator i njësisë nr. 10 ­Arian Hamiti

Administrator i njësisë nr. 11 - Gentian Arapi

Administrator në Petrelë - Sokol Kupi

Administrator në Farkë - Admir Abrija

Administrator në Dajt - Kujtim Qefalia

Administrator në Zall­Bastar - Genc Sita

Administrator në Bërzhitë - Refik Velia

Administrator në Krrabë - Alfred Brahja

Administrator në Baldushk - Ilir Bermeta

Administrator në Shëngjergj - Shpëtim Sina

Administrator në Vaqarr - Gentian Myrtaj

Administrator në Kashar - Erin Çatri

Administrator në Pezë – Besmir Kola

Administrator në Ndroq – Xhavit Çeka

Administrator në Zall­Herr – Arben Maloku

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat