QSUT në “shtetrrethim”! 100 shërbime private rreth saj

Shqipëria

QSUT në “shtetrrethim”! 100 shërbime private rreth saj

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 18:55

Qendra Spitalore Universitare “ Nënë Tereza” (QSUT) institucioni shëndetësor më i madh në Shqipëri është “rrethuar” tashmë nga rreth 50 spitale, klinika dhe laboratorë privatë dhe nga mbi 50 farmaci.

Me një staf mjekësor prej 2297 personash që përfshin mjekë, infermierë e teknikë laboratoresh, QSUT funksionon si një magnet për lulëzimin e shëndetësisë private, ku sigurisht çmimet dhe “rregullat e lojës ndryshojnë. “

Nga një vëzhgim i bërë nga Historia Ime, vetëm në zonën rreth QSUT – rruga e unazës, rruga “Aleksandër Moisiu” në drejtim të Kinostudios, fundi i rrugës së Dibrës dhe rruga “Kongresi i Manastirit” që të çon në Spitalin Psikiatrik, rezulton se ka afërsisht 100 spitale, klinika, laboratorë diagnostikimi dhe farmaci private. Një shifër kjo gati e pabesueshme po të mendosh që bëhet fjalë për një sipërfaqe prej pak më shumë se 200 000 m2.

Nëse qytetarët marrin gjithë shërbimin dhe medikamentet që u takojnë sipas ligjit në QSUT, si shpjegohet ky grumbull i madh klinikash, laboratorësh, spitalesh e farmacish?!

Qytetarët që shkojnë në QSUT për të marrë asgjë më shumë se shërbimin mjekësor që u takon, veç parave që u duhet të japin nën dorë thjesht për të zënë një shtrat apo deri për të pastruar dhomën, detyrohen nga mjekët të shkojnë në klinika private.

Janë me dhjetëra rastet e këtij tipi të raportuara në media me zë dhe figurë. Duke përfituar nga e drejta ligjore për dypunësim, mjekë e shefa pavjonesh zotërojnë ose kanë lidhje interesi me klinikat dhe laboratoret private që gjenden fare pranë.

Nëse mjekët do të respektonin oraret, etikën dhe normat profesionale dy apo tre-punësimi i tyre është totalisht brenda rregullave dhe ligjit. Por ka një kontrast të madh mes mjekut të klinkës private dhe mjekut të spitalit Nënë Tereza, që shpesh qëllojnë të jenë i njëjti person.

Në QSUT sheh rradhë të gjata njerëzish të sëmurë që presin për orë të tëra pas dyerve momentin kur doktori do të “shfaqet” në krye të detyrës së tij. Por nuk është çudi që doktorin ta gjesh 300 metra më poshtë, tek klinika private duke i pritur klientët me buzëqeshje dhe duke u shërbyer me mirësjellje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat