Leli bën betimin si kryebashkiak: Së bashku do të përcaktojmë piketat e Vlorës evropiane

Shqipëria

Leli bën betimin si kryebashkiak: Së bashku do të përcaktojmë piketat e Vlorës evropiane

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 18:45

-Këshilli bashkiak i Vlorës, i dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit, zhvilloi të premten mbledhjen e parë të konstituimit, ku kryetari i ri i Bashkisë, Dritan Leli, bëri betimin, duke nisur zyrtarisht detyrën.

Në këtë mbledhje, ku ishin të pranishëm edhe Ministri Për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, si dhe deputetet e Qarkut të Vlorës, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, Koço Kokëdhima, Mira Shehu, u zgjodhën kryetarja dhe nënkryetarja e këshillit, si dhe përfaqësuesit e tij në Këshillin e Qarkut.

Me shumicë dërrmuese votash, 36, nga 40 këshilltarë të pranishëm në këtë mbledhje, në këtë detyrë u zgjodh Vojsava Shkurtaj, përfaqësuese e Partisë Socialiste dhe koalicionit ASHE, ndërkohë që për funksionin e nënkryetares u votua Nadire Meçorapaj, përfaqësuese e Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë.

Të dy këta emra u zgjodhën pothuajse në mënyrë konsensuale. Bilanci i votimit për Shkurtajn, ishte 36 “pro”, një “kundër” dhe 3 fletë votimi rezultuan bosh. Ndërkohë, Meçorapaj, u zgjodh në mënyrë konsennsuale nga të dy krahët e politikës të përfaqësuara në këshill.

Gjithashtu, këshilli bashkiak i Vlorës zgjodhi në mbledhjen e parë edhe 6 përfaqësuesit e kësaj njësie të qeverisjes vendore në Këshillin e Qarkut, ku Bashkia e Vlorës ka 7 anëtarë, së bashku me kryetarin e Bashkisë, që sipas ligjit, nuk i nënshtrohet kësaj procedure.

Pas votimit të 10 emrave të propozuar nga të dy grupet e këshilltarëve, rezultuan fitues 6 përfaqësuesit e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane.

Duke marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut dhe duke ju drejtuar të pranishmëve dhe gjithë bashkëqytetarëve, zoti Dritan Leli theksoi se, “Besimi që na keni dhënë do t’ju kthehet mbrapsht. Bashkia e re e Vlorës do të ketë në qendër të saj qytetarin. Duke filluar qysh sot, institucioni i Bashkisë do të jetë tempull i juaji dhe të gjithë punonjësit e saj do të jenë shërbëtorët tuaj të devotshëm”.

Duke garantuar se ai do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve, Leli shprehu besimin se në punën e tij do të ketë mbështetjen edhe të këshilltarëve të djathtë, ashtu si edhe të të gjithë vlonjatëve. .

Sipas Lelit, Bashkia e re e Vlorës do të japë maksimumin për të zgjidhur çdo problem të qytetarëve. “Unë kam mbajtur shënim gjithçka që kemi thënë dhe këto ditë paszgjedhore, jam angazhuar personalisht që secili problem të marrë drejtimin e zgjidhjes së duhur”, theksoi ai. “Vlora do të ndryshojë dita ditës nga secili prej nesh, prandaj dhe përfitoj nga kjo ditë për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit përfaqësuesve të opozitës”, theksoi Leli, në fjalimin e tij të parë zyrtar si kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Ai kërkoi gjithashtu edhe bashkëpunimin e shoqërisë civile, që e konsideroi si një nga partnerët më të mirë që mund të ketë një kryetar bashkie, si edhe të të gjithë atyre njerëzve me ide e vizion që, për motive të ndryshme, nuk janë të angazhuar në organizata.

“Dera e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, do të jetë e hapur për të gjithë ju, e hapur për ata mijra të rinj dhe të reja vlonjatë, që kanë studiuar jashtë Shqipërisë dhe sot japin kontributin e tyre në vende të tjera të botës”, u shpreh Leli, ndërkohë që shtoi se, Bashkia Vlorës do të jetë streha e tyre më e mirë dhe ata mund të vijnë së bashku me idetë dhe eksperiencën që kanë fituar në qytetet më të mëdha të Evropës. “Ejani ta bëjmë Vlorën, njërën prej këtyre qyteteve europiane”, theksoi Leli. Në fjalën e tij ai ju drejtua edhe atyre mijra banorëve të zonave rurale, që përfshihen në territorin e Bashkisë, pas Reformës Administrative Territoriale, ndërkohë që nënvizoi se vizionet dhe projektet e stafit të bashkisë, do të shtrihen për të gjithë këta banorë, nga Novosela në Llogora.

“Vlora e nesërme do të ketë një plan, një projekt konkret zhvillimi, të qëndrueshëm për të gjithë banorët”, tha ai, ndërkohë që theksoi se, prej ditës së sotme, mori fund epoka kur qytetarët trajtoheshin në mënyrë të pabarabartë, ndaj ata zhyteshin në mjerim, kur territoret dhe lulishtet publike, ktheheshin në sheshe ndërtimi dhe katet e pallateve shtoheshin sa hap e mbyll sytë”. “Së bashku ne do të përcaktojmë piketat e Vlorës evropiane, duke e kthyer qytetin në vendin më të mirë për të jetuar dhe lindur fëmijët tanë, por edhe në perlën e turizmit”, u shpreh Leli, ndërkohë që shtoi se, “do të kthejmë Vlorën në një qytet që, çdo visitor që largohet, të ketë dëshirën për ta vizituar përsëri, por edhe një qytet që, asnjë vlonjat të mos të dojë të iki”. “Ndryshimi do të jetë i prekshëm qysh në vitin e parë dhe do të shikoni që nuk do të ketë më tym nga plehrat që digjen çdo ditë në mes të qytetit, do të shikoni më shumë ujë në shtëpitë tuaja, do të shikoni më shumë lulishte dhe hapësira publike, më shumë rrugë të ndriçuara dhe të sigurta, do të përjetoni një shërbim model nga administrata bashkiake.

Ministri Bledi Çuçi, duke u ndalur tek efektet pozitive të Reformës Administrative Territoriale, theksoi se ajo do të mundësojë harmonizimin e të gjitha burimeve njerëzore e natyrore të Vlorës, do të bëjë të mundur që gjithë ndëerveprimi ekonomik, ndërveprimi i traditës, i kulturës sociale, i kësaj bashkie të madhe, të jenë garanci për një zhvillim të qëndrueshëm të Vlorës. “Besoj se Tani është djali i duhur dhe partneri i duhur për ta çuar këtë reformë përpara”, theksoi Çuçi, ndërkohë që premtoi se, qeveria do të jetë pranë Bashkisë së Vlorës, për çdo sfidë që ofron kjo reformë.

Nga ana e saj, Prefektja e Qarkut, Etjona Hoxha, që hapi edhe mbledhjen e konstituimit të këshillit bashkiak dhe zyrtarizimit të kryebashkiakut Dritan Leli, në krye të kësaj njësie të qeverisjes vendore, nënvizoi se, tashmë Vlora çel një kapitull të ri, atë të një zhvillimi të qëndrueshëm edhe në saj të vizionit të Dritan Lelit që,siç u shpreh ajo, e ka shprehur gjatë fushatës, “për ta bërë Vlorën një qytet ku, ata që largohen të kthehen sërish për ta vizituar atë”.

Në këshillin bashkiak të Vlorës të përbërë nga 41 anëtarë, të dalë nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, koalicioni ASHE ka 29 këshilltarë, 11 këshilltarë, koalicioni i djathtë, ndërkohë që një tjetër është përfaqësues i PSD, jashtë koalicioneve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat