Gjebrea:Lufta kundër trafikimit, një sfidë që kërkon bashkëpunim

Shqipëria

Gjebrea:Lufta kundër trafikimit, një sfidë që kërkon bashkëpunim

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 15:21

Në Ditën Botërore kundër Trafikimit të personave të enjten në mbrëmje u organizua në Durrës një marshim sensibilizues.
Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea tha se puna e strukturave kundër trafikimit është rritur dhe rezultatet janë të ndjeshme.

Në 2014, tha ajo, janë ndjekur penalisht 18 të pandehur, nga 3 që ishin një vit më parë, ndërsa janë identifikuar 125 viktima të mundshme të trafikimit.

Zv/ministrja vlerësoi punën e autoriteteve lokale për ta kthyer Komitetin rajonal të Durrësit në një model suksesi në këtë drejtim. “Trafikimi është një krim i rëndë që cënon dinjitetin e njeriut dhe këtu jemi sot për të ngritur zërin për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të trafikimit”, u shpreh Gjebrea.

Ajo e vuri theksin tek fushatat ndërgjegjësuese në këtë drejtim, duke bërë të ditur se tashmë qeveria shqiptare ka dhe një linjë kombëtare falas në ndihmë të viktimave të trafikimit.

“Është shumë e rëndësishme që ne të jemi të gjithë bashkë. Kjo është një sfidë e vështirë që kërkon bashkëpunim me të gjitha strukturat. Prandaj qeveria shqiptare dhe gjithë strukturat e kanë prioritet të punës së tyre”, tha zv/ministrja e Brendshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat