Ligji “për arsimin e lartë” Nikolla:Debati me Presidentin, konstruktiv dhe i shëndetshëm

Shqipëria

Ligji “për arsimin e lartë” Nikolla:Debati me Presidentin, konstruktiv dhe i shëndetshëm

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 15:22

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e vlerësoi ‘të shëndetshëm dhe konstruktiv’ takimin me Presidentin Bujar Nishani paraditen e sotme në Presidencë, ku ne fokus ishte ligji ‘per arsimin e larte’ .

“Siguruam Presidentin se ligji sjell përmirësime për studentët dhe pedagogët. Po ashtu, në përputhje me Kushtetutën ai i garanton çdo studenti që të ndjekë institucionet e arsimit të lartë sipas meritës”, tha Nikolla pas takimit, që zgjati rreth dy orë.

Ajo pohoi se takimi me Kreun e shtetit u karakterizua ‘nga debati i qetë, konstruktiv dhe i shëndetshëm, si pjesë e besimit të një institucioni të rëndësishëm, siç është ai Presidentit të Republikës”.

Presidenti i Republikës priti paraditen e sotme në Presidencë ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ku në fokus të takimit ishte reforma në institucionet e arsimit të lartë, e kontestuar fort nga opozita dhe qarqet universitare.

Takimi që u zhvillua me dyer të mbyllura, i parapriu pak ditë më parë një tjetër takim mes presidentit Nishani dhe një përfaqësie nga qarqet akademike dhe profesorati, të cilët parashtruan qëndrimet e tyre rreth ligjit ‘për arsimin e lartë’, i miratuar më 20 korrik në parlament, në një seancë të posaçme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat