100 mijë lekë shtesë për mjekët që punojnë jashtë vendbanimit

Shqipëria

100 mijë lekë shtesë për mjekët që punojnë jashtë vendbanimit

Më: 30 korrik 2015 Në ora: 17:23

Të gjithë mjekët që punojnë larg zonës së tyre të banimit, do të marrin 100 mijë lekë shtesë çdo muaj. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ku shkruan:

“100 mijë lekë shtesë çdo muaj për mjekët që do të ushtrojnë profesionin larg zonës së tyre të banimit”. Një vendim i tillë është marrë për të stimuluar bluzat e bardha që të shkojnë edhe në zonat e thella, që shpesh herë braktisen nga mjekët.

Sektori i shëndetësisë ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e qeverisë, që prej ardhjes në pushtet. Kreu i qeverisë u shpreh dje në një konferencë për shtyp me gazetarët, se ka ende shumë për të bërë në sektorin e shëndetësisë.

“Do t’iu ftoja të monitoroni faktin që sot ka 22 qendra shëndetësore që operojnë në 7 ditë të javës për sezonin turistik. Sot ka raste urgjente në spitale rajonale që zgjidhen me konsulta nëpërmjet telemjekësisë”, tha Rama.

Mes arritjeve në këtë sektor, kryeministri Edi Rama foli dje edhe për pagën shtesë për mjekët që shkojnë larg banimit, duke theksuar se do të ketë pagesë 100 mijë lekë shtesë për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonave të tyre të vendbanimit.

“Është me rëndësi reforma në sistemin e shëndetësisë. Synohet modernizimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Po krijojmë një portal unik për shërbimet. Do të stimulohen ata mjekë që duan ta ushtrojnë ashtu si duhet profesionin e tyre. Kështu do të ketë një pagesë shtesë për 100 mijë lekësh çdo muaj për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonën së tyre të banimit, pra në një zonë tjetër”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat