Banditët në polici dhe hajdutët e “Crown Agents” grabisin duhanin

Shqipëria

Banditët në polici dhe hajdutët e “Crown Agents” grabisin duhanin

Më: 31 korrik 2015 Në ora: 08:21

Tregtarët e duhanit në Shkodër janë përleshur me policinë në orët e para të mëngjesit të djeshëm gjatë një aksioni policor. Bëhet e ditur se, dhjetëra forca policore kanë shkuar të sekuestrojnë duhanin e tregtarëve, por kanë hasur në rezistencën e tyre. Aksioni i policisë është zhvilluar në fshehtësi të plotë në lagjen “Rus” të qytetit të Shkodrës. Sipas tregtarëve, fillimisht kanë ardhur disa persona civilë pa uniformë të shtetit, duke u thënë që të largojnë mallin nga rruga. Pas tyre ka mbërritur “Crown Agents” dhe dhjetëra punonjës të Policisë së Shtetit me në krye drejtorin e Policisë së Shkodrës, Lorenc Panganika.
Tregtarët kanë reaguar ashpër ndaj policisë, duke u përleshur me ta për të mos lejuar grabitjen e duhanit. Gjatë aksionit policor u shënua edhe një incident me gazetarët, pasi policia kërkoi të mos filmohej operacioni. Tregtarët u shprehën se, shteti po na grabit në mes të ditës dhe akuzuan qeverinë se në vend që të mbështesë këto fermerë, po i fundos edhe më shumë, duke u hequr ato pak të ardhura që mbajnë familjet. Hajdutët e “Crown Agents” dhe banditët e policisë u kanë marrë me dhunë duhanin tregtarëve. Mjetet e “Crown Agents” janë mbushur me sasi duhani, duke ia hequr nga duart tregtarëve. Tregtarët u shprehën tepër të revoltuar, duke thënë se ky nuk është një kontroll shtetëror, por një grabitje, një hajni që i bëhet njerëzve të ndershëm dhe asaj shtrese që kërkon vetëm të fitojë bukën e gojës dhe të mbajë me ndershmëri familjen. Ata thanë se e gjithë sasia e mallit që u grabiti “Crown Agents” dhe policia është nga tokat e tyre bujqësore.
“Na kanë rënë si grethat e na kanë rrethuar. Ne kemi kaluar këtu prapa pallateve për të mos ndjenjur në trotuare, por ato kontrolluan çdo vrimë miu dhe na i morën çdo gjë që patëm, e morën dhe e futën nëpër makina. Unë nuk kam me çfarë të jetoj tjetër veç të dal për të lypur. Unë nuk e di çfarë t’i them këtij shteti. Thirrja ime do të ishte që populli të lihet i lirë për të punuar deri sa të krijojnë një treg, pra, të na plotësojnë kushtet. Nuk kemi ku punojmë as ku të hamë, jam me 6 persona në familjen time”, thotë një prej tregtarëve.
“Mua më kanë marrë 400 mijë lekë mall, pra duhan ditën për diell pa lajmëruar pa asgjë, kjo është hajni, grabitje. Unë jam një pensionist dhe dal për të fituar kafshatën e bukës, sepse punë nuk ka as për pensionista e as për të rinj. Ku të shkoj unë, apo të vras veten siç po bëjnë shumë të tjerë”, deklaron një tjetër tregtar.
“Jemi 7 persona në familje edhe nuk kam asnjë mjet tjetër jetese. Ky duhan është e vetmja e ardhur që kam edhe këtë e mori shteti. Mbi 400 mijë lekë kanë marrë mall, mundin e njerëzve të shtëpisë. Djersën e djemve të mi që i fus në shtëpi në punë si indianët vetëm për të jetuar dhe për të ngrënë një kafshatë buke. Tani shteti të më marrë e të më fusë në burg, se nuk kam ku shkoj tjetër kund. Nuk kam asnjë të ardhur tjetër në botë”, shprehet një tjetër i dëmtuar nga ky aksion i befasishëm.
Tregtarët, pjesa më e madhe e tyre në një gjendje të rëndë ekonomike dhe pjesa më e madhe e tyre vijnë nga zona të ndryshme rurale të MbiShkodrës dhe NënShkodrës, duke qenë se nuk kanë zgjidhje tjetër për të siguruar të ardhura për familjet e tyre vijnë në lagjen “Rus” për të shitur duhanin që prodhojnë në tokat e tyre. Policia nuk i lejon të zhvillojnë aktivitetin, ndërsa banorët shprehen se ky veprim ka prapavijë politike, pasi gjatë fushatës zgjedhore ata janë lejuar nga vetë Policia e Shkodrës.
Ky është aksion i dytë, pas atij në muajin mars, ku policia u mori tregtarëve të gjithë duhanin që kishin në treg. Aksioni policor në atë kohë është zhvilluar me shpejtësi dhe duke mos i lënë mundësi tregtarëve që të manovrojnë. Ashtu si edhe dje, Policia ka shkuar në befasi dhe menjëherë u ka rrëmbyer duhanin tregtarëve dhe më pas aksioni është zgjeruar. Përveç trotuareve, forcat e policisë janë shpërndarë edhe pas pallateve, duke kontrolluar çdo cep të mundshëm. Në të dy anët e rrugëve policia ka sekuestruar qindra kilogram duhan.

Tregtari: Policia më grabiti 25 kg duhan të tokës sime

Terrori policor në Shkodër ka revoltuar tregtarët, të cilët shprehen se jo vetëm që janë dhunuar nga policia, por u është grabitur edhe duhani që ata po tregtonin. Njëri nga tregtarët thotë se, policia i ka marrë 25 kg duhan të prodhuar nga toka e tij. “25 kg më morën, duhanin e shtëpisë sime, të tokës sime. Krejt mundin dhe shpenzimet ata vinë dhe na i marrin këtu. 25 kg duhan më mori policia. Është turp”, shprehet i ndinjuar njëri nga tregtarët.
Ndërsa një tregtare thotë se policia jo vetëm që i ka marrë duhanin, por edhe e ka kërcënuar se do ta fusë në burg. “Uniforma i mbron, civilat na i marrin. Na thonë hajdeni dhe në burg, po shkojmë dhe në burg. S’na ka mbetë gjë tjetër veçse të na marrin në burg. Duhanin na e morën, na lanë fëmijët pa bukë, tani çfarë të na marrin tjetër, veç shpirtin”, shprehet tregtarja.
Ndërsa një tregtare tjetër thotë se policia dhe “Crown Agents” i kanë marrë 12 kilogram duhan. “12 kilogram fiks m’i kanë marrë. Kjo që bëjnë është hajni”, shprehet e revoltuar tregtarja që detyrohet të ikë në shtëpi pa asnjë lek dhe pa duhanin që kishte marrë për të shitur për të ushqyer fëmijët.
“Ky është sekuestrim. Të hapë treg shteti edhe ne nuk rrimë në rrugë të madhe. Uniformat kanë ushtruar dhunë, i kam me video të gjitha”, thotë një tregtar tjetër. Edhe tregtarët e tjerë thonë se, policia ka ushtruar dhunë dhe terror ndaj tyre. “Policia ka ushtruar dhunë, kjo është qeveria që dhunon popullin, rreh popullin, vjedh popullin”, thotë një tregtar. Disa herë këta fermerë janë ankuar për mungesë tregu dhe malli u qëndron stok. Duke mos gjetur mënyrë tjetër shitje, ata dalin në rrugë vetëm me pakicë, sa për të siguruar pak të ardhura për familjen.

Reagon Topalli: Terror shtetëror ndaj tregtarëve të duhanit në Shkodër

Deputetja e PD për Shkodrën, Jozefina Topalli, ka reaguar për dhunën policore ndaj tregtarëve të duhanit. Duke e cilësuar këtë aksion dhunë shtetërore ndaj tregtarëve në Shkodër, deputetja Topalli shkruan në rrjetin social “Facebook” se, fshatarëve po u ndërpriten mundësitë “për të nxjerrë bukën e gojës”. “Dhunë shtetërore në Shkodër! Sot, si e tërbuar policia është sulur mbi fshatarët që shisnin duhan për të fituar bukën e gojës, pasi janë të zhytur në mjerim. Në vend që fshati dhe fshatarët e varfër të inkurajohen për të mbjellur tokën ato po terrorizohen. Duhanin sipas një tradite të hershme e kanë mbjellur e prodhuar me djersë e punë të vështirë, pa ndihmën e shtetit, pa ujin e domosdoshëm pa subvencionet e premtuara”, shkruan Topalli.
Më tej, Topalli shkruan se ato ndoshta nuk nxjerrin as shpenzimet e bëra, por sikur kjo të mos mjaftonte shteti policor sot iu turr edhe grave, nënave që kishin dalë për të shitur atë pak duhan vendas për të fituar një lek me çu në shtëpi për bukën thatë të fëmijëve të tyre. “Policët i morën edhe mallin pas dhunës që ushtruan. Por nuk u ndalën këtu. Shefi i Komisariatit, Demrozi kërcënoi dhe gazetarët që të mos filmonin dhe dhunoi njërin prej tyre. Kjo është vetëm një prej fytyrave të kalbësirave në pushtet! Ajo e patolerueshmja, e turpshmja është edhe më lart. Ajo zyrtarja është ajo që prej dy vitesh e denoncojmë në Parlament dhe që para dy ditësh e shkroi në Raportin e tij Departamenti i Shtetit”, shkruan Topalli.
Deputetja e Shkodrës shkruan më tej se denoncon me forcë dhunën kundër fshatarëve në Shkodër, denoncon me forcë dhunën ndaj gazetarit e gazetarëve të ushtruar sot në Shkodër. “Të dashur miq! Nuk mund të vazhdojmë të mendojmë sot për sot. “Kjo çastësi e skajshme na çastëson, dhe veç kësaj na cektëson, na bën të përciptë”. E në fund ju detyron të ulni qafën! Ka vetëm një rrugë për të shpëtuar këtë vend, jetën dhe të ardhmen! Kalbësirat duhen përmbysur!”, shkruan Jozefina Topalli.
Policia e Shkodrës ka nisur një aksion blic në lagjen “Rus”, ku në fokus të këtij aksioni ishin tregtarët ambulantë të duhanit, të cilëve policia i sekuestroi të gjithë mallin. Të revoltuar, ata janë përleshur me forcat e policisë që të mos lejonin sekuestrimin e duhanit.

Shefi i Komisariatit dhunon gazetarin e “Star Plus”

Shefi i Komisariatit të Policisë në Qarkun Shkodër, Gazmend Demrozi, ushtron dhunë ndaj gazetarit të “Star Plus”, Senad Nikshiqi. Në aksionin për sekuestrimin e duhanit në lagjen “Rus” nga “Croën Agents” dhe Policia e Shkodrës në një mënyrë të turpshme dhe gati kriminale, shefi i komisariatit, i cili nuk ka shumë kohë që është emëruar, pa asnjë lloj të drejte dhe në kundërshtim të plotë me ligjin, ka tërhequr me forcë gazetarin e “Star Plus”, duke e ulur në tentativë për ta rrëzuar.
Kamerat e pranishme në vendngjarje kanë arritur që të sigurojnë një fragment të dhunës thuajse prej krimineli të Demrozit. I menjehërshëm dhe plotësisht i drejtë ka qenë reagimi i gazetarit Nikshiqi, i cili edhe në praninë e drejtorit Rajonal të Policisë, Lorenc Panganika, ka debatuar ashpër duke dënuar dhunën nga Gazmend Demrozi, i cili në vend se të ushtrojë detyrën e tij kërkon të sillet si gangster dhe jo si një prej drejtuesve të policisë.
Në fakt, kjo sjellje e Demrozit nuk vjen për të parën herë. Rolin e gangsterit me gazetarët e ka nisur që në një mbledhje në Prefekturë në sytë e prefektit të Qarkut Shkodër, Paulin Radovani. Më pas është përsëritur sërish pranë Drejtorisë së Policisë, kur për shkak të dhunës së tij verbale, gazetarët bojkotuan një konferencë shtypi. Dhe tashmë për të tretën herë brenda pak kohëve, shefi Demrozi kalon çdo kufi, duke dhunuar një gazetar e duke iu drejtuar me gjuhë të ashpër edhe pjesës tjetër të gazetarëve. Për ngjarjen “Star Plus” ka vënë në dijeni ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, zëdhënësen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa gjatë së enjtes pritet edhe një takim në zyrën e prefektit Radovani, sëbashku me drejtorin Panganika dhe vetë shefin Demrozi, i cili deri tani ka treguar se nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të ushtrojë dhunë. / rd

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat