Vrasja në Lazarat, ja dinamika e krimit

Shqipëria

Vrasja në Lazarat, ja dinamika e krimit

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 09:25

Grupi i prokurorëve dhe ekspertëve që po hetojnë vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat, përcaktojnë distancën nga ku u qëllua furgoni i policisë. Në këtë pozicion ndodheshin vëllezërit Aliko dhe shtetasi Elvis Boci. Predha që vrau Ibrahim Bashën dhe plagosi dy kolegët e tij u nda në mes pas rikoshetës në hekurin e sediljes së furgonit.

Një muaj pas vrasjes së efektivit të RENEA-s në Lazarat, grupi hetimor pohon se është në prag të zbardhjes së ngjarjes së rëndë dhe identifikimit të autorit të krimit, i cili është mes të arrestuarve.

Rikthimi i prokurorëve në vendin e ngjarjes ka shërbyer për përcaktimin e dy momenteve kryesore të krimit, të cilat do të çojnë drejt identifikimit të autorit me prova shkencore.

Prokuroria e Krimeve të Rënda deri tani ka të dyshuar vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, si dhe shtetasin Elvis Boci. Ky fakt, sipas akuzës provohet nga dëshmitë e mbledhura pas ngjarjes së 24 qershorit dhe eksperimentit hetimor të kryer në vendin e ngjarjes.

Duke përdorur lazerin, ekspertët kanë mundur të përcaktojnë se distanca mes “grupit të zjarrit” dhe furgonit me të cilin lëviznin efektivët e RENEA-s është 280 metra. Është përcaktuar tashmë vendi nga ku është qëlluar, pasi ekspertët kanë mundur të sekuestrojnë mbi 300 gëzhoja. Po ashtu, disa prej të arrestuarve kanë treguar se në këtë vend kanë qenë të pozicionuar vëllezërit Aliko dhe Elvis Boci, të cilët kanë qëlluar me armë të ndryshme. Ka dyshime të forta se ndaj efektivëve të RENEA-s është qëlluar me një armë tip snajper, i cili nuk është gjetur ende nga policia.

Por një përcaktim i saktë për armën e krimit do të jepet pas ekspertizës balistike të këmishës së predhës që i mori jetën punonjësit të policisë, Ibrahim Bashka, dhe plagosi dy kolegët e tij. Edhe pse të dyshuarit kanë qëlluar mbi 300 herë me armë mëngjesin e 24 qershorit, ka qenë vetëm një predhë ajo që ka goditur Bashën dhe më pas ka plagosur dy kolegët e tij që ndodheshin në të njëjtin furgon. Ekspertët kanë mundur të provojnë shkencërisht se predha pasi ka goditur në kokë 31-vjeçarin, ka hasur në hekurin e sediljes së furgonit të policisë.

Këmisha e predhës është ndarë në dy pjesë dhe secila prej tyre ka goditur kolegët e Bashës, përkatësisht në kokë dhe shpatull. Dy pjesët e këmishës së predhës janë gjendur tashmë nga grupi i ekspertëve dhe pohohet se ato kanë vlera identifikues.

Nëpërmjet tyre prokuroria mund të shkojë tek arma e krimit, e cila dyshohet të jetë një snajper dhe më pas do të përcaktohet se cili prej tre të dyshuarve e ka përdorur atë. Dëshmitarët thonë se në morinë e armëve që kishin mbledhur vëllezërit Aliko dhe të arrestuarit e tjerë ka qenë dhe një snajper, që dyshohet se është blerë në Greqi.

Fotografi të armës së përdorur në vrasje prokuroria ka gjetur edhe në celularët e të arrestuarve, çka provon ekzistencën e saj përveç dëshmisë së disa prej të arrestuarve. Por askush prej tyre nuk mund të thotë se ku ndodhet tashmë arma e krimit, pasi dy vëllezërit Aliko nuk kanë pranuar të japin shpjegime për të.

Deri tani prokuroria ka gjetur gëzhojat në vendin e ngjarjes, si dhe disa armë të fshehura në një pusetë pranë vendit të ngjarjes, por nga ekspertimet e kryera deri tani nuk rezulton që armët e gjetura të përputhen me armën e krimit.

Por pavarësisht këtij fakti, burime të prokurorisë pohojnë se të dhënat e deritanishme janë të mjaftueshme për të ngritur akuzën e vrasjes së punonjësit të policisë ndaj tre të dyshuarve që provohet të kenë qenë në vendin nga ku u qëllua furgoni me efektivë të forcave speciale RENEA. Specialet u nisën drejt Lazaratit mëngjesin e 24 qershorit, pasi një natë më parë policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishin dëgjuar të shtëna armësh në gjithë fshatin.

Pa një plan të detajuar dhe pa objektiva të përcaktuar qartë, efektivët e RENEA-s u futën në Lazarat pa përdorur autoblindë, por me një furgon të thjeshtë policie, i cili gjatë rrugës u gjend në breshërinë e armëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat