Zyra e OKB-së: 1.4 tonë kokainë tentoi të hynte në Shqipëri

Shqipëria

Zyra e OKB-së: 1.4 tonë kokainë tentoi të hynte në Shqipëri

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 09:03

Sipas Zyrës së OKB-së për drogat, UNODC, Shqipëria, rezulton të jetë një vend destinacion i kokainës. Në një raport të detajuar, duke specifikuar të gjitha ngarkesat e dyshuara, tregon se vetëm në vitet 2013-2014 u sekuestruan rreth 1400 kg kokainë e nisur nga portet e Amerikës Latine që synonin të mbërrin në Durrës, nëpërmjet kontenierëve. Zyra e UNODC-së në Tiranë dhe autoritetet shqiptare kanë qenë përballë një sfide që është botërore: Brenda një viti nëpër botë qarkullojnë për qëllime tregtare, rreth 500 milionë kontenierë dhe vetëm 2 për qind e tyre arrin të kontrollohet. Ajo që kontrollohet përzgjidhen duke u bazuar nga vendet e origjinës, pra nëse vijnë nga Amerika Latine ato janë me “pullë të kuqe”. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), prej vitit 2013, ka nisur zbatimin e Programit të Kontrollit të Kontenierëve, që aplikohet në 21 porte të ndryshme të botës, përfshirë edhe Portin e Durrësit, duke ngritur zyrat përkatëse në këto porte, duke bashkëpunuar me ekspertë të doganave dhe të policisë. Rezultatet nuk kanë munguar.

Në kontenierët e drejtuar për në Shqipëri nga Amerika Latine, janë sekuestruar 1375.7 kg kokainë e pastër. Origjinat e drogës ishin porte nga Ekuadori, Panamaja, apo Paraguai, prej nga janë nisur kontenierët me fruta tropikalë në brendësi të të cilëve ka patur sasi të mëdha kokaine, të gatshme për t’u tregtuar. Në vitin 2014 të gjitha dërgesat me destinacion final Shqipërinë ishin nga Ekuadori. Në 15 prill 2014 një kontenier me destinacion Shqipërinë u kontrollua në një port të Panamasë, pasi arriti t’u kalojë autoriteteve ekuadoriane dhe aty u gjetën 130 kg kokainë. Në 18 maj, pas kontrollit të një kontenieri me destinacion Portin e Durrësit u gjetën 197.1 kg kokainë. Në 5 qershor, sasia prej 250 kg kokainë e sekuestruar në Portin e Tivarit në Mal të Zi ishte nisur nga Ekuadori, zyrtarisht me një ngarkesë bananesh dhe kishte si destinacion përfundimtar Portin e Durrësit.

Në 9 nëntor në Portin e Gajakilit në Ekuador, në një kontenier me destinacion Portin e Durrësit u sekuestruan 33.553 kg kokainë. Në total gjatë vitit 2014 janë sekuestruar 610.653 kg kokainë e pastër, e cila kishte destinacion final Shqipërinë. Edhe më e lartë ishte sasia e kokainës e destinuar për të mbërritur në Shqipëri gjatë vitit 2013, dhe e sekuestruar në portet e Amerikës Latinë, plot 765 kg kokainë, e cila pritej të vinte në Portin e Durrësit. Në 29 gusht 2013, nga Ekuadori u nisën 60 kg kokainë në një kontenier dhe një ditë më pas edhe 210 kg të tjerë. Në Portin e Gajakilit po në Ekuador, gjatë kontrollit të kontenierëve u sekuestruan më 10 nëntor 2013, 145 kg kokainë e destinuar për në Portin e Durrësit, ndërsa një ditë më parë po në këtë port ishin sekuestruar 350 kg kokainë, e ndarë në dy ngarkesa të veçanta. Kontrollet e suksesshme i hoqën krimit të organizuar vetëm në këto raste, në vitet 2013-2014, plot 110 milionë dollarë, që do të ishte vlera nëse kjo drogë do të dilte në treg.

Porti i Durrësit nuk është vetëm porta hyrëse e drogave që vijnë me konteinerë nga Amerika Latine, por edhe portë dalëse për në vendet e BE-së. Në vitin 2014, vetëm në Durrës u sekuestruan 3439 kg kanabis sativa dhe 10 kg heroinë, zakonisht të fshehura nga gomat e automjeteve, serbatorë, dysheme apo tavanë të autobusëve etj. Pas ndërhyrjes shtetërore për të zhbërë “Republikën e Lazaratit”, trafiku i kanabis sativa ka rënë në minimum. Por sfida e autoriteteve shqiptare të sigurisë dhe të zyrës UNODC-së mbetet devijimi i rrugëve të trafikut, për të shmangur kontrollet në portin e Durrësit, ku ata do të kapeshin patjetër. Trafikantët tani po shfrytëzojnë portet e Greqisë, dhe me konteinerë, po përpiqen të fusin drogën nga kufijtë tokësorë të vendit, aty ku kontrolli efikas mungon, po dhe ku investimet e zyrës së UNODC- së nuk janë përdorur siç duhet nga autoritetet vendase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat